– Po ju shkruaj për një problem timin mbase i pazakontë në letrat tuaja, por ja që mua më mundon shumë dhe nuk dija kujt t’ia thoja. Jam e martuar prej 4 vjetësh, e dua dhe bashkëshorti im më do, për këtë jam e sigurt. Unë jam 28 vjeçe dhe ai është 34 vjeç. Ka disa muaj që kur flemë gjumë, ai përmend emra femrash. Me thënë të drejtën, kjo gjë më ka tronditur shumë, sepse mendja më shkoi te tradhtia. Në fillim bëra sikur nuk i dëgjoja dhe nuk i thashë gjë, por më pas në kafe i thashë që “ti përmend emra femrash” dhe ai, i habitur, hapi sytë dhe më tha: “Mos je çmendur?”. Kam frikë se mos ka dashnore. Ai mu betua duke më thënë se nuk ka asnjë femër në jetën e tij përveç meje, por hajt ma mbush mendjen mua. Ju si e shikoni këtë gjë, si e kuptoni?
Borana Marku, psikologe: – E nderuar zonjë, e kuptoj shqetësimin tuaj. Çdo femër do të mërzitej në një situatë të tillë; kjo është normale, por unë do t’ju këshilloja të mos brengoseni kaq shumë, pasi mund të jenë edhe emra personash që ai takon gjatë ditës në punë, në jetën që bën. Nëse ai punon në administratë apo ku di unë, mund të jenë edhe koleget e tij, ose ndonjë shoqe, mund të jenë dhe emra të panjohur që i shfaqen vetvetiu atij dhe i përmend, por që janë gjëra pa rendësi mendoj unë. U ndodh shumë personave që të përmendin emra në gjumë, por kjo s’do të thotë të kenë patjetër lidhje me një person të caktuar. Ju thoni se përmend shumë emra, nuk besoj që ai të ketë lidhje me kaq shumë femra! Do të ishte shqetësuese nëse ai vazhdimisht përmend të njëjtin emër…
– Janë sjellje të tjera ato që mund t’ju lënë vend për dyshim. Shikoni sjelljen e tij në realitet, a ka ndryshuar ndonjë në sjelljen e tij ndaj jush, në përgjegjësinë që ka ndaj familjes. Nëse ka ndryshuar diçka edhe në jetën e përditshme, atëherë mund të shqetësoheni me të vërtetë, por përsa i përket përmendjes së emrave në gjumë, nuk më duket diçka për t’u shqetësuar. Qëndroni e qetë, sepse mund të krijoni probleme, ndërkohë që nuk keni. Nuk mund ta akuzoni për këtë gjë, duke qenë se bëhet fjalë për kohën kur ai fle. Njeriu në gjumë mund të bëjë çdo gjë në mënyrë të pandërgjegjshme. Janë shenja të tjera ato që të bëjnë të mendosh tradhtinë. Nëse keni probleme në krevat, në jetën e përditshme atëherë po që mund ta shikoni me sy tjetër, të bisedoni hapur me të se çfarë ka që nuk shkon dhe të mundoheni të rregulloni marrëdhënien tuaj. Ndërsa për emrat nëse vazhdon ende t’ju shqetësojë ky fakt, shikoni mos ka patur debate me kolegët e punës, sepse është e shpjegueshme, normale dhe e vërtetuar gjithashtu se kur përmend emra në krevat gjatë gjumit, personi është i shqetësuar për diçka ose ka kaluar ndonjë stres në punë, në jetën e perditshme etj. Ndaj, qetësohuni.