Leximi i pëllëmbës së dorës (kiromancia) është një art i lashtë që e ka origjinën në Indi, para mijëra vjetëve. Ai është rrënjosur në astrologjinë hinduiste dhe për herë të parë është përmendur në librin e lashtë kinez Yi Jing. Prej këtej, leximi i dorës është përhapur kudo në Azi dhe Evropë, bile edhe Aristoteli u interesua për të, duke ia kaluar këtë dituri Aleksandrit të Madh. Ky i fundit e përdorte shpesh për të gjykuar karakterin e oficerëve të tij. Ka gjasa që kjo gjë ta ketë ndihmuar, sepse në 15 vjet që pushtoi botën, ai nuk humbi as edhe një betejë të vetme. Leximi i dorës u ka mbijetuar shekujve, por në ditët e sotme shumica e njerëzve e shohin si një pseudo-shkencë dhe që i përket më shumë supersticioneve, sesa realitetit. Fakti që njerëzit janë skeptikë ndaj tij, pjesërisht i dedikohet portretizimit të keq nëpër libra, filma dhe shfaqje televizive.
Një gjë që thuhet se ka rëndësi te pëllëmba e dorës janë vijat e krijuara në të, sidomos ajo që ndodhet lart, në rrëzë të gishtave. Kjo vijë njihet edhe si linja e zemrës, sepse tregon për lidhjet dhe jetën e ardhshme dashurore të personit. Ju mund ta lexoni edhe vetë linjën tuaj të martesës, pa shkuar te një njeri që di të lexojë dorën, thjesht duke i vënë të dyja duart ngjitur me njëra-tjetrën. Shihni nëse dhe si bashkohen linjat e të dyja duarve me njëra-tjetrën dhe pastaj lexoni më poshtë se ç’do të thotë kjo.
– Nëse linjat përputhen me njëra-tjetrën, kjo tregon se ju jeni një person i qetë, i sjellshëm, që kujdeseni për të tjerët dhe që i keni këmbët e mbështetura fort në tokë. Juve nuk ju pëlqejnë ndryshimet e papritura që shkaktojnë çarje e lëndime dhe ka gjasa të martoheni me një njeri, të cilin miqtë dhe familja juaj e pëlqejnë dhe e aprovojnë.
– Nëse linja e dorës së djathtë është më lart se ajo e së majtës, kjo do të thotë se jeni shumë të ditur dhe ju pëlqejnë njerëzit më të mëdhenj në moshë, pikërisht për shkak të njohurive që kanë dhe sigurisë që ofrojnë. Ju ndiheni të lirë, nuk e vrisni mendjen se çfarë mendojnë të tjerët për ju dhe i shihni gjërat dhe njerëzit ashtu siç janë në të vërtetë. Nuk jeni ashtu si presin të tjerët të jeni dhe ka gjasa të zgjidhni një partner më të madh në moshë për të kaluar jetën.
– Nëse linja në dorën e majtë është më lart se ajo e së djathtës, kjo tregon se ju jeni njeri i fortë, me personalitet dhe ju pëlqen të përballoni sfida të vështira. Ju kërkoni, ose më mirë, keni nevojë dhe dëshironi një dashuri pasionante dhe të nxehtë. Si pasojë, ka gjasa të dashuroheni me njerëz që kanë pamje të jashtme të bukur, si me një student më të ri se veten, ose me një të huaj ekzotik.
Ja, cilat janë tre vijat më të rëndësishme të dorës së njeriut:
Linja e jetës (që i bie rrotull gishtit të madh): Ajo përcakton rrugën e njeriut nga lindja në vdekje. Gjatësia e saj nuk i korrespondon jetëgjatësisë, prandaj mos u shqetësoni! Një linjë jete që bie në sy tregon, për shembull, një natyrë sportive.
Linja e kokës (përshkon dorën mespërmes): Kjo mund të jetë e ngjitur me linjën e jetës, ose jo dhe tregon mënyrën tuaj të të menduarit dhe të vepruarit. Për shembull, nëse linja e kokës fillon në linjën e jetës, personi nuk është shumë i pavarur.
Linja e zemrës (në rrëzë të gishtave): Ajo ju informon për ndjenjat dhe marrëdhëniet në përgjithësi. Për shembull, nëse është shumë e drejtë, tregon një lloj objektiviteti, bile njëfarë indiference.