Nga unë Flamur Bërdëllima urime për ju:

– Para disa ditësh, pata një befasi kaq të këndshme, në mjediset e Magazines qendrore të ECO Market në autostradë. Njoha djalin e njërit prej miqve më të shtrenjtë të jetës time, djalin e Agron Dukes. Po ata sy, dhe sidomos po ai gëzim lodrues që Agroni e ka të veçantë në sy. Me shaka i thashë “Po e fus Sarën në frigorifer, për të qenë e freskët”. Po, përtej shakasë, ai më pëlqen, se nuk qe shef, po një punonjës normal, edhe pse djali i pronarit dhe pa dyshim që nuk ishte nga ata që llumërohen nga fjala “llum” nëpër pijetore, ditën dhe natën, demek për t’u shfaqur si trendi. Lus Zotin të mbetesh kështu, djali i mikut tim. Ruaje fort, mos të të humbë pasaporta “bio” e Mirësisë. Të përqafoj ty dhe Gonin!

– Shoqja ime e fëmijërisë Vera Dilaveri! Për secilin nga ne, ndodh që vijnë kohë dhe rrethana të çuditshme në këtë marrëdhënie të habitshme, të ngatërruar që e quaj Jetë! Po unë te sytë e saj (të zgjuar dhe të bukur) dalloj faktin, që ti nuk ligështohesh, qoftë edhe nga humbja e një njeriu të shtrenjtë. Ke forcë dhe besim të pathyeshem te jeta. Ke bindje të patundura në lumturinë e fëmijëve. Ah, sa të dua për këtë Vera, ty, shoqja ime e shtrenjtë. Të përqafoj!

– Më pëlqen shumë koncepti i gjerë që ke, i dashur miku im deputeti Xhemal Qefalia, për parandalimin e krimit. Pikërisht aty është “thembra e Akilit”: Parandalimi. Një proces jo vetëm i policisë, por edhe i shkollës. Një proces jo vetëm i prokurorisë dhe sidomos gjykatës, po edhe i burgjeve. Unë do thosha, edhe i sociologëve, psikologëve, shoqërisë civile. Pra, ndaj të njejtin mendim me ty, i dashur miku im. Të uroj që nuk përton t’i thuash edhe ne media, siç të pashë te Vizion +, për këtë problem. Të përqafoj dhe të fala Lymit, që e dua aq fort.

– Kam shkruar edhe më parë për stafin e artistëve të mëdhenj Anagnosti. Po 80 vjetori i Dhimitrit, më bën të heq kapelen. Si njeri, në radhë të parë. Gjithnjë e gjithnjë më pyet për Shpresën. Si ai, si Roza. Që ta them shkurt fare: I dua fort të dy. U bëfshi edhe nga njëqind vjeç. Ju përqafoj, takohemi te kafja jonë!

– Vajta të mbush telefonin, aty tek Telekomi. Më mirë, të mos kisha vajtur… Xheni quhej. Një super bjonde që më ringjalli nga herë Enkeledat e mia, gazetare ose jo. Dhe sa e sjellshme! Patjetër që ka qenë një shougërl. Dhe këtë e them unë, që jam “babai” i psikologjisë së femrës së bukur. Kështu thonë, të paktën. Unë për vete them atë që të thashë e dashur Xheni: Fat, po edhe shëndet, se të tjerat vijnë vetë! P.S. Edhe një gjë do ta them: Ku më gjen mua, mor Zot i madh, ku më gjen mua që jam i mbaruar pas bukurisë së femrave??! Apo “Jepi plako, jepi, po jepi fort ama”, si te libri im? Aferim atëherë!

– Dëgjimi i grupeve të interesit, aktorëve dhe faktorëve. Kjo ka qenë dukja jote i dashur Nikolin Jaka. Uroj të mbetet e tillë edhe tani që Dhoma e Tregtisë… do fuqizohet shumë. Mua më pëlqen fort sensi ynt i emërtimit, respektimi i vendimeve të Asamblesë, etj. etj. Je mirditor dhe s’ta ha qeni shkopin, thotë fjala. Po mbi të gjitha, më ngroh sensi yt human, për të ndihmuar njerëzit në nevojë, brenda mundësive. Je i “dënuar” të bësh vetëm mirë në këtë jetë. Kështu mbetsh. Më i lumtur, është ai që e bën nderin. Të përqafoj fort Niko, miku im fisnik!

– Rastësisht po lexoja “Maria Stjuartin” e Cvajgut, ku ka dy mbreteresha, si protagoniste. Po, ja BBF-ja na ofron nga ekrani një të tretë me kurorë në kokë, me suitë, me kolltuqe dhe kurorë në kokë, shenjë e forcës dhe e pushtetit. “Me u kthy” quhet kënga. Kush mund të ishte përveç Zajminës? Një klip mbi tank, një në helikopter. Makinat nuk diskutohen. Ja tani edhe kali. Këto janë ca zgjedhje regjisoriale, që ajo i bën me përkushtim. Po mua, historikisht me ngrohin ato që Zoti dhe prindërit i kanë dhënë. Dhe ajo, si shumica e këngëtareve, i afron plot bujari nga ekrani. Plot bujari, Zajmina Vasjari, arkitektja këngëtare, që i thith jetës edhe miligramin e fundit të nektarit. Jepi Zai, jepi, je në drejtimin e duhur! Urime ti, që të pashë vetëm në ekran dhe asnjëherë “dal vivo”!

– Të pashë kur fole, edhe në konsulten për sezonin turistik që po vjen, i dashur Zak Topuzi. Nuk e kapa të gjithën, se lajme qenë, po unë të njoh. E njoh mendimin tënd të lirë, të thjeshtë, ekonomik, argumentues. Njoh edhe optimizmin se, po, edhe Shqipëria do ketë atë atraksion turistik që meriton. Të përqafoj fort miku im, fjalëpak, punëshumë, Zak Topuzi. Mezi pres të pimë një kafe aty te hoteli i bukur “Mondial”. Të përqafoj!

– Uroj fort grupin nismëtar që i propozoi Presidentit të Republikës për t’i akorduar Agron Çobanit titullin “Mjeshter i Madh” (pas vdekjes)! Ja që ka në këtë botë ca njerëz që nuk harrohen kollaj. Agronin e dua si baba. Lus Zotin të më dëgjojë në Parajsë, se titulli ka bërë shumë të lumtur këtu në tokë, Lulin, bashkëshorten tënde, 2 fëmijët gjithashtu po edhe sa e sa të tjerë! I përshëndes të gjithë!

– I dashur Artan Dulaku! Më ngroh zemrën, prania e njerëzve si ti në Këshillin Ekonomik Kombëtar. Unë, kam vërejtjet e mia, si qytetar dhe si gazetar për të. Më duket disi vulberabel. Po, për fat, ka edhe njerëz si ti, që kanë çfarë të thonë dhe… e thonë. Nuk heshtin. Ky dimension i yti për të mos parë vetëm dhe vetëm punët e firmës, po edhe të shoqatës etj. ka një sens të admirueshëm. Të uroj fort suksese ngado dhe… Vazhdoj t’i qëndroj bindjes time. Adin e kam dobësi. Urime të dyve, në punë, familje, kudo.

– Ata që më folën për ty, i dashur Dukagjin, janë të dy doktorë shkencash në fushat e tyre. Për koinçidencë, të dy e kanë emrin: Fatos. Sa mirë kur vlerësohet kontributi i një fizikani të spikatur si ti, kur ti nuk je aty i pranishëm. Kjo më ngroh shumë, por më shumë më ngroh fakti që edhe pse i moshuar, disi, nuk i ndahesh liqenit bashkë me shoqen e jetës. Me atë kapelen republike që të shkon aq shumë dhe buzëqeshjen plot “ngarkesa pozitive”. Të uroj shumë lumturi, kosovari fisnik dhe fizikan i madh, Dukagjin Rexha!

– Pothuaj çdo muaj pi nga një kafe me mikun tim të vyer Doktorin e Shkencave Fatos Dega. Përveçse është bashkëshorti i një njeriu që unë e dua shumë, ai më kënaq me kujtesën e tij, me me mendjen e tij të freskët që është një “perpetum mobile”. Gjithnjë në punë dhe prapë punë. Kërkimore, shkencore. Po, kjo është një mrekulli. I dashur Fatos. Mendo të ishe bosh dhe të kruaje koken! Prandaj të uroj kaq fort njeri fisnik, Fatos Dega!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *