Ata janë pesë, prandaj edhe grupi i tyre mban emrin “5 Yjet”. Ermira Dervishi, Gentjan Ndreu, Arben Hoxha, Bekim Ferati dhe Klodian Çollaku e duan muzikën dhe pasioni që kanë për të i ka bërë të pranishëm në shumë evente muzikore, por edhe në gëzime familjare. Ata e gjejnë veten te muzika si në asnjë fushë tjetër dhe kanë kaluar edhe kufijtë me performancat e tyre…
– Ju quheni grupi “5 Yjet”… Pse?
“5 Yjet”: – Dashurinë për muzikën e kemi pasur që në vogëli. Pasi na pikasën që kemi talent, na çonin nëpër festivalet e vogla që organizoheshin e që atëherë jemi marrë me muzikë gjatë gjithë kohës. Ne jemi 5 pjesëtarë, nga ka marrë edhe emrin grupi: Arben Hoxha organist, Bekim Ferati, saksofonist, Klodian Çollaku kitarist, Ermira Dervishi këngëtare dhe Gentjan Ndreu, këngëtar.
– Si i kujtoni fillimet tuaja?
– Çdo fillim është i vështirë për të gjithë, besoj. Të them të drejtën, nuk më kujtohet çfarë kam ndier kur kam kënduar për herë të parë, sepse kanë kaluar shumë vite, por emocionet kanë qenë të jashtëzakonshme
– Sa të lodh muzika live?
– Është shumë e lodhshme, por edhe lodhja të shpërblehet. Lum kujt i ka fal Zoti zërin e bukur për të kënduar dhe performuar muzikë live.
– Ju vetë, ndiheni të shpërblyer?
– Sigurisht që po. Kur njerëzit të kërkojnë te jesh pjesë e gëzimeve të tyre familjare, të duartrokasin, vijnë të të urojnë, është nder dhe privilegj shumë i madh.
– Në të gjitha dasmat keni dalë me sukses?
– Ne kur shkojmë në një dasmë, shikojmë në fillim si na presin e pastaj si do të vijojë dasma, ose ka pasur raste kur ne kemi shkuar para dasmorëve dhe kur shohin që jemi ne të ftuar në dasmë, thonë: “Sa mirë që do të jenë 5 yjet!”. (Buzëqesh)
– Sa ka zgjatur dasma më e madhe ku keni qenë të ftuar?
– Po, ka patur raste që kemi pasur dy dasma në një ditë, kështu që nuk mund të jap një përgjigje të saktë sa i përket kohës, por dasmat zgjasin realisht shumë.
– A mendoni se tallavaja e ka prishur pak muzikën shqiptare?
– Nuk mund të thuash e ka prishur për aq kohë sa njerëzit e duan, e kërcejnë dhe e këndojnë. Do t’u përshtatesh edhe njerëzve… Ndoshta në të ardhmen do të duan një tjetër lloj muzike. Çdo gjë është me shije.
– A mund të marrin të gjithë muzikantët të njëjtin vlerësim?
– Faktikisht, peshorja nuk është e ekuilibruar… kjo është relative.
– E gjeni veten tërësisht te muzika?
– Është e vetmja gjë që e bëjmë me pasion, kështu që nuk ka si të jetë ndryshe.
– E keni menduar të jetoni jashtë?
– Kemi kënduar e punuar jashtë, në lokale e ambiente me emër nëpër Ballkan e Evropë, si në Maqedoni, Kosovë, Gjermani, Zvicër dhe nuk e di si mund të bëhet në të ardhmen, nuk kemi vendosur ende asgjë. Ia lëmë kohës më mirë.
– Çfarë duhet për të arritur sukses në muzikë dhe kudo tjetër?
– Për të arritur suksesin e dëshiruar, normalisht duhet shumë punë, shumë përpjekje, por asgjë nuk është e paarritshme. Ne kemi besim tek aftësitë tona, kështu që sidoqoftë, do të jemi gjithmonë në kërkim të së mirës, të nivelit.
– Ku do t’ju shohim të këndoni në të ardhmen?
– Do ta ndjekim gjithnjë botën e muzikës dhe do të këndojmë kudo ku ka publik shqiptar, edhe jashtë Shqipërisë.
– A ka probleme muzika shqiptare?
– Nuk mund ta them nëse ka probleme muzika shqiptare apo jo sepse kemi kritikë mjaft të denjë për të folur për të, por unë mund të them që kemi muzikë shumë të bukur dhe shumë këngëtarë të mrekullueshëm!
– A keni pengje?
– Jemi ende në kohë t’i realizojmë…
– Çfarë projektesh ka për të ardhmen grupi “5 Yjet”?
– Kemi në plan realizimin e një klipi shumë të bukur dhe të veçantë. Shpresojmë ta realizojmë me sukses.
– Si do ta mbyllim këtë intervistë?
– Duke falënderuar gazetën “Intervista” për mundësinë që na dha për të folur për punën dhe pasionin tonë në muzikë. Gazeta juaj është vërtet për t’u vlerësuar.