– Përshëndetje Gjetan! Këtë shenjën në ballë e ke “dhuratë” nga ndeshja e fundit?

– Po. (Qesh) Është normale, jam mësuar me këto dhe jo vetëm që nuk mërzitem, po edhe kënaqem ndonjëherë kur i shoh. Unë jam tip që lëviz në ring, ndaj marr e jap shumë shenja.

– Po më duket pak e çuditshme të të shoh kaq të qetë, pasi të kam parë të boksosh në ring…

– (Buzëqesh) Unë bëj një jetë normale, si gjithë të tjerët dhe mendoj se, mbi të gjitha, njeriu duhet të jetë njeri. Nga ana tjetër, sporti të heq të gjitha energjitë negative. Falë sportit dhe vështirësive që më kanë ardhur me të, kam fituar besimin në vetvete dhe jam më i hapur e më i qetë. Tani, edhe sikur dikush të ma bëjë një çikë borxh, them “okej, s’ka problem”.

– Ismaili, ti, Feriti… Në fisin tuaj, të gjithë boksierë jeni?

– Po, e nisi Ismaili dhe po e ndjekin edhe të tjerë që thonë se duan të bëhen si ai. Kjo është kënaqësi e madhe. Ismaili ka qenë idhull për mua dhe gjithmonë kam dashur të ndjek hapat e tij.  Ne shqiptarëve na pëlqen t’i përdorim duart në boks, por në Bulqizë kjo ishte e pamundur. Kur shkova në Greqi kisha mundësi të merresha vetëm me kikboks, ama boksin e kisha në gjak…

– Pas njëzet e tre ndeshjesh, ti numëron 20 fitore, e fundit ndër të cilat qe ajo në “Asllan Rusi”. Duket sikur për ty është normale të fitosh…

– Jo, nuk është normale, se unë e kam provu edhe humbjen (buzëqesh), por ky ishte një hap përpara për të arritur ato maja që dua, si kampion bote. Për këtë titull jam i gatshëm të sfidoj këdo që të më dalë përpara.

– Titullin botëror e synon për ngjyrat e flamurit tonë?

– Unë e kam të drejtën që kur të ndeshem në Gjermani, të mbroj shtetin gjerman, sepse ishte ai që m’i dha mundësitë për të sjellë në Shqipëri këtë sukses, por normale që unë jam shqiptar dhe këtë e kam nënvizuar gjithmonë. Edhe tatuazhin e Skënderbeut në krah e kam bërë që sapo të më shohin, njerëzit ta mësojnë se jam shqiptar. Në Shqipëri, mbroj ngjyrat e flamurit tim. Për këtë arsye nuk e kam marrë pasaportën gjermane, sepse nëse do ta kisha, duhet të luaja automatikisht për atë vend.

– Vazhdon të jesh patriot edhe pasi shumë shqiptarë kanë filluar të zhgënjehen nga shqiptarët?

– Unë besoj se një njeri që mohon vendin e vet, kurrë në jetën e tij s’ka për të arritur asgjë.

– Turku hyri në ring duke u mbrojtur. Mendon se ishte një teknikë, apo qe i  frikësuar nga personi që kishte përballë?

– Nuk mund të them kurrë që frikësohet një boksier në ring, sepse është respekt edhe të arrish deri te ringu, aty ku zemra rreh ndryshe. Mendoj se i tillë ishte stili i tij. Një grusht mund të ndajë çdo ndeshje dhe, meqenëse unë boksoj si Majk Tajsoni, besoj se taktika e tij ishte të më lodhte në raundet e para që të më binte rezistenca dhe të më mundte në raundet e fundit, por shkoi ndryshe sepse unë e ruaj qetësinë dhe isha stërvitur jo për 6, por edhe për 12 raunde. Pastaj, unë do të boksoja para një publiku si yni, që më jep më shumë forcë dhe isha stërvitur pesë herë më shumë për një boksier tjetër me të cilin do të bëja një luftë të vërtetë. Për shkak të ndërrimit të boksierit m’u desh që për dy ditë të ndryshoja taktikën.

– A është e lodhshme për familjen të ketë një boksier në shtëpi?

– Shumë e lodhshme… Unë i kam hyrë kësaj pune dhe, pas fitores, e shijoj kur njerëzit më vlerësojnë, më përgëzojnë e më respektojnë, kur u jap diçka atyre gëzohem aq shumë sa… ama për mamin tim, për shembull është shumë e lodhshme; ajo nuk e ndez televizorin dhe nuk mund të më shohë kurrë kur ndeshem. Babai gjithashtu e ka të rëndë… Është shumë e rëndë për çdo prind të shohë fëmijën e tij duke u rrahur… Unë nuk jam bërë prind akoma dhe nuk e di se si do të jetë, por megjithëse sportin ia uroj gjithkujt, boksimi është sport i rëndë.

– Mund të ketë një boksier profesionist një jetë tjetër profesionale?

– Është shumë e vështirë të bësh dy punë. Për shembull, këta tre muaj muaj për mua kanë qenë vetëm stërvitje-pushim-stërvitje. Jam sëtrvitur 5-6 orë në ditë. Po të kisha një punë tjetër, do të bëja gjysmën e kësaj që kam bërë…

– A mendon ndonjëherë se do të kishte qenë më mirë të kishe ndjekur një rrugë tjetër në jetë?

– E mendoj shpesh, por kur kam sukses, them se më mirë që kam ndjekur këtë rrugë. E kam patur ëndërr që i vogël… Zoti i madh ma plotësoi dëshirën dhe e bëra ëndrrën time realitet.

– Çfarë ndryshimi ka publiku i herës së fundit me publikun në përgjithësi?

– Unë jam ndeshur këtu në 2007-ën, në 2014-ën dhe ndihem shumë i fortë mes publikut shqiptar. Këtë ndjesi e kam lidhur gjithmonë me shprehjen se shqiponja nuk mund të fluturojë pa krahë… Kur mendoj se mund të futet në ring publiku shqiptar, jam krejt ndryshe, tjetër njeri. Dua t’i përshëndes të gjithë shqiptarët që më mbështesin, njerëzit që më shkruajnë e më respektojnë dhe sa të jem në karrierë, do të jap gjithmonë maksimumin që t’i nderoj e ta ngre lart e më lart emrin tonë shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *