Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– I dashur xhaxhai im, Bajram Bërdëllima! Tani, që edhe vetë kam “trokitur” në portat e pleqërisë, një mall dhe një gulsh menjëherë pas here për njerëzit e mi të afërt. Myzua dhe Farija, kanë ikur, kurse nga ana e babait, nga 9 fëmijë që keni qenë, vetëm ti më ke mbetur xhaxha i gjallë. Më kujtohet fotografitë, kur dikur bashkë, ti, babi, Hasani, Lali, ushtarakë. Hajde oficerë, hajde…! Oh, sa mall që kam! Oh, sa dua të vij në Gramsh dhe ta gdhijmë një natë, si dy pleq! Të përqafoj fort! M’i puth të gjithë nipërit dhe mbesat! Urime!
– …U kry! U botua në fletoren zyrtare! Domethënë, hyri në fuqi Muratoriumi 10 vjeçar për të mos prerë pyjet në mënyrë të paligjshme. Kjo është një ngjarje kaq jetike për Shqipërinë. Për mua duhet të shpallet kjo datë si Festa kombëtare e pyjeve. Ju lutem ju që e lexoni (po edhe ti miku im Lefter Koka) sillni në mendje si qe katandisur Lura, për të sjellë vetëm një shembull. Oh, sa u gëzova Lefter! Urime ty dhe gjithë punonjësve të Ministrisë së Mjedisit.
– Një ngjarje shumë e rëndësishme, që nuk duhet të kalojë në krizë, është legjitimimi nga gjykatat ndërkombëtare të rikthimit të çamëve në shtëpitë e tyre, në tokat e tyre, brenda territorit grek. Urime Shpëtim, urime gjithë miqtë e mi të shumtë çamë! Urime popullit shqipar! E drejta vonon, po nuk harron!
– Me dt. 14/2/2016, shkova për t’i thënë mikut tim Gaz Demit se Partizani po ecën në drejtimin e duhur”. Shkova të uroja, po nuk e gjeta, këtë njeri kaq të gjindshëm. Po edhe kur nuk është ai, lokali shkon në drejtimin e duhur, se ka ca djem si kamarieri Teo apo Alqi, që të japin ujë në bisht të lugës. Medet që nuk pi më raki! Por, po I uroj, kështu sade: “Qofshi gjithnjë të lumtur njerëz të mirë, lumturi edhe në familjet tuaja. Dhe… mo sharroni drejtimin e duhur që do të thotë: Vendi i parë për Partizanin. Urime!
– Janë të rrallë (ose hiç) ata që e kanë zbërthyer misterin e një femre që ekspozohet dukshem, edhe në mënyren se si ecen ajo. Pyes: Këmbët janë muskuj dhe kocka që venë në lëvizje trupin, apo një poezi e pafund! Hajde gjeje! Dhe nuk dua ta gjej. Vetëm se kjo Antonela, këtu te “Raiffaisen Bank” (afër Gardës), jo vajzë korçare që më shërbeu, ka dy sy që më kujtojnë rininë time shumë të hershme. Kur, me gjithë motrat, punonim te fabrika e Salces. Dhe aty, ishte një Dhurata që nuk do ta harroj kurrë, kurrë. Për shumë e shumë gjëra, por edhe për sytë, që i kish tipike si ty Antonela. Faleminderit, moj korçare, që më zgjove ca kujtime aq të shtrenjta për mua. Ja, pra, këmbët ngjallin erotizem, sytë, kujtime. Faleminderit korçarke Antonela!
– Me atë ecjen tipike dhe trupin e bëshëm, të shoh, thuajse çdo mëngjes, andej nga liqeni miku im “at” Artur Zheji. Duket sikur plotëson një rutinë muskuare. Është një dashuri e fortë për jetën, edhe kur shfaqet me hapa të qetë dhe një pallto hedhur krahëve. Të uroj fort miku im. Të uroj në radhë të parë për fisnikërinë që nuk “bërtet”, por është e pranishme në çdo hap. Urime Turi!
– Kohët e fundit, marrëdhëniet tona janë ftohur disi, i dashur Pëllumb Salillari. Unë nuk u hyj analizave të tipit: “Pse”? Oh, sa lart jam unë nga këto. Dhe ti e di këtë. Siç di, se urimi im për atë mbikalim madhështor, që do shërojë qarkullimin te një nyjë e rëndësishme (Fabrika e Bukës, Shkolla Teknologjike e në vazhdim), ishte sa modest aq edhe i sinqertë. Paratë vërtet i kanë dhënë njerëzit që paguajnë taksa, po ty të ra fati të ndërtosh. Në këtë sens, unë të uroj ty dhe gjithë punëtorë e firmës “Salillari” që po punojnë me aq ritëm! Urime vërtet dhe të fala Znj. Afërdita.
– Jo një herë, më pyesin njerëzit se pse çdo ditë, mbaj në një qese plasmasi mbi 100 karamele dhe ua ndaj njerëzve! Para se ta shpjegoj, pyes: Po ata, pse i marrin? Pleq, të rinj, vajza, profesore, ish-oficerë, deputetë etj. etj. Gazetare, sidomos! Tani, për t’iu përgjigjur pyetjes: Them, se për fat, ashtu si te pak njerëz, brenda meje ruhet shumë prej aborigjenitetit shpirtëror të gjeneratave primitive të tokës, pasi ende e shoh njeriun si një krijesë plot mrekulli, plot naivitet, të dashuruar me diellin dhe hënën, me shumë se me kompjuterin apo politikën. Ndonjëherë pak të llastuar, po prapë shumë të mirëpritur me “kuverten” e shpirtit tim naiv. Ah, sikur të vdes naiv! Ja, ky ishte urimi që po i jap vetes!
– Për t’u habitur, jo, nuk u habita! Po për t’u kënaqur! Po! Po, që ministre të re të ekonomisë do të kemi Milva Ekonomin. Lus Zotin, mikja ime, oh sa e vjetër, të japësh më të mirën në këtë sfidë që rrallë gra e kanë provuar në Shqipëri. Të jesh ministre e ekonomisë, në Shqipërinë e reformave, që kanë edhe kosto sociale, nuk është njëlloj, ti të jesh, në një periudhë të qetë, të amullt. Prandaj, forca, dhe urime Milva! Je në drejtimin e duhur!
– E quajnë Erlind, këmbëngul Prof. Serveti, për ecurin e djalit të tij, që drejton tani Federatën tonë të Volejbollit. Duket si një lojë fjalësh. “I lindur nga era” ose “Era që lind” diçka. Në fakt është emri i një politikani dhe filozofi modern. Diku godet Servet Pëllumbi, edhe kur vjen puna tek emrat. Kurse unë, si shkrimtar, vazhdoj lojen e fjaleve dhe them: Ishallah, ka lindur një erë e re, edhe për volejbollin, i dashur Erlind! Urime!
– Sa kohë kisha pa të parë, miku im fisnik Lush Osmani! Po, ja tek u pamë, pranë zyrave të tua të vjetra. Po ai portret njerëzor, meditativ, me sytë plot dritë, edhe pse nuk je aq i ri. Madje, je disa herë gjysh. U kënaqa Lush. Mbeç ky që je edhe kur të bëhesh 100 vjeç. Puthi fort nipërit dhe mbesat, njeri i mrekullueshëm.
– Në perceptimin tim romantik, shpirtëror, shumicës së ndodhive të realitetit, apo që pashë të enjten dt. 21/02/2016, në rrugën mes Varietesë së Tiranës dhe Muzeut Historik, ishte në kufijtë e mrekullisë: Imagjinoni 10-12 makineri të rënda germimi transportimi etj. në një distancë as 100 metra. Në një distancë kaq të afërt, nuk kam parë asnjëherë në jetën time. Moderne, të mirëmbajtur. Të gjitha me mbishkrimin “Geci”. Dhe këtu ndalojmë pak: janë të firmës së mikut tim Ram Geci, që ka një formulë: Shpejtësi (Ritëm) Cilësi. Kështu po ndodh edhe në ndërtimin e Unazës së Vogël të Tiranës. Ata që duhet të uroj, duhet të jenë qytetarët e Tiranës, që shumë shpejt do të kenë një pamje të re. Apo jo, i dashur Ramë? Urime të gjithëve!