Baby Gee është hyrja më e re në muzikë, por vajza ka ardhur me fokus të qartë: do të jetë një këngëtare me famë botërore! Getinjo është i përzgjedhuri për bashkëpunimin e parë që do të testojë “ujërat” për këngëtaren e cila ngjan shumë me Rita Orën, por sipas saj, publiku nuk do një Rita Ora të dytë. Dhe në fakt, tregu është plot, por për sa kohë fansat do ta duan, do të ketë gjithmonë vend për Baby Gee…
Mia Buci: – Si duhet kuptuar emri yt i artit, Baby Gee?
Baby Gee: – Emrin ma kanë vënë shoqëria, se isha më e vogla, si bebe, por shumë e shkathët, ndaj më thonin: Baby Gee. (Qesh) Kjo është historia e emrit tim.
– Pse ishte Getinjo reperi i duhur për këtë bashkëpunim?
– Për bashkëpunimin tim kanë vendosur menaxheri im dhe unë jam shumë e kënaqur.
– Çfarë duhet të dimë për ty dhe për jetën tënde, para se të bëheshe një personazh publik?
– Pasion kam patur gjithmonë vallëzimin dhe jam studente, një vajzë normale. (Buzëqesh)
– Çfarë të kishin thënë paraprakisht për këtë biznes dhe si të duken gjërat tani që i prek nga afër?
– E dija që nuk ka asgjë të lehtë në këtë jetë dhe me punë e përkushtim besoj se do t’i arrij qëllimet e mia.
– U trembesh kritikave?
– Kritikat janë të mirëseardhura tek unë. (Buzëqesh)
– Çfarë qëllimi i ke vënë vetes?
– Që një ditë të jem këngëtare me famë botërore.
– Cili është përcaktimi i suksesit për ty?
– Të kënduarit dhe vallëzimi.
– Si ndihesh kur të krahasojnë me Rita Orën?
– Është një kënaqësi që më krahasojnë me Rita Orën! Ajo është një këngëtare e mrekullueshme, por publiku s’do një Rita Ora tjetër. Unë jam Baby Gee, me stil dhe performancë në të ardhmen.
– Do të të pëlqente të ishe këngëtarja me këngët e së cilës kërcehet në klube në verë apo që dëgjohet netëve të vona për relaks, kur mendja është në qetësi?
– Jo, tek unë ka party dhe vetëm party! (Qesh)
– Kënga që nuk lodhesh kurrë duke e kërcyer?
– “Trini dem Girls” nga Niki Minazh.
– Mendon se e ke gjetur rrugën që bën për ty?
– Po, mendoj se po. Kjo ka qenë një ëndërr që tashmë po bëhet realitet.
– Si kaloi kjo fundjavë?
– Shumë mirë, me përgatitje për lançimin e videos sime të parë. (Buzëqesh)
– Në fund të ditës, kur je vetëm me veten, çfarë të kalon në mendje?
– Lodhem aq shumë, sa më nxë gjumi menjëherë. S’ka mendime! (Qesh)
– Me kë do të doje të bëje një bisedë me kokë në jastëk?
– Me motrën time.
– Cilën nga gjërat që ke bërë deri më tani, nuk do ta bëje prapë?
– Të gjithë kemi nga këto gjërat që nuk do të donim t’i bënim prapë në jetë. Sekret! (Qesh)
– Tri tiparet fizike për të cilat komplimentohesh më shumë?
– Në fakt, marr shumë komplimente për trupin, por s’po veçoj diçka.
– Në çfarë telashesh futeshe zakonisht kur ishe fëmijë, ose edhe adoleshente?
– Gjithmonë rrihesha me djem. (Qesh)
– Nga çfarë kishe frikë atëherë?
– Nga merimanga!
– Cila është gjëja që nuk do ta thoje kurrë publikisht?
– Me lavdëru veten, kurrë jo!
– Cilët janë njerëzit që mban afër vetes?
– Unë në fakt tani jam në Kosovë dhe shoqet e mia janë në Angli. Momentalisht, ndodhem me kolegët e mi, me të cilët ia kaloj shumë mirë. (Buzëqesh)
– Si je në marrëdhënie me meshkujt, në shoqërinë e tyre?
– Kam shokë dhe ia kaloj mirë me ta!
– Tipi i mashkullit që të tërheq aq sa të harroje gjithçka për të?
– S’kam tip akoma. (Qesh)
– Aktualisht, po jeton ndonjë histori të bukur dashurie apo nuk duhen thënë këto gjëra sepse humb fansat?
– S’kam pse ta fsheh! Fansat të duan ty si je dhe jo për të dashurin.
– Si do t’i shpenzoje 10.000 euro?
– Do të ndihmoja njerëzit që kanë nevojë.
– Çfarë mesazhi do të shkruhej në T-shirtin tënd?
– Save The VVorld. (Shpëto botën)
– Kur qan?
– Kur më mungon familja!
– Si ka qenë puthja e parë?
– E kam harruar… Ka kaluar kohë që atëherë! (Qesh)
– Je dashuruar ndonjëherë pas ndonjë mësuesi?
– Jo, kurrë! (Qesh)
– Të kanë propozuar ndonjëherë për martesë?
– Ende jo.
– Një zakon apo ves, të cilin do të doje ta hiqje?
– Hëm… s’kam ndonjë të tillë që do ta hiqja!
– Motoja jote në jetë…
– Puno, krijo, jeto.
– Çfarë t’i ngre nervat?
– Gënjeshtrat!
– Ku e shikon veten pas 5 vitesh?
– Duke qëndruar në një skenë të madhe botërore.
– Çfarë do të bësh nesër?
– Nesër do të punoj për lançimin e projektit tim të parë dhe shpresoj t’ju pëlqejë. (Buzëqesh)