Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Miku im, Dr. i shkencave Nazif Tivari! E pashë emisionin që u përgatit nga një gazetar mjaft serioz. Unë i di problemet që ka prodhimi vendas karshi konkurrencës së pandershme të djathrave që vijnë nga jashtë dhe që nuk janë aspak më të mira se prodhimet e “Moxarela”. Ti dhe ai fermeri që derdhi qumështin në mënyrë demonstrative, janë si dy këmbana alarmi për Ministrin e Bujqësisë. Lus Zotin, që dikush të dëgjoje atje. Të paktën Vigan Dervishi i njeh problemet. Gjithsesi, të uroj nga zemra, ty Nazif dhe Shpresën, bashkëshorten tënde aq fisnike! Urime!
– 25 vjetori i formimit (themelimit) të Partisë Republikane, ka ca ditë që u festua, por urime mund të bëhen. Në radhë të parë uroj miken time Anila Godo. Ajo e di sa e kam dashur Sabriun. Kurse, urimi tjetër, shkon për ty, miku im aq i shtrenjtë, Agron Duka. Kjo hunda ime me gunga, çoç parasheh në të ardhmen tënde politike. Sigurisht, në sensin pozitiv. Po, unë i mbahem bindjes time, se ti i dashur Agron, je i akredituar (i mirëprovuar) kudo në Shqipëri, për vlerat e tua “bio” të karakterit “bio”, si ato gjërat e mrekullueshme që unë blej përditë tek “Eco-Market”, këtu te Garda, i rrethuar nga ca vajza, sa të edukuara, aq edhe të bukura. Një gjë e kam peng: Porse hiqet shoku im Arben Duka, se është ai që të do më shumë? Unë nuk jam poet, po shkrimtar, më duket se jam. Nejse, kjo qe për ta ngacmuar Benin. Mua më vjen mirë, që të tre kemi luajtur sport. Të përqafoj fort, Goni, njeriu i “dënuar” nga Zoti për Mirësi! Amen.
– E dashur Ina Rama! Bashkë jemi takuar vetëm një herë, tek ai klubi afër Studios tënde ligjore. Një “zog” i vogël, brenda vetes, më çukit që të shkruaj një urim modest për ty, që për profesionalizem më kujton Dhimo Dhimen, Kleanthin dhe Stavri Çeçon. Për ty që je sa e përmbajtur dhe e ekuilibruar, aq edhe e bukur. Po, brenda vetes (derisa je vajza e një artisti të madh) duhet të kesh shumë poezi dhe dihatje ndaj mirësisë. Nuk mund të jesh ti prozaike e rendomtë. Gjithsesi, jashtë këtyre habitem, si nuk je pjesë (apo nuk të kanë afruar të japësh mendime për reformën në drejtësi. Apo… të vërtetat, s’para i kanë qejf. Meqë! Nga zemra, si një adhurues(i) yti, të uroj shumë lumturi në familje, në radhë të parë! Të përqafoj!
– Në qoftë se shpirtin tim, apo më saktë, kujtesën time emocionale, do ta krahasoja me një boçe pishe erëmirë, brenda saj ka shumë “fara”, plot tul dhe shije. Dhe, nëse këto fara janë kujtime dhe emocione pozitive për njerëz, pra, kemi një figurë, të siguroj, që ti miku im aq i vjetër dhe i vyer, Idajet Rraklli, je aty. Je me “boçen” e zemrës time, siç je në krye të “Euro-Teoremes”. Pse ndodh kjo? Pse ndodh që nuk të harroj dot? E sa kam harruar, unë gjatë këtyre viteve që nuk jam parë! Plot (Ashtu siç jam harruar edhe unë). Po, ty, jo dhe jo! Janë ca gjëra që të ndjekin dhe në varr, siç është fjala vjen Mirësia e Idajetit. Ja, për të shkruar këto radhë dhe këtë urim më doli gjumi herët, në këtë mëngjes të datës 20.01.2016. Urime miku im i shtrenjtë, modest e i palodhur. Të fala Nazimit!
– Ja ku ike edhe ti, Taku! Po ku je, mor Spartak Gjini?! Të të uroj për shtëpinë e re të paktën! Ca thonë “e pi kafen këtu”, ca “atje”, ca të tjerë, se e ke lënë fare. Në këtë jetë çdo gjë bën vaki. Vetëm që të të harroj ty, nuk bën vaki. Më ka marrë malli, mor burrë. Janë në mes 25 vjet miqësi! Gjithsesi, të uroj gjithë të mirat e kësaj jete, shoku dhe miku im Spartak Gjini.
– Bravo kolegu dhe miku im, gazetari i emisionit “Xhungël”, Artan Hoxha. Përfundimisht, ti tani hyn te speciet e rrallamuzeale. Sepse thua dhe mbron të vërtetën dhe vetëm atë. Po ç‘u bënë ata emra të lavidshëm që mbushin faqet e para çdo ditë, apo çdo natë emisionet analitike. Ku shkoi karakteri i tyre? Të pashë te Bejto Malo! U kënaqa, por thashë: “Në çfarë Shqipërie mediatike jetojmë? A ka këtu njeri që të thotë dhe të mbrojë të vërtetën? Apo të gjithë rreth mbretit të ri të politikës? Të uroj fort Artan! Shoh veten time te ti. Ti i ke lexuar librat e mi satirikë dhe e di që jemi në të njëjtin front, në atë të luftës së pabarabartë kundër së keqes, kundër kënetës që do të na thithë dhe dihet pastaj ç’bëjnë nepërkat me ty. Kështu që, sinqerisht, të uroj për guximin qytetar që ke. Kam shkruar edhe më parë për këtë dhe prapë do të shkruaj, edhe tani që jam plak! Urime Tani!
– Quhet Denisa! Në një nga intervistat më të rralla që kam realizuar, në jetën time, qëlloi që sekretarja e kryetarit të Bashkisë Lezhë, zoti Fran Frroku, në pritje të tij, të bëja goxha intervistë me Denisën. Unë e di që ka rënë koncepti se, më të mirat dhe inteligjentet janë vetëm në Tiranë dhe vetëm atje. Po, gjen ku të duash, dhe jo pak. Po për Zotin, kjo Denisa dhe më mbetet gjatë në mendje për një personalitet shumë të formuar, një fytyrë plot mirësi. Dhe një bark, ku pritet të dalë një bebe! Ku i dihet, ndoshta dy. Unë nuk kam parë shumë as/pedagoge apo Zv/Ministre me aq kulturë. Ia thashë edhe Franit: “Po të hyjë Denisa në politikë, patjtër do kemi një emër të spikatur, atje”. Një vajzë lezhjane të mrekullueshme, që e njihte sociologjinë si të ishte një Maks Veber. Ah, sa të uroj Denisa, në radhë të parë, lumturi në familje! Urime, njeri i mrekullueshëm!
– Kushdo që flet për basketbollin, më bën të ulem dhe t’i kushtoj vëmendje maksimale. Po, kur flet një mik, siç është kryetari i Federatës zoti Avni Ponari, kjo vëmëndje kthehet në kënaqësi. Se ai më flet për nominime palestrash që do të kenë emrat e shokëve të mij të shtrenjtë, si Ilir Trebicka apo Nine Shkurti! Ah, sa më kënaqe Avni! A, sikur, të ktheheshim edhe një herë, atje ku kemi qenë në basketboll. Ti je aty, si një far i patundur nga dallgët. Fari bën dritë, gjithnjë! Të uroj vërtet nga zemra miku im, që të dua si vëlla, ashtu si edhe ti! Të përqafoj, njeri pa moshë, Avni Ponari, që luan gjithnjë, në jetë dhe sport, për nivele superiore dhe jo ndjekëse të tyre!
– Ky vit është quajtur “Viti i Kadaresë”, për nder të 80 vjetorit të lindjes së tij. Më kujtohet se si nga aeroporti i Budapestit para 18 vjetësh, më çoi në Bruksel, te motra, Shpresa. Më shërbeu si pasaportë ajo foto që kisha me të. Po në të vërtetë, ai prej vitesh e vitesh është bërë një pasaportë biometrike, e pafalsifikueshme, e paqortueshme, po shumë krenare, për të gjithë shqiptarët atje ku janë. Kudo në botë, pra. Edhe jo shqiptarët e kanë aq për zemër. Epo, ja, ne e kemi këtu, fjalë pak e punëartë, gjeniun tonë 80 vjeçar. Edhe 100, i dashur Ismail! Nga zemra!
Uroj mjekun popullor Petrit Meta nga Petrela e Tiranes. Kura jote per dobesim me ka ndihmuar. Mira Kamez.
Përshëndes zemrën time Nardin. I them që të dua shumë dhe të adhuroj pafund shpirti im. Të kam jetë. Nga Xhelozja jote
Përshëndes Marsianen, Lozonjaren, Nadian, Nardin, Bashkimin, Durim Sosurin, Nënën, Violën, Jetmirin, Sajmirin, Besën, Eltonen, Garipin, Ellen, Lorenen, Studenten, Dorinën, Denisën etj. që janë pjesë e rubrikës “Pyesni njëri-tjerin”. Ju uroj fundjavë të këndshme. Kalofshi bukur. Nga Xhelozja e Nardit.