Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Bjondi që ra në dashuri me arixheshkën e bukur

Vite më parë në Elbasan…

Një djalë i bukur bjond, prindërit e të cilit punonin nëna shitëse në një ushqimore, ndërsa i ati oficer te burgjet në Kosovë të Elbasanit, humbet dhe shpallet në kërkim nga organet e rendit. Unë kisha shkuar për vizitë në Elbasan dhe gjeta në shtëpinë e djalit shokë e miq të familjes, punonjës të Degës së Punëve të Brendshme të Elbasanit e të tjerë. “Ka plot njëzet ditë, thoshte e ëma, që ka humbur dhe nuk ka asnjë gjurmë”. “Nuk kemi as shkelje kufiri dhe as ndonjë krim që mund të jetë bërë”, thoshte kryetari i Degës së Brendshme, G.H. “Mirë, u thashë, se për një javë e gjej unë, është i vdekur, i arratisur apo i gjallë”. “Po hë, na e gjej ti, tha kryetari i Degës, na thuaj çfarë të duhet, që t’i plotësojmë” dhe ndërkohë, urdhëroi të më jepnin një autorizim në emër të Degës së Brendshme, për ta përdorur në rast nevoje. Mbasi mora të dhënat se ku punonte, me kë kishte shoqëri, çfarë i pëlqente më shumë e të tjera, mësova se ai ishte dashuruar me një arixheshkë, apo rome, siç i thonë sot. Vajza ishte e komandantit të arixhinjve të Elbasanit i quajtur H., që merrej me shitje kafshësh dhe njihej në Elbasan si matrapazi më i madh, por edhe shumë i pasur. Mbas dy ditësh kërkimi në Elbasan, mësova se H.-ja, gocën dhe djalin bjond i kishte çuar në Shkodër te disa miqtë e tij që i mbanin të fshehur te cirku. I kërkova Degës së Punëve të Brendshmë të Elbasanit të lidhej me degën e Shkodrës, mbasi djali që kërkohej ndodhej në Shkodër në lagjen e arixhinjve, por për çudi, mbas dy ditësh, DPB-ja e Shkodrës ktheu përgjigje se ai nuk ndodhej në Shkodër. U nisa menjëherë në Shkodër dhe shkova te Dega, ku kryetar ishte P.Xh. Mbasi fola me të, ai më tha: “Unë kam gjithë këtë personel e po të them me bindje se nuk ndodhet në Shkodër”. Nga ana tjetër, unë këmbëngulja në timen dhe i kërkova të më jepte një punonjës policie, por pa uniformë, që të më ndihmonte. Kryetari thirri një punonjës policie dhe i tha: “Do vishesh civil e do punosh me këtë shokun që ka ardhur nga Dega e Brendshme e Elbasanit”. Ndërkohë, ndërhyra unë e i thashë: “Unë mund të rri pa ngrënë e pa pirë tre ditë dhe të eci pa u ndalur natë-ditë. Ti, je në gjendje të më përballosh?”. Punonjësi i policisë, nga sikleti, tha se do të bënte ç’ishte e mundur. Dhe kështu, filluam të dy kërkimet. Gjatë rrugës, më pyeti: “Vërtet rri tri ditë pa ngrënë e pa pirë?”. “Po, i thashë, prandaj përqendrohu e vrite mendjen se ku ndodhet, ndryshe do të rraskapitesh edhe ti bashkë me mua”. Në një pushim që bëmë, u futëm të pinim një kafe te Kafja e Madhe e Shkodrës. Aty ishte një djalë që e njihnin si kryevagabondin e Shkodrës dhe që ishte martuar me një rome. Këtë ma tregoi nga larg punonjësi i policisë. “Qëndro larg meje”, i thashë punonjësit të policisë dhe i shkova djalit te tavolina. I mora leje për t’u ulur e biseduar me të, por në të njëjtën kohë, porosita edhe dy dopio raki, mbasi ai ishte pijanec. Në pije e sipër, midis shumë muhabeteve, mbasi si i thonë, na u hëngër edhe muhabeti, i kërkova të më ndihmonte të gjeja kushëririn tim bjond. “Besa-besë, më tha, po ta them, por mos më më nxirr mua në skenë”. Si përfundim, ne shkuam tek adresa pranë cirkut të vjetër të Shkodrës dhe i kërkuam të zotit të shtëpisë t’i nxirrte, mbasi ata ishin brenda. Arixhiu nuk pranonte dhe e mohonte. Atëherë, punonjësi i policisë i vuri hekurat, por arixhiu kishte nja tetë fëmijë të cilët filluan të qanin. Njëri prej tyre, duke qarë, tha: “Lirojeni babën se ata janë sipër” dhe drejtoi dorën nga kati i pestë. “Zgjidhe”, i thashë policit dhe iu drejtova arixhiut duke i thënë se nuk do të ndodhte asgjë, mjaftonte që ne të mësonim se ku ishin. Mbas pak zbriti çuni bjond dhe vajza, një e shëmtuar, të kapur dorë për dore e të betuar për njëri-tjetrin. I morëm në makinë dhe i çuam te Dega e Shkodrës. Nga aty, për në Elbasan. Atje kishin dalë të gjithë arixhinjtë e arixheshkat me sopata e shkopinj nëpër duar, bërtisnin e ulërinin, por edhe me shanin mua, ngaqë e gjeta. “Po tani, me tha kryetari i Degës, çfarë na bëre kështu? Të bëjmë luftë me arixhinjtë?”. “Jo, i thashë, e para, desha të tregoja se si gjendet. E dyta, pa merrni sytë e atij djali e shihni se sa e bukur është ajo vajzë dhe, e treta, të thashë për një javë dhe e mbarova për katër ditë, mbasi dy ditë m’i hëngrët ju me Degën e Shkodrës”. Thërrita H.-në, kryetarin e arixhinjve dhe i thashë: “Të fshehur s’kanë pse rrinë, aq më keq kur po i kërkonin gjithandej. Largo të gjithë arixhinj e arixhofka që këtej dhe djali e vajza do jenë të lirë”. Dhe kështu u bë, nga më i urryeri për arixhinjtë, pastaj më quanin mikun e tyre. Mbas kësaj, ata prenotuan një bar-lulishte dhe bënë martesën e çiftit. Më vonë, i ndërtuan shtëpinë vilë dhe e futën në tregti. Sot, ai është po me arixheshkën, ka tre fëmijë dhe është biznesmen…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Njoftime nga Shqipëria...

Next Post

Cilët janë shpikësit e objekteve që përdorim në jetën e përditshme?

Advertisement