Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ushqimet që shkaktojnë kancerin

Të rejat e fundit nga Universiteti i Harvardit

 

 

Advertisement

Adrian Rakipi: – Përshëndetje doktoreshë. Po flitet shumë kohët e fundit për rrezikun që sjell ajo që quhet “mënyra perëndimore e të ushqyerit” dhe lidhjen e saj me kancerin e gjirit. A mund të na shpjegoni fillimisht se ç’kuptohet me “mënyrën perëndimore të të ushqyerit” dhe cilat janë rreziqet e saj?

Dr.Detina Zalli: – Mënyra perëndimore e të ushqyerit apo “dieta mish-ëmbëlsira”, siç quhet shpesh, karakterizohet nga marrja në sasi të larta e mishit të kuq, ëmbëlsirave dhe sheqernave, ushqimeve me yndyrë dhe drithërave të përpunuara, sasive të larta të qumështit dhe nënprodukteve të tij, pijeve të gazuara dhe plot sheqer si dhe sasi shumë të larta të mishit të përpunuar si sallmërat, etj. Kjo është karakteristike e banorëve të vendeve të zhvilluara, të cilët koha e kufizuar dhe mirëqenia i drejton drejt këtyre ushqimeve aspak të shëndetshme. Kjo është e kundërta e dietës së shëndetshme, sepse një dietë e shëndetshme ka në qendër të saj perimet dhe frutat.

– Më konkretisht, cili element ka lidhje me kancerin e gjirit?

– Studimet tregojnë se ai që ka më shumë lidhje me kancerin e gjirit është “vrasësi i bardhë”, sheqeri. Prej kohësh, një sërë studimesh trumbetojnë rrezikun që vjen nga përdorimi i tij. Shumë prej tyre arrijnë në përfundimin se sheqeri është përgjegjës për shfaqjen e shumë sëmundjeve, që nga diabeti, te sëmundjet kardiovaskulare e, së fundmi, po shohin lidhjen e tij me kancerin e gjirit. Kjo ndodh sepse sheqeri përmban shumë kalori. Një gramë sheqer përmban rreth 4 kalori dhe, kur kaloritë shtohen në organizëm, shkaktohen probleme. Madje, sipas një studimi, sheqeri zë rreth 25% të kalorive totale që merr njeriu.

– Pra, me pak fjalë, ju na këshilloni që të evitojmë sheqerin nga dieta jonë?

– Në fakt, trupi i njeriut ka nevojë për të gjitha përbërjet organike që të funksionojë siç duhet. Sheqeri është substanca që u jep energji trurit dhe muskujve, andaj nuk është e nevojshme ta heqim totalisht nga dieta. Madje kjo nuk do të ishte e mundur, sepse sheqeri gjendet kudo dhe këtu e kam fjalën si për sheqerin që marrim në mënyrë natyrale, për shembull, nga frutat, qumështi etj., i cili nuk është i dëmshëm, ashtu edhe për atë që merret nga ushqimet e përpunuara që përmbajnë sheqerin e bardhë të tavolinës, sakarozën. Sipas një studimi, në SHBA, në vitin 2008, njerëzit konsumonin 76,7 gramë sheqer çdo ditë, sasi kjo e barabartë me 19 lugë çaji sheqer. Kjo sasi e përkthyer në kalori është 306 kalori. Rekomandimi që vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është marrja në ditë e 5-6 lugëve çaji sheqer ose 25 gramë për femrat dhe 7-8 lugë çaji ose 35 gramë për meshkujt. Unë do të rekomandoja për t’i dhënë energji trurit dhe muskujve përdorimin e mjaltit, frutave dhe qumështit, të cilët përmbajnë sheqer natyral të papërpunuar.

– Doktoreshë, thuhet se sheqeri gjithashtu është një faktor që ndikon në peshë. Realisht, sa ndikon sheqeri në shtimin e peshës?

– Nga një studim i marsit 2015 doli se kishte një lidhje të ngushtë midis obezitetit dhe marrjes së shumtë të sheqernave gjatë ditës. Studimi nxorri se personat që konsumonin më shumë sheqer ishin 54% më të rrezikuar për të qenë mbipeshë, krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë. Ky studim u shpjegua me faktin se sheqeri është shumë kalorik. Ai zë 25% të kalorive totale dhe jane këto kalori që kthehen në mbipeshë.

– A mund të na jepni disa këshilla praktike se si ta ulim përdorimin e sheqerit në jetën e përditshme?

– Fillimisht, ju këshilloj të filloni me reduktimin e sheqerit që u hidhni pijeve të ngrohta si kafeja, çaji, kakao, etj. Kam parë njerëz që vërtet e teprojnë me sheqerin në pijet e ngrohta. Fillojeni gradualisht, duke hequr çdo ditë nga pak. Provoni të shtoni një sasi të vogël kanelle në kakaon e nxehtë ose në kapuçino, pasi kanella ndihmon në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe shton shijen e pijeve. Shmangni edhe ushqimet që shkruajnë se kanë pak yndyrna, sepse zakonisht, mungesa e yndyrnave kompensohet me sheqer. Ruhuni nga ushqimet “sugar free” (pa sheqer). Këto ushqime përmbajnë ëmbëlsues më të dëmshëm për shëndetin, sesa vetë sheqeri. Preferoni proteinat e peshkut, pulës apo gjelit të detit, të cilat ngadalësojnë zbrazjen e stomakut dhe zbusin nevojën për të ngrënë. Zëvendësoni orizin, bukën dhe makaronat e bardha me ato integrale. Reduktoni sheqerin në receta dhe në vend të tij shtoni erëzat, për të mos e ndjerë mungesën e tij. Përdorni lëngun e frutave të shtrydhura, qoftë edhe të holluar, në vend të pijeve që blini në dyqan, të cilat përmbajnë shumë sheqer dhe shtesa të dëmshme. Përpiquni të jeni të kujdesshëm dhe të lexoni etiketat në ambalazhin e çdo ushqimi që blini. Kujtoni se më pak se 5 gramë sheqer për 100 gramë produkt është pak dhe më shumë se 15 gramë sheqer për 100 gramë produkt, është shumë!

– Së fundmi, cila është dieta që ju na këshilloni dhe ajo më e shëndetshmja?

– Dieta që unë këshilloj është ajo që quhet “dieta mesdhetare”, e cila bazohet në përdorimin e frutave, perimeve, peshkut dhe vajit të ullirit. Perimet kanë shumë fibra, të cilat thithin shumë ujë dhe stimulojnë sistemin imunitar, duke larguar nga trupi mbeturinat dhe helmet. Së fundmi, këshilla ime është të filloni të ushtroni më shumë kontroll mbi shëndetin tuaj dhe të jeni më të ndërgjegjshëm për rrezikun që sjell një dietë jo e ekuilibruar. Kombinoni perimet me peshk dhe përdorni më pak mish. Filloni të ndryshoni stilin e jetesës suaj duke kufizuar alkoolin, duke shmangur cigaren, duke arritur një peshë të shëndetshme dhe duke bërë stërvitje të rregullt (të paktën 30 minuta në ditë). Ne jemi çka hamë, ndaj filloni të hani duke ndjekur trurin tuaj, në vend të shijes! Të jeni të sigurt që shëndeti do t’ju jetë mirënjohës!

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Nuk di si ta qetësoj veten...

Next Post

Jonuzi: Mes futbollit dhe… luftës

Advertisement