– Kam një pyetje për dermatologen tuaj. Jam një 32 vjeçar që kam probleme me kondilomën (iriqët), ka disa muaj që nuk po më hiqen, një hiqet, tjetra del. Edhe pse po përdor terapi të caktuar nga dermatologu, i cili më ka bërë edhe një lloj acidi, ato hiqen dhe më shfaqen përsëri. Ju lutem më thoni çfarë të bëj, si hiqen përfundimisht dhe nga se vijnë këto të shkreta?
Dr. Albana Lufi, Ph.D në Dermatologji: – I nderuar 32 vjeçar, Condyloma acuminatum është formë e veçantë e verrukeve me lokalizim në organet genitale që shkaktohen nga papilloma virus humane HPV. Kondilomat paraqiten si ngritje papilomatoze (iriqa), ndonjëherë të veçuara, që mund të rriten dhe të grupohen. Përhapja e infeksionit favorizohet nga lagështia e lëkurës.
– Kondiloma përhapet nëpërmjet këtyre rrugeve: përhapje me rrugë seksuale, transmetimi nga kontaktet me objektet e infektuara dhe transmetimi gjatë lindjes kur nëna është e infektuar. Mjekimi i kondilomave bëhet në këtë mënyrë: Krioterapia (djegia me azot të lëngshëm deri në eleminim total të tyre), trajtimi me elektrokauter ose lazer CO2. Alternativë tjetër mjekimi është përdorimi i kremit Imiquimod 5 % (Aldara) 3 herë në javë për 16 javë. Trajtimi i kondilomave kërkon durim pasi është patologji mjaft infektuese dhe trajtimi duhet të vazhdojë deri në eleminimin e elementit të fundit. Nëse pas seancës së fundit nuk kemi shfaqje të elementeve të rinj për një periudhë 3 ose 4 mujore atëherë themi që infeksioni është zhdukur plotësisht. Shpresoj t’ju kem ndihmuar sadopak me këtë informacion. Nëse dëshironi, mund të vini të vizitoheni edhe pranë klinikës ku unë bëj trajtime të tilla shëndetësore të lëkurës.