Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Jam fejuar me një të papunë plot borxhe

 

– Përshëndetje zoti psikolog. Jam e fejuar prej më shumë se një viti. Si ai, ashtu edhe unë, kemi fëmijë nga martesat e para. Problemi qëndron se i fejuari im ka shumë vite pa punë e shumë borxhe, ndërsa unë në qytetin ku jetoj jam në punë, por tani jam në dilemë se ku do të jetojmë pas martese. A të shkoj të jetoj me të në qytetin e tij e të rrimë pa punë të dy me gjithë fëmijët tanë, apo të jetoj me të në qytetin tim duke punuar vetëm unë, por që s’ia dalim dot se bëhem shumë anëtarë në familje? Më duket se unë jam penduar që u fejova me të, por atëherë s’i dija të gjitha rreth tij. Tani jam në dilemë se, tërhiq e mos e këput. Nuk mund të vazhdojmë duke pritur që ai të fillojë punë që të mbajë familjen që do të ndërtojmë. Më thoni ju lutem se çfarë duhet të bëj, se jam në udhëkryq. Ana.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara Ana, pikë së pari, ju falënderoj për letrën dhe më vjen mirë që kërkoni një zgjidhje për problemin që keni. Si ju, edhe burri juaj i ardhshëm duhet të qartësoni mendimet nga ana psikologjike, shpirtërore, sociale e ekonomike dhe të dy të merrni “miratimin” e njëri-tjetrit. Ju duhet të bëni “bilancin” e situatës dhe të veproni me mirëkuptim, pa u marrë me të kaluarën. Nëse i fejuari garanton të paktën strehim (një shtëpi) dhe mendoni se së bashku e përballoni jetën më mirë, dakord, por gjithmonë duke kërkuar e gjetur punë. Duhet të vendosni duke i zgjidhur më parë disa gjëra kryesore jetësore sepse shumë individë nuk e gjejnë çdo gjë gati, prandaj duhet bërë një plan e pastaj të veproni. Për mendimin tim, ju duhet të pyesni edhe fëmijët tuaj, a janë ata dakord për këto ndryshime, apo jo? Edhe të afërmit duhen marrë në konsideratë, edhe pse jeta juaj është e “juaja”. Kjo lëvizje duhet parë në shumë aspekte, sociale, ekonomike, psikologjike etj. Ju duhet të konsultoheni me të fejuarin tuaj, të dini çfarë doni dhe çfarë duhet të bëni, por ardhja juaj të dy bashkë për psikoterapi çifti do t’jua hapë sytë për të parë më mirë alternativat e zgjidhjes me baza të shëndosha, për të bërë më të mirën për ju vetë e për fëmijët tuaj. Ato që shkaktojnë stres nuk janë aq mendimet dhe ndodhitë në vetvete, por mënyra se si ne i mendojmë ato dhe se si veprojmë. Ndaj, në Perëndim, sipas statistikave, 90 % e çifteve që duan të krijojnë një familje të re, marrin këshilla familjare te psikologu këshillues. Kjo gjë po aplikohet edhe te ne. Në rastin tuaj, unë do ta pyesja të fejuarin se përse ai ka shumë vite pa punë, pse s’i ka thënë kush “puna e mbarë!”, pse ai ka aq shumë borxhe? A mos ai martesën me ju e sheh si ajo pema kacavjerrëse që edhe lisit më të fortë ia “merr shpirtin” duke u “martuar” me të? Unë duhet t’ju bëj shumë pyetje me qëllim që pas tyre t’ju jap këshillat specifike, ndaj përgjigjen për ju po e konsideroj si të pjesshme. Se çfarë duhet të dini ju dhe të gjithë ata që lidhin martesë, po e shpjegoj pak më poshtë.

Advertisement

Parapërgatitja për martesë kërkon pjekuri fizike e mendore, por edhe pjekuri ndjenjash ose pjekuri emocionale. Njeriu me ndjenja të papjekura, ndonëse në moshë të rritur, ende ruan lidhjet emocionale prindërore ose ato tipe reaksionesh që janë karakteristike për moshat fëminore. Prandaj, njeriu që përgatitet për martesë duhet të çlirohet me kujdes nga ndikimi emocional i prindërve dhe të ketë pavarësi gjykimi, në të kundërt, lidhja bashkëshortore e çiftit të ardhshëm mund të lëkundet. Natyrisht, ndaj prindërve duhet dashuri e respekt. Nuk ka prind që nuk e dëshiron për fëmijën lumturinë bashkëshortore, megjithatë nuk janë të pakëta rastet kur vetë prindërit ndikojnë negativisht në këtë aspekt, sigurisht, nga mungesa e kulturës. Vëzhgimet tregojnë se ka raste kur vajza e martuar ndikohet nga prindërit e vet dhe nuk vlerëson si duhet të shoqin ose prindërit e tij. Ose djalit të ri i pëlqen nusja, por vëren se nëna e tij nuk ia vlerëson si duhet, prandaj edhe ai fillon ta shikojë me tjetër sy atë. Raste të ndikimeve të tilla te bashkëshortët janë tregues për papjekuri dhe paqëndrueshmëri ndjenjash nga ana e partnerit femër ose mashkull. Ata që lidhin martesë, para së gjithash duhet t’i japin vetes përgjigje të qarta nëse i lidh ndjenja e dashurisë së vërtetë, nëse e kanë studiuar e njohur mirë njëri-tjetrin, a ka bashkësi interesash, pjekuri ndjenjash dhe a mund t’ia besosh njeriut tjetër veten, ndjenjat dhe a mund të mbështetesh tek ai. Edukata seksuale ka si qëllim që të edukojë tek i riu ose e reja ndjenjën e përgjegjësisë për të gjitha veprimet e tij në fushën e seksit. Këtu më tepër se në çdo aspekt tjetër tregohet pjekuria dhe edukata e njeriut. Ndjenja e përgjegjësisë, humanizmi dhe solidariteti njerëzor ndërmjet dy njerëzve të dashuruar u jep një përmbajtje të re ndjenjave të tyre, shton më tepër kënaqësinë dhe lufton egoizmin e vetminë. Kjo duhet patur parasysh në mënyë të veçantë në lidhje me martesën. Duhet punuar që në moshë të re që fëmijët të futen në martesë me bindjen se pothuajse çdo gjë varet nga ata vetë, nga përgjegjësia e puna mbi vetveten. Në të kundërt, pasioni seksual mund të shkaktojë fatkeqësi, si personale, ashtu edhe për të tjerët. Martesa, siç shkruan Luteri, nuk është një “fshehtësi e shenjtë”, por marrëdhënie e dy qenieve të shëndosha me sekse të kundërta. Me fjalë të tjera, Luteri u lejonte bashkëshortëve prishjen e kurorës kur ata nuk i plotësojnë detyrat martesore dhe kjo është e pranueshme, por që të mos arrijë puna deri këtu, nevojiten ndjenja e përgjegjësisë dhe syçeltësia si për zgjedhjen e bashkëshortëve, ashtu edhe gjatë jetës së përbashkët, e cila forcohet nga maturia dhe kultivimi i ndjenjave. S’është e lehtë të krijosh martesë të lumtur, por akoma më e vështirë është ta mbash atë të lumtur. Në thelb, martesa mund të përkufizohet si bashkësi seksuale e njerëzve të sekseve të kundërta, e pranuar publikisht, me të cilën synohet jo vetëm krijimi i familjes dhe lumturia bashkëshortore, por edhe marrja përsipër e përgjegjësisë për përkujdesjet, mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve. Përmes edukimit seksual synohet që të krijohen te brezi i ri raporte e qëndrime të drejta që do të jenë të dobishme jo vetëm për vete, por edhe për partnerin seksual, duke përfshirë këtu edhe qëndrimin ndaj pasardhësve e shoqërisë. Kjo nuk arrihet me informacione sipërfaqësore e moralizime, aq më tepër në një moshë të rritur.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Urime

Next Post

Nuk di si ta qetësoj veten...

Advertisement