– Doktoreshë Mira, ju përshëndes. Jam Lori, 22 vjeçe dhe kam probleme me frymëmarrjen, sidomos natën. Më ndodh që më thahet edhe gjuha. Cili mund të jetë shkaktari për këto pengesa që kam në frymëmarrje? Të them të drejtën, e pi edhe cigaren nga pak, jo me shumicë. Jam në pritje të një përgjigjeje nga ana juaj. Pastaj, habitem sepse e kam vetëm periudhën e natës këtë problem?
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – E dashur Lori, ju falënderoj shumë për letrën! Shqetësimi që keni në lidhje me frymëmarrjen gjatë natës dhe me tharjen e gojës, mendoj se ka të bëjë me mënyrën e frymëmarrjes gjatë natës. Meqenëse nuk jepni të dhëna të tjera në lidhje me llojin e marrjes së frymës dhe nëse keni shqetësime të tjera, unë vetëm mund t’ju tregoj disa arsye që shkaktojnë këtë shqetësim që ju paraqisni. Së pari, mundet që gjatë natës të bëni frymëmarrje me gojë dhe si pasojë e kësaj do të keni tharjen e gojës gjatë natës dhe gjithashtu, edhe tharje të grykës apo faringut, shoqëruar kjo me ndjesinë e marrjes së frymës apo edhe me kollë.
– Frymëmarrja me gojë gjatë natës ndodh shumë shpesh nëse i kemi hundët të zëna. Pra, nuk mund të bëjmë frymëmarrje me anë të hundës pasi ajo mund të bllokohet gjatë natës në qoftë se jemi alergjike. Në këtë rast, do të ishte e nevojshme një konsultë e drejtpërdrejtë me mjekun. Dhe më kryesorja, e dashur Lori, është pirja e duhanit, që duhet patjetër ta lini menjëherë, pasi mund të jetë shkaku i mirëfilltë i këtij shqetësimi që keni. Në moshën 22 vjeçare, në kohën kur sëmundjet e shumta janë shtuar nga faktorë të njohur dhe të panjohur, në kohën kur bëhet propagandë e madhe për efektet e rënda dëmtuese që ka duhani, ju duhet ta mendoni këtë gjë. Ju jeni vetëm 22 vjeçe dhe pini cigare; kjo më duket absurde. Uroj ta lini menjëherë tymosjen. Jeni e mirëpritur për vizitë, nëse e shikoni të arsyeshme!