Të dashur lexues, po e shkruaj këtë histori për një rast që më ka prekur shumë. Përballë shtëpisë sime kam një vilë të madhe. Shpesh katin e parë të kësaj vile pronarët e lëshojnë me qira. Nuk më kanë rënë në sy qiraxhinjtë e tjerë, por kjo e fundit më ka bërë shumë përshtypje. Eshtë një grua e cila ka ardhur me qira para nja tre muajsh dhe me thënë të drejtën, para se ta njihja, nuk më ka shkuar ndërmend se mund të kishte familje kaq pa fat.
rastësisht një ditë në rrugë pashë një grua e cila nuk po ngrinte dot një çantë të madhe.
– Ke nevojë për ndihmë? – e pyeta.
– Faleminderit! – tha ajo.
Kur e pashë në fytyrë, m’u duk shumë simpatike, por edhe shumë e vrarë shpirtërisht.
– E ke shtëpinë larg? – e pyeta.
– Afër marketit, – tha e mezi e kuptova sepse kur fliste, i merrej goja. M’u duk se ishte një defekt i lindur, por më vonë mora vesh se ajo shpesh pinte alkool. Çanta e saj ishte shumë e rëndë dhe të dyja mezi po e mbanim.
– Eh, – thoshte ajo gjatë ecjes, – kjo jetë paska qenë e vështirë për mua. Të gjitha të këqijat mbi mua kanë rënë. Po si nuk u nis një e mirë drejt meje, por vetëm ters?
Ajo fliste e unë nuk po i ktheja përgjigje, se nuk po e kuptoja mirë.
– A ke edhe shumë rrugë për të bërë? – e pyeta kur po i afrohesha shtëpisë sime.
– Ja, tek ajo vila atje! Jam me qira në katin e parë.
– A, qenkemi komshie! Unë banoj këtu afër. Ja ku është shtëpia ime.
– Kjo? – Ajo e shihte dhe dukej sikur nuk po kuptonte shumë nga ato që po i thoja, sepse sa ia kisha treguar me gisht shtëpinë time. Ndoshta meqë ishte e dehur, i dukeshin dy shtëpi. Nejse nuk e zgjata shumë, por e lashë te porta e saj dhe u futa në shtëpinë time.
Të shtunën kur kisha pushim dhe po pija kafenë e mëngjesit në shtëpi (e kam fiksim këtë moment) trokiti dera. Fëmijët nuk ishin ngritur nga gjumi dhe burri ishte në punë, kështu që e hapa vetë. Ishte gruaja për të cilën ju fola më lart.
– Mirëmengjes! Më fal për shqetësimin.
– Jo s’ka gjë. – i thashë pak e habitur.
– Doja të të falënderoja përsëri për atë ditë që më ndihmove. Unë jam një grua e mjerë dhe pa ndihmë. – këtë herë fliste mirë dhe jo si atë ditë kur e takova në rrugë.
– Po nuk bëra ndonjë gjë të madhe. Edhe ti, po të ishe në vendin tim, ashtu do veproje.
– Po sigurisht, – tha dhe vura re se po mundohej të më mbante me muhabet.
– Po hajde brenda se sa po pija një kafe. Hajde pije edhe ti një. – e pashë në sy se donte të futej brenda andaj e ftova.
Ajo u fut brenda dhe po shikonte shtëpinë.
– Sa shtëpi të bukur paske! Lum si ti! Eh, vetëm unë jam e varfër dhe pa fat në këtë botë! – tha përsëri.
– Po mos u mërzit se gjërat do vijnë duke u rregulluar. Sa fëmijë ke?
– Një djalë, – më tha dhe uli kokën.
– Po shumë mirë. Sa vjeç është?
– 23 sa i ka mbushur!
– Ehu, po ti ua paske hedhur halleve. Tani të është bërë djali burrë dhe të ndihmon ai.
– Eh, ai nuk më ndihmon dot jo! – psherëtiu ajo. – Deri në klasë të nëntë ishte nxënës i shkëlqyer, por kur…- ajo e preu fjalën në mes. – qëkur burri im hyri në burg, ai ndryshoi.
– Çfarë ka djali tani?
– Ka kaluar nga mendtë. Ishte nxënës i mirë, por babi i tij ishte në gjak, në hasmëri dhe sipas zakonit, duhet të vriste një njeri. Në këtë kohë e futën në burg. Djali nuk dilte më nga shtëpia se kishte frikë se e vrisnin dhe çdo ditë e më tepër ai po ndryshonte derisa u çmend e tani mjekohet me ilaçe për të sëmurët mendorë.
– Sa keq më vjen! Po a ke ndonjë njeri që të të ndihmojë?
– Njerëzit e mi nuk janë këtu, janë jashtë shtetit. Vëllezërit, se prindërit nuk jetojnë më. Ata kanë familjet e tyre e nuk kanë nge të merren me mua.
– Po nga njerëzit e burrit? – e pyeta.
– Eh, ata disa janë të ngujuar e disa janë jashtë shtetit e nuk ua di kush adresën se kanë frikë nga gjakmarrja. Kanë ndërruar edhe emrat që të mos i gjejnë e vrasin.
Nuk dija çfarë t’i thosha. A thua mund të kishte ndonjë fjalë me të cilën mund ta ngushëlloja? I bëra një kafe edhe asaj dhe bëra të ulesha pranë saj.
– A ke ndonjë gotë raki që ta pi me kafenë se nuk e shtyj dot? Më fal, po sikur më shtrëngon rakia…
– Po sigurisht. Ja, ta sjell tani. – në fakt nuk u habita se e kisha kuptuar që atë ditë se ajo pinte vazhdimisht alkool.
Ajo po pinte kafenë dhe rakinë e unë kafenë time, ndërsa po më tregonte me hollësi se si kishin shkuar ngjarjet. E dëgjoja dhe kuptoja se ajo ishte një grua e zgjuar, që jeta e kishte goditur në mënyrë mizore, duke mos e lënë të ngrinte krye.
– A e ke provuar të ikësh nga Shqipëria? Jashtë shtetit do të kishe mbështetje nga shteti si për vete, ashtu edhe për djalin.
– E ku të shkoj? Më duhet të takoj burrin në burg e t’i çoj ushqime e rroba. Në ditët e caktuara unë mbush trastat e shkoj ia çoj. Atë ditë kur ti më ndihmove, nga burgu po vija. S’ka zgjidhje për mua, jo! Eh, kam atë djalë të sëmurë se do t’ia kisha futur vetes një e të ikja nga kjo botë e të shpëtoja njëherë e mirë.
– Kjo nuk është zgjidhje. Jetën na e ka falur Zoti e ai na e merr. – i thashë sa për ta qetësuar.
– Kur nuk je në hallin tim, nuk e beson se sa e vështirë është jeta.
Ajo kishte të drejtë të ishte aq pesimiste. Nuk e kisha parë në ç’kushte jetonte dhe nuk e dija se si mund ta shtynte muajin kjo grua me ato pak lekë që i jepte shteti. Në punë nuk futej dot nga djali. Burrit në burg duhej t’i çonte ushqim e rroba. “Dhe ne ankohemi”, mendova. Pasi i piu ato që kishte para iku dhe unë mbeta edhe për një kohë duke menduar për të.
– Ta ndihmojmë me ndonjë lek ose t’i lëshojmë një dhomë në katin e parë që nuk e përdorim. – i thashë burrit kur erdhi. Ia tregova më parë historinë e saj dhe ai sikurse unë, u prek shumë.
– Po mirë, ia lëshojmë, por ne nuk e njohim. Mos është ndonjë mashtruese?
– Jo, çfarë mashtrueseje mund të jetë ajo?! Ajo është në pikë të hallit. Ajo nuk më kërkoi ndihmë drejtpërdrejt, më tregoi thjesht hallin e saj. Ideja për ta ndihmuar më erdhi mua pasi iku ajo.
Të nesërmen shkova te shtëpia e saj. I rashë derës, po për disa çaste nuk doli njeri. I rashë përsëri dhe nga brenda dëgjova një zë.
– Eja se është hapur. – ishte zëri i saj.
U futa. Ajo ishte e shtrirë në një krevat të vjetër dhe në divan ishte djali. Ishte një djalë shumë i pashëm, me flokë të zinj, i gjatë dhe me një lëkurë të bardhë si fëmijët e vegjël. Ai e mbante kokën nga dritarja dhe lëvizte në vend ashtu ulur pa pushim.
– Eja, eja, se jam pak si pa qejf e nuk ngrihem dot!
E kuptova se kishte pirë dhe nuk e mbanin këmbët. Në fakt, kisha parë mjaft burra të dehur, por gra në këtë gjendje nuk kisha parë. Nejse, ishte zgjedhja e saj për të përballuar këtë hall të madh që i kishte rënë.
– Unë i fola burrit për hallin tënd dhe ai u mërzit shumë, ndaj vendosëm të të ndihmojmë. Këtu ke disa para për të blerë ushqime, kurse muajin tjetër eja te shtëpia jonë. Ne kemi shtëpi të madhe dhe katin e parë nuk e përdorim. Mund të rrish me djalin aty e ne nuk do t’ju marrim para për qiranë.
– Oh, po unë… nuk mund të pranoj lëmoshë nga ju. Nuk e ke për detyrë të më ndihmosh. Mua nuk më ndihmojnë vëllezërit e mi.
– Po lëri ato tani. Ti je në hall dhe ne po të ndihmojmë me qejf. Ndoshta më vonë do të gjesh edhe ti një zgjidhje.
– Por… – ajo mezi fliste, pak nga pija e pak nga emocionet.
– Si të duash. Je ti ajo që vendos. – i thashë.
Ndenja dhe pak me ta e kur u ngrita, i lashë lekët mbi tavolinë. Ende nuk ka mbaruar muaji dhe ajo s’më ka kthyer përgjigje në do vijë të jetojë te ne apo jo, por unë shpresoj të vijë e t’ia lehtësoj sadopak dhimbjen…