Dr. Memo Boci, specialist i HIV-AIDS
Blerina Çizmja: – Doktor, kohët e fundit në internet po qarkullojnë lajme për injektim të virusit HIV te bananet dhe njerëzit janë shumë të shqetësuar. A është e mundur të ndodhë kjo?
Dr. Memo Boci: – Dëgjo, virusi ka një emër, quhet virusi i pamjaftueshmërisë imunitare njerëzore (Virusi i Imunodefiçencës Humane). Kjo do të thotë se, që një qelizë virale të jetë injektuar për të infektuar të tjerët, kërkohen disa rrethana. E para, rruga e marrjes, e dyta, koha e marrjes dhe e treta, sasia e marrjes, përqendrimi, siç e quajmë ne. Rrugët e njohura të transmetimit të HIV-it janë këto: marrëdhëniet seksuale (vaginale, anale apo orale sepse janë vende ku trupi ka mukozë), nëpërmjet gjakut dhe nëpërmjet ushqyerjes së foshnjes me gji. Injektimi direkt në gjak i një lëngu që përmban virusin HIV, është mundësia më e madhe për t’u infektuar.
– Po thoni se nuk ekziston mundësia e infektimit me anë të të ushqyerit me një ushqim të infektuar me HIV?
– Nuk ka të dhëna që njerëzit të jenë infektuar me anë të të ushqyerit, me përjashtim të ushqyerjes me gji të fëmijëve të porsalindur, kur nëna është e infektuar me HIV dhe ku mundësia e infektimit është afërsisht 30%, pra, më e vogël sesa në të dyja rrugët e tjera që folëm më lart.
– Pra, nëse vërtet, siç thuhet, në treg ka fruta të cilëve u është injektuar virusi HIV…
– Në radhë të parë nuk qëndron çështja e injektimit të frutit sepse nuk përmbushen rrethanat për të cilat folëm, sasia. Nuk mund të blesh një banane që të jetë e ngjeshur me virusin HIV, pasi që të jetojë, mikrobi do qelizën njerëzore dhe nuk mund të jetojë te një frut.
– Sa kohë mund të jetojë mikrobi jashtë trupit të njeriut?
– Nga 2-24 orë, por kjo varet ku qëndron sepse po ta lësh në tavolinë, për shembull, nuk reziston. Nëse mikrobet e tjera asgjësohen në temperaturë 100-120 gradë, virusi HIV fillon të shpërbëhet që në 60 gradë, pavarësisht se garancia jepet kur kalon temperatura e vlimit.
– Ka nga ata që besojnë në teoritë e konspiracionit, ndaj më duhet t’ju pyes: Nuk mund të ndodhë që virusi të jetë i përgatitur në mënyrë laboratorike që t’i rezistojë një ambienti tjetër, veç trupit të njeriut?
– Dëgjo, se çfarë përpunimesh të tilla mund të bëhen nga agjentura të ndryshme, këtë unë nuk mund ta them, sepse duhen të dhëna shkencore që të flasim. Ne flasim në bazë të asaj që kemi sot për sot. Nëse një laborator rrit, bie fjala, rezistencën e këtij virusi në shkallë superiore, këto janë diversione, nuk janë punime shkencore, por në rrugët e njohura, kjo nuk është e mundur. Ajo që ne dimë është që çdo pjesë e trupit të njeriut në sipërfaqe që është e dëmtuar, pra ku është prishur thellësia e lëkurës dhe është gjakosur, krijon mundësinë për t’u infektuar. Duhet prania e gjakut, e lëngut vaginal dhe e spermës që të marrësh infeksionin.
– Po nëpërmjet puthjes?
– Nëpërmjet puthjeve dhe ledhatimeve të zakonshme, virusi nuk transmetohet, por në rast se kemi puthje me gjakosje, mundësia e infektimit, megjithëse është e vogël, ekziston.
– Deri më sot, nuk kemi parë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të jetë prononcuar për çështjen e infektimit të frutave. Ju, që jeni më afër përditësimeve të kësaj fushe, mund të na thoni nëse ka patur ndonjë deklaratë së fundmi për këtë çështje?
– OBSH-ja i ka quajtur të sakta ato rrugë të marrjes së infeksionit që unë përmenda më lart. Të tjerat janë spekullime. Përhapja e këtyre thashethemeve mund të bëhet për qëllime tregtare ose të tjera, që nuk na përkasin neve. Përderisa virusi ka këtë emërtim dhe nuk ka dalë një tjetër, nuk është e mundur që përhapja e virusit të bëhet nëse nuk është në mes njeriu, qeliza. Virusi strehohet te qeliza njerëzore; aty fle, aty shumëzohet dhe me atë infektohet.
– Çfarë e shkatërron virusin HIV?
– Temperatura, lëndët kimike dezinfektante, uji i oksigjenuar, alkooli, jodi… Nëse i kemi duart e pambrojtura dhe na janë ndotur me lëndë që dyshohet se kanë përmbajtje virusi, një larje e thjeshtë me ujë e sapun dhe dezinfektimi me dezinfektant, garanton që duart nuk janë të infektuara, gjithmonë nëse lëkura nuk është e dëmtuar.
– Mendoni se shoqëria jonë është edukuar mjaftueshëm për rrugët e transmetimit të virusit dhe për mbrojtjen ndaj tij?
– Asnjëherë. Profesor Luk Montanje që është një nga zbuluesit e virusit, në në kopertinën e pasme të revistës së tij të përmuajshme “Fakte dhe shpresa” ka një shprehje: “Themi që kemi botuar shumë libra, revista, kemi dhënë informacione në radio e në televizion, ndërkohë që s’kemi bërë asgjë. Ta përsërisim, ta përsërisim, ta përsërisim informacionin, që të mos e lëmë popullin të vdesë nga injoranca”. Kur këtë e thotë Montanje, që ka përgatitur kuadro të kësaj fushe nga e gjithë bota, ç’mbetet për ne veçse ta përsërisim informacionin, në mënyrë që ai të jetë i mjaftueshëm, aktual dhe i pranueshëm nga njerëzit?!
– A po bëhet mjaftueshëm në Shqipëri për edukimin e brezit të ri?
– Ka përmirësime, por jo mjaftueshëm. Unë jam marrë me këtë punë që prej 30 vjetësh, pa ardhur ende virusi këtu dhe mund të them se në rrugën që është ndjekur, ka shumë përmirësime. Fillimisht, si specialistë dhe si shoqata STOP AIDS, ne kemi dhënë leksione në shkolla. Dallimi ynë nga vendet e tjera është se e kemi dhënë informacionin para se të na vinin rastet, sepse përfituam nga eksperiencat e vendeve të tjera dhe nga izolimi ynë. Kur filloi emigracioni masiv shqiptar, unë po jepja një leksion në Paris dhe kam thënë para auditorit se deri tani nuk kemi asnjë rast, por “SIDA po na troket në derë”. Këtu më lindi ideja për të nxjerrë broshurën e parë me këtë titull. Pozitivja është se pavarësisht se prindërit fillimisht nuk ishin dakord për futjen e lëndës së edukimit seksual në shkolla, vetë nxënësit e kanë pritur shumë mirë informacionin. E rëndësishme është që njeriu ta marrë informacionin në kohën e duhur, por akoma më e rëndësishme është që t’ia japësh atë të saktë. Prandaj unë e them gjithmonë se është më mirë të japësh një mesazh më pak, sesa të japësh një mesazh të gabuar.
– Ku duhet të drejtohet një person për të bërë analizën e HIV-AIDS-it?
– Në Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe dhe, nëse nuk do që ta bëjë në rrethin e tij, vjen në Institutin e Shëndetit Publik, ku e kemi përqendruar tashmë analizën. Shqipëria ka dy laboratorë reference, një në institut dhe një në spitalin 4, por spitali ka patur edhe ndryshime kuadrosh, ndërsa instituti është i qëndrueshëm, me një personel mjaft të kualifikuar dhe me metoda ekzaminimi shumë të sakta.
– Nëse dikush që do të bëjë analizën, kërkon të mos indektifikohet me emrin e vet, është e mundur kjo, apo duhet të japë patjetër emrin e vërtetë?
– Ai mund të mos e thotë emrin e vet, por nuk ka të drejtë të thotë emrin e një tjetri, prandaj ne i kemi dhënë të drejtën e kodit. Personi përcakton një kod disashifror, e shënojmë edhe ne në regjistër dhe me këtë kod, ai bën analizën dhe merr përgjigjen, pa qenë nevoja të thotë emrin. Sipas procedurës, bëhet një analizë sot, një pas dy muajsh dhe një pas gjashtë muajsh dhe mbyllet cikli. Nëse ka dalë negativ, përjashtohet mundësia e infektimit të tij nga kjo ngjarje që ka referuar (për shembull, nga një marrëdhënie seksuale e pambrojtur), por pas çdo ngjarjeje rreziku, analiza fillon nga e para.
– Marrëdhëniet seksuale janë mënyra më e shpeshtë e transmetimit të virusit?
– Te ne, po sepse ne, fatmirësisht, e kemi shmangur përhapjen e virusit nëpërmjet transfuzionit të gjakut. Unë me një grup mjekësh vumë një rregull që para se t’i merret gjak një personi, bëhet analiza dhe gjaku vihet në ruajtje. Kur laboratori jep përgjigje dhe eleminon mundësinë e prekjes së këtij personi nga hepatiti B e C, sifilizi dhe nga virusi HIV, atëhere gjaku mund të përdoret.
– Si jeni të sigurt se ky rregull respektohet?
– Sigurisht që respektohet se nuk ka shaka në këtë punë, për këtë hidhesh në gjyq. Procedurat janë të sakta, ka teste të shpejta dhe personeli nuk të lë të japësh gjak nëse nuk ka dalë negative analiza e bërë. Është fat për ne që e kemi shmangur infektimin me gjak dhe nuk ka patur raste të infektimit në spitale.
– Po te dentisti?
– Ne s’kemi asnjë rast të infektuar te dentisti, bile kemi shmangur fatmirësisht edhe shpërthimet në vende ku ka kolektivitet, në shkollë të mesme, në kazerma, në burgje, në saje të informacioneve të dhëna vazhdimisht. Ky ka qenë suksesi ynë, krahasuar me vende të tjera. Në një vend balltik pati raste të rralla të HIV-AIDS për 40 vjet, por ndodhi një shpërthim në burg ku në një periudhë të shkurtër u infektuan 300 vetë dhe e përmbysën rezultatin.
– Doktor, më tregoni një ngjarje që ju ka mbetur në mendje nga rastet që njihni…
– Ka qenë një rast kur HIV-in e kishte burri dhe ne ndërhymë në kohë që të mos infektohej gruaja. Një djalë që kishte qenë shumë kohë emigrant në Greqi erdhi për të më kërkuar të bindja të shoqen të ndahej nga ai, pasi ai ishte i infektuar me HIV dhe ajo nuk pranonte të ndahej. Bisedova me të shoqen, sigurisht, jo duke i thënë të ndahej nga burri, por duke i treguar si të mbrohej nga burri. Ata bashkëjetuan për tetë vjet me radhë derisa ai vdiq dhe ajo nuk u infektua, vetëm falë informacionit që mori për t’u mbrojtur. Pasi kaluan disa vite, ajo erdhi të bënte një analizë sepse ishte e re dhe donte të martohej, por më tha se “s’dua të bëhem pjesë e fatkeqësisë së një tjetri”. Analiza rezultoi negative, ajo ishte e pastër dhe ne thamë se tashmë e kishim bërë punën tonë. “Do t’i shërbej deri në fund”, tha dhe kështu bëri, i shërbeu deri në minutën e fundit në spital, ku habiteshin edhe mjekët me përkushtimin e saj. Janë të rrallë njerëz të tillë…
– Ku shtrohen ata që janë të prekur nga kjo sëmundje?
– Në Spitalin 4, apo siç quhet ndryshe, Spitali Infektiv, një nga arritjet më të mëdha të të cilit është që vrau frikën, sepse këta njerëz nuk i afronin në spital me frikën e infektimit, ndërkohë që në pozicione të tilla, s’ka asnjëherë probleme infektimi.
– Doktor, ju falënderoj për intervistën. Keni diçka për ta shtuar në fund?
– Po, dua të theksoj se informacioni duhet dhënë vazhdimisht dhe kudo, pasi ai merret dhe vlerësohet në çdo moment.