Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Për histori të tilla, mos shkrofsha më kurrë!

Unë kam jetuar, edhe pse isha djalë mësuesi, në kushte tepër të vështira, por ja që vjen koha vetë që i përvuajturi del në jetë, ose më mirë kujton, por nuk harron. Më kujtohen vitet 1957-1958 kur im atë merrte rrogën dhe, një herë në muaj më jepte një 10 lekësh për të blerë një pako biskota. Në fakt, unë, me dhjetëshen jeshile nuk blija biskotat, por blija ndonjë libër për moshën time, si: “Kupa Magjike”, “Guxo” (Mjeda), “Tenxhere magjike” etj. Edhe më parë, kur isha 6-7 vjeç, kujtoj, me një kokërr kumbull, nga ato të qullëtat (të verdha) kam ngrënë tri çapa bukë, saqë kur i tregoj ndonjërit, nuk e beson. Atë dëshiroj dhe unë. Kurrë mos e besofshin, kurrë mos e provofshin! Në fakt, në ato vite ishim pesë vëllezër, përveç prindërve dhe kohët ishin të vështira. Ishte viti i tretë i zisë së dytë kombëtare (1951-1953). Tepër, tepër të vështira, siç janë vitet edhe sot për disa familje. S’kemi ç’bëjmë, ky popull jemi, ku ai që të vret quhet trim!
Kështu, ngjarjet evoluan. Në vitin 1970, fillova punë si mësues në fshatin Çizmeli të Shijakut, fshati i burrave të mirë dhe i bujarisë. Fshat që prodhonte bostanin më të mirë, që kur e shitnin në treg, bërtitnin për cilësinë e tij: “Hajde bostan Çizmelie, hajde qarrs Çizmelie!” që ishte farë turke prej shumë e shumë vitesh dhe kultivohej në këtë fshat që nga themelimi i tij. Shijen këtij bostani patjetër ia jepte dheu.
Këtu, unë punoja në dy klasa kolektive, klasë të parë dhe të tretë. Problem kisha një nxënëse të klasës së parë që nuk vinte. Kjo ishte Siria, e cila vinte nga një familje tepër të varfër prej Eminasit të Vogël. Një ditë vendosa ta ndiqja për të parë përse nuk vinte në shkollë. Shoqet e saj më thanë që ishte tepër e varfër dhe nisej për në shkollë, por ndalonte të hante te fiqtë e kooperativës, sepse nuk kishte bukë në shtëpi. Hapte këllëfin (kështu quhej çanta e librave në ato vite) dhe prej andej nxirrte gjethe lakrash të egra apo edhe fije bari dhe hante aty. Një ditë e gjeta duke ngrënë dhe kur e pyeta se ç’po bënte ashtu, m’u përgjigj:
– Jemi në gjendje të varfër, shoku mësues…
Vura re që po dridhej dhe i përkëdhela kokën. Ia ngroha duart me avullin e gojës sime e i thashë me zemër të sëmbuar: – Sirie, ti duhet të vish përditë në shkollë.
Ajo ngriti sytë duke më parë dhe tundi kokën në shenjë pohimi: – Ëhë, do të vij! – pohoi me zë të ulët dhe fjala ime e ngrohtë, sikur e ngrohu më shumë. E afrova me dashuri pranë vetes dhe u ngroha edhe unë nga premtimi i saj se që të nesërmen, do të vinte në shkollë.
Kur arrita në shtëpi pasdite, e bisedova me nënën time historinë e kësaj vajze të vogël. Nëna ime e njihte familjen e saj se ishte bijë nga ai fshat… Që nga ai moment, çdo ditë, në bukën që më jepte me vete, nëna më vendoste më shumë, që t’i jepja edhe vajzës së vogël. Do s’do, bukën time unë e ndaja përgjysëm me nxënësen time, Sirien e klasës së parë.
“Por si shkuan punët?”, mund të pyesni ju. Siria filloi të vinte çdo ditë në shkollë dhe nisi të mësonte mirë. Filloi t’i mbushej fytyra me gjak. E kësaj i thonë, siç thoshte edhe nëna ime: “Më jep të ha, të ndihmoj me qa.” E me ju thënë të drejtën, nga ana psikologjike e jo vetëm pedagogjike, i kuptoja nxënësit në sy, me një të parë. Ishte dhuntia ime! Brenda në klasë isha mësues për ta, ndërsa në oborr isha prind i afërt, pa asnjë dallim. Edhe pse jam në pension, sot i kujtoj me dashuri, emër për emër, të gjithë nxënësit e mi, sepse kam kujtime të mira afërsie me ta. Kaluan vite e vite e kam pyetur për jetën e saj dhe më kanë thënë që jeton mirë me fëmijët e saj. Më bëhet zemra mal. Eh, kështu është jeta!
Pas shumë vitesh, më ra në sy një vajzë kopshti në shkollën 9-vjeçare të Shtrazës, ku isha mësues, gati-gati deri në fund të jetës sime si mësues deri në pension. Pashë këtu një vajzë që rrinte ulur në bordurën e jashtme të shkollës të ciklit të ulët. Ishte pothuajse tre vjeçe. Ishte jetime, se e ëma i kishte vdekur shpejt dhe kishte lënë këtë vajzë të vetme që jetonte të shtëpia e gjyshes nga ana e nënës, në këtë fshat.
Në pushim të madh të gjithë shkonin të blinin te tregtarët ambulantë që vinin nga qyteti i Shijakut në oborrin e shkollës. Kjo qëndronte e ulur. Të tjerët blinin. Unë e vura re 2-3 ditë qëndrimin e saj të njëjtë dhe vendosa që pothuajse çdo ditë të blija e t’i jepja nga një çokollatë apo një pako biskota për të ngrënë. Shokët e mi nuk ma miratuan për ca kohë veprimin tim, por punë e madhe! Vendimi im ishte i mirë. Kështu, Almës së vogël filloi t’i qeshte fytyra, se dikush e afronte si prind e ky ishte mësuesi, prindi i dytë. A nuk mund ta çoje mendjen te Luli i vocërr, që ka jetuar në Shqipëri e në gjithë botën që pas ndarjes me Mesjetën? Pa hyrë në klasë të parë, Alma e vogël shkoi në atë botë, nga një sëmundje gjaku…
Por dhimbja vazhdon… Pas shuarjes së kësaj degëze të njomë, dola në pension dhe kohë pas kohe, tek shkoja për të pirë një kafe, buzë rrugës, shoh, pothuajse një moshatarin tim, të ulur në një stol, të cilin e kam pasur edhe shok në klasën e parë. Qëndron i mendueshëm, i varfër në kulm dhe unë vendosa që çdo ditë t’i plotësoja të paktën bukën e mëngjesit. Kështu, po bëhen dy vjet që i jap në dorë çdo mëngjes një simite për të ngrënë. Punë e madhe! Ai jeton me ndihmën time e mua më ndihmon i Madhi Zot në emër të atij. Ahmeti, kështu quhet, është i vetmuar, gruaja i ka vdekur, vajzat janë të martuara, djali i vetëm është pa punë, ndriçimin ia kanë hequr se nuk ka para për të paguar dhe për të ngrënë. Dikush i jep një cigare kur e përshëndet në rrugë; dikush tjetër i thotë: “E Meto, mirë je?” dhe largohet duke i thënë: “Edhe kështu s’ke ç’e do jetën!”.
Eh, ore lexues, kur thonte nëna ime: “Vërtet s’ke ç’e do jetën kështu, por me fustan nuk shkohet në varr.”
Hallall çdo gjë prej meje!
Lind pyetja: “Po shteti, ç’bën për këto njerëz, për këto familje?”
Le ta lëmë Migjenin, që edhe pse ishte poet kombëtar, që nuk i vjen më këtij vendi, edhe pse ishte i hyrë në pavdekësi, ku dy sistemet e sotme të përziera apo të ndara veç e veç e quajtën komunist e sot ndoshta përsëri komunist.
Pse e quajnë kështu, do thoni ju? Patjetër që dihet. Ai thonte gjithmonë të vërtetën dhe dihet që e vërteta të çjerr maskën. Apo mos vallë para tij duhet ndëshkuar si komunist edhe Ezopi i madh, që thoshte: “Ne varim hajdutët e vegjël dhe i takojmë të mëdhenjtë në zyra.”?!
Megjithatë, në emër të Zotit, njeriu duhet të jetojë. Ah, sa mirë do të ishte që populli shqiptar të jetonte si populli i Singaporit, ku njerëzit të jetonin të lumtur e të mos shikonin rrugëve nëpër shkolla a televizion vuajtjet e mjerueshme, as Sirien, as Almën, as Ahmetin e të tjerë si këta. As ndonjë tjetër që vjedh për të siguruar bukën e gojës dhe përfundon në burg.
Megjithatë, çdo ditë kur shoh nëna të vjetra me fëmijë të vegjël në prehër, do s’do e fus dorën në xhep dhe nxjerr një dyqindlekësh të vjetër duke i thënë: “Blije një simite për të ngënë” dhe vazhdoj rrugën i menduar…
Për histori të tilla, mos shkrofsha më kurrë!

Mustafai nga Shijaku

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Zoti dhe parajsa

Next Post

Armend Sherifi: Kur bukuria është në nivelin e duhur...

Advertisement