Nëse ulesh të bisedosh me këngëtare si Blerina Matraku, koha bëhet vetëm një nocion, sepse mund të rrish me orë të tëra ta dëgjosh teksa flet për gjithçka, për artin, për të bukurën, për pozitiven, për jetën dhe për dashurinë. Ajo është tërheqëse, elegante dhe paksa çapkëne në skenë, ndërsa mjaft e thjeshtë, në jetën e përditshme…
Fabjola Kuburi: – Blerina, publikun e ka marrë kaq shumë malli për ty! Si do ta rifitosh kohën e humbur?
Blerina Matraku: – Me nivelin artistik që do të sjell në këngët dhe në klipet e mia të reja. Të them të vërtetën, jam në punë e sipër për një këngë dhe një klip shumë të bukur, ritmik dhe goxha interesant. Uroj ta mbush siç duhet mungesën time. (Buzëqesh)
– Çfarë kërkon nga Blerina publiku para të cilit këndon pothuasje çdo natë?
– Unë, thjesht këndoj me gjithë zemër. Unë e di që publiku këtë do, të këndoj me shpirt, me dashuri, të këndoj vërtet, të humbas në këngë, të vallëzoj me këngën.
– Me çfarë do të doje ta sfidoje veten artistikisht e profesionalisht?
– Me baletin, e kam passion të hershëm.
– Je mërzitur ndonjëherë duke kënduar?
– Akoma jo dhe nuk besoj se do të mërzitem ndonjëherë.
– Si nis ideja e një kënge e më pas, e një klipi për ty?
– Frymëzohesh nga një tekst, nga një melodi, një muzikë… Çdo artist ka muzën e tij që e frymëzon dhe mbi të cilën jetëson krijimin e tij. Unë kam Kris Braunin… Është pak hip-hop, por mua më pëlqen dhe më frymëzon goxha; frymëzohem nga vokalet e bukura.
– Ka ndonjë kompozitor shqiptar me të cilin nuk ke patur mundësinë të punosh, por që do të doje të punoje?
– Do të doja të punoja me Flor Mumajesin.
– Një këngë që nuk është për shijen tënde…
– Një këngë që nuk është kënduar bukur.
– Një talent tjetër me të cilin je bekuar, veç këngës…
– Të mbaj dieta. (Qesh) Gjithçka që ka të bëjë me muzikën e me këngën; nuk di të kem ndonjë talent tjetër.
– Kënga më me vlerë shpirtërore që ke realizuar deri më tani?
– “Paris” është kënga më e bukur, nuk mendon edhe ti kështu?! (Buzëqesh)
– Një gjë për të cilën ke qenë konfuze gjatë karrierës tënde muzikore?
– Të jesh apo të mos jesh, të zhvishesh apo të mos zhvishesh?! (Qesh)
– Emocionon më shumë një zë që i flet veshit apo një pamje që i flet syrit?
– Sigurisht që një zë që i flet veshit, edhe pse tani gjërat shkojnë paralelisht. Unë nuk jam kundër pamjes që i flet syrit, por thjesht, të mos jetë vulgare. Ka ardhur koha edhe për sytë, sepse normalisht duhet të përshtatemi me ndryshimet, por gjithmonë larg vulgaritetit.
– Me çfarë e ka edukuar shpirtin Blerina?
– Unë jetoj me një lloj vizioni që ka të bëjë me energjinë pozitive, sepse mendjemadhësia nuk të shpie askund, përveçse tregohesh arrogante. Pozitivja është e mrekullueshme. Thjeshtësia është e bukur, jo thjeshtësi sepse nuk di, por thjeshtësi sepse të jesh i thjeshtë, je edhe i kompletuar, që të mos ngatërrohemi te kjo pjesë. (Buzëqesh)
– Për cilat prej arsyeve mendon se natyra na do të jemi vetë i dytë në botë?
– Unë nuk gjej asnjë lloj arsyeje për momentin, sepse nuk jam akoma vetë i dytë. (Buzëqesh)
– Vërtet?
– Kam qenë disa herë, por për momentin jo, sepse nuk jam Ave Maria, por sepse kam menduar gjithmonë se është çështje energjie, shkëmbim energjish mes dy njerëzve që kanë alkimi me njëri-tjetrin.
– Çfarë është dashuria në sytë dhe në mendjen tënde?
– Dashuria është një kompleks gjërash, është kujdes, përkushtim, jo çështje interesi, edhe pse nuk përjashtohet. Është diçka që ti mund ta krahasosh me vetë ekzistencën tënde.
– Në duart e kujt do ta lije me kënaqësi zërin tënd?
– Në duart e Zotit.
– Në ç’pikë do të doje të përsoseshe akoma?
– Në performancë. Jo se gjej shumë gabime, por gjithmonë kërkoj më të mirën.
– Je më e prirur të kapësh cilësitë e mira apo të këqija të të tjerëve?
– Ndoshta i kap edhe të këqijat, por nuk ua përmend. (Buzëqesh) Jetoj me energji pozitive, prandaj jam e prirur të kap cilësitë e mira të njerëzve.
– Këshilla më e mirë që të kanë dhënë…
– Mos ndrysho!
– Një kujtim i ëmbël fëmijërie…
– Kaçurrelat, që sa herë m’i prisnin, bëhesha keq dhe ndihesha e pakompletuar.
– Çfarë quan ti një punë të mbaruar tamam?
– Duhet kapur çdo pikë e çështjes, çdo detaj. Unë jam shumë detajiste dhe i dua gjërat e kompletuara deri në pikën e fundit.
– Çfarë duhet të të kenë zili ty?
– Jam natyrë e thjeshtë dhe natyrë “çuni”. Mundohem të jem vetvetja, edhe pse nuk besoj se kjo është për t’u patur zili…
– I ruan gjërat e tua apo i dhuron sapo e shikon që nuk të pëlqejnë më?
– Zakonisht, dhuroj edhe diçka që më pëlqen, por që i pëlqen edhe dikujt tjetër. (Buzëqesh)
– Përveç alarmit, çfarë të zgjon në mëngjes për të filluar një ditë të re?
– Mëngjesi im nis shumë vonë, për shkak të angazhimeve në mbrëmjet ku këndoj, por është palestra ajo që më kujton se duhet të zgjohem.
– Çfarë ke bërë mbrëmë?
– Mbrëmë isha me dietë, por kam ngrënë më shumë se ç’duhet. (Qesh)
– Sa kohë të duhet që të mësohesh me ndryshimet?
– Përshtatem shumë shpejt.
– Nëse vjen në shtëpinë tënde, çfarë ambienti të pret?
– Një ambient i pastër, i qetë, i ngrohtë, shtëpi, me pak fjalë.
– Hera e fundit që të ka munguar përqafimi i prindërve?
– Jam vazhdimisht në përqafim me ta, janë njerëzit e mi më të shtrenjtë dhe nuk dua kurrsesi të më mungojë përqafimi i tyre.
– Për kë të merr malli më shpesh?
– Për vëllain që e kam jashtë, por falë Zotit, më vjen shumë shpesh.
– Ndër udhëtimet e tua si stjuardesë, cilin do konsideroje si më të bukurin?
– Udhëtimin e fundit si stjuardesë në Romë. Një person vonoi fluturimin vetëm se donte të më jepte numrin e telefonit. Numrin e kishte shënuar në një dokument të rëndësishëm në aeroport, kështu që na u desh ta ridërgonim nga kulla e kontrollit. (Qesh)
– Ushqimi ndaj të cilit ke krijuar varësi së fundi?
– Rukola.
– E konsideron veten një femër të fortë?
– Unë jam një femër e fortë. Dukem e brishtë, por jam shumë e fortë.
– Çfarë nuk harron kurrë të marrësh me vete para se të dalësh nga shtëpia?
– Parfumin nuk e harroj asnjëherë.
– Çfarë këngësh gjen në CD-në e makinës tënde?
– Për momentin nuk funksionon CD reader-i në makinë, por zakonisht, muzikë franceze. (Qesh)
– Si do ta nisësh ditën nesër?
– Me palestër, sport. Sporti ma rregullon ditën.
– Si do të doje ta mbyllje intervistën?
– Kam një mesazh… U uroj të gjithëve energji pozitive sepse gjithçka që është nisur do bëhet. Kolegëve të mi u uroj suksese pa fund, dua të jenë sa më shumë këngë me nivel. Jini pozitivë dhe do t’i shikoni hajrin! (Buzëqesh)