Edhe 100 Gerta!

 

Më 13 janar, Hygerta Hyka mbush 11 vjeçe, 11 pranvera që na ka lumturuar me praninë e saj. E urojmë të rrojë edhe 111 vjet të tjerë, e shëndetshme, e lumtur dhe e suksesshme në jetë, bashkë me prindërit, vëllain, motrën dhe gjithë njerëzit e dashur.

 

Ti rritesh para syve tanë

një ditë nuk do jesh më fëmijë

dhe do të fluturosh me krahët e tu

sa shpejt kjo ditë do të vijë

 

Unë e di që lexon shumë përralla

me princër të kaltër e kështjella

po jeta nuk është e tillë

ka shumë vorbulla e shtjella

 

Prandaj është mirë bija ime

sa më shpejt këtë ta mësosh

në jetë duhet të bëhesh e fortë

dhe vështirësitë t’i përballosh

 

Jeta nuk ka shumë lule

shumë gjëra në jetë do durosh

po kurrë mos prano të të shkelin

për veten duhet të luftosh

 

Një porosi tjetër ke nga unë

mos duaj kurrë dikë që s’të do

nganjëherë më mirë të jesh vetëm

dhe jetën tënde jeto.

 

Se jeta të jepet veç një herë

askush s’e kthen kohën pas

mos lejo që askush në botë

ëndrrat e tua t’i vrasë

 

Të shoh kaq të brishtë

të ndjeshme, si lule të bukur

veç fat i lutem Zotit për ty

dhe të jetosh një jetë të lumtur.

 

Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:

– Me datë 19/12/2015 më ftoi në një promovim libri miku im, Servet Tartari. Oh, sa shokë e miq takova! Por… e dashur Valentina Leskaj, shoqja ime, aty mora vesh se je nga Bolena, fshati i famshëm i 52 sportistëve. Ndërkohë, andej qenka edhe Makbule Çeço. Dhe të dyja nënkryetare të Parlamentit Shqiptar, në periudha të ndryshme! Epo, çfarë vajzash paska rritur Bolena! Ju uroj gjithë të mirat të dyjave dhe lumturi e paqe në shpirt, gjatë 2016-ës. Ju përqafoj fort!

– Sa herë vij aty te Birra “Stela”, ndihem si në shtëpinë time. Kaq vjet njohje me Naçin dhe Kujtimin, por mbi të gjitha, je ti shoku im i shtrenjtë, inxhinieri Kristaq Kroqidhi. Djalë king, me gruan inxhiniere dhe vajzat po për inxhinieri. Të shkoftë mbarë 2016 dhe do Zoti, krushk Kristaq. Çfarë është për t’u bërë, më mirë të bëhet shpejt. Të përqafoj fort, njeri i mrekullueshëm!

– Ndofta edhe si forcë zakoni, në fillim të vitit bëj urime që sikur kanë një magji brenda. Akile Zisi  është njëri prej tyre. Në fakt ka magjinë e mirësisë njerëzore. Shpirt, inteligjencë, buzëqeshje dhe një prind i dy vajzave që më kënaqin, sa herë e takoj aty te “Optika-Zaiss”. Të uroj Akil, 2016, si një vit plot mbarësi dhe paqe. Urime nga zemra!

– Respekti im për Martin Cukallën ka shumë kohë që ka marrë certifikatën e fisnikërisë. Ky njeri, inxhinier, drejtor, zv/ministër, poet dhe përkthyes, gjithnjë më flet për të tjerët, kur e takoj. Këtë radhë më foli për Daut Gumenin, punën e tij si drejtor shkolle dikur dhe si njeri i penës. Ju uroj fort të dyve nga zemra! Dautin, do të përshëndes dhe andej nga Liqeni, ku ai del rregullisht. Edhe një herë: Gëzuar 2016-ën.

– Ishte i pranishëm edhe deputeti Arben Çuko, kur i thashë Xhemalit: Ti, je me notën 10, po edhe Kujtimi është dobësia ime. Si një vëlla i mrekullueshëm, më falënderon. Pra, nuk tha “unë jam deputet”, etj. etj., po tha “faleminderit”. Kujtim, përfitoj nga rasti të të uroj 2016-ën, si një vit plot mbarësi dhe paqe. Puthe dobësinë time, Gersin. Urime, njeri i mrekullueshëm!

– Mustafain e urova për 2016-ën ballëpërballë, se e takova me datë 24/12/2015. Ty, i dashur shoku im Kole Nikolli, kryetar i KSSH-së, po të uroj përmes gazetës: gëzuar Kole, familjarisht 2016-ën dhe përsa u përket titujve të ndonjë gazete: Në Shqipëri dhe kudo, nuk ngacmohet vetëm ai që nuk punon. Po punove, këtu, edhe po nuk pate, të ngjisin si mballomë gjëra të paqëna. Po puna dhe prapë punë e ndërtime, në shërbim të sindikalistëve, është deviza jote. Të përqafoj fort, miku im. Të fala Tafës!

– Respekti im për ty, i dashur Genc Ruli, është shumë kohë më parë i certifikuar. Mirëpo, jeta e personaliteti ka dinamikë, lëvizje. Për fat, personaliteti yt politik ka vetëm progres, sepse je vetvetja. Ndërkohë, më pëlqeu veçanërisht intervista me Xhaxhiun në fund të vitit që shkoi, ku analizove aq bukur arrogancën (herë fine, herë brutale) e Edi Ramës. Je po ti që nuk ke qenë i bindur verbërisht ndaj atyre që thotë Luli. Ja, këtij i them politikan unë! Të përqafoj fort Genci, dhe u bëmë për kafe! Domethënë, më ka marrë malli fort. Të uroj një vit të ri, plot mirësi dhe paqe, miku im, sa i vjetër, aq edhe fisnik!

– Hare dhe gëzime frelëshuar të uroj në 2016-ën, ty, miku im i vjetër, mjeshtri i madh i punës, Tonin Alia. Asnjë çast kapitës apo pikëllim ndjellës mos paç ti njeri punëtor, shumë punëtor, po edhe artist në shpirt. Të përqafoj fort, miku im aty tek Ardeno. Dhe… mos harro shëtitjet nga liqeni!

– Ishte pikërisht dita e Krishtlindjeve, po ecja, si gjithnjë, dhe si shumë të tjerë “Andej nga Liqeni”, kur Zoti i Madh, më dhuroi këtë krahasim. Ishulli Galapagos është unik në botë për larminë e specieve që ka. Një burim i pashtershëm për shkencëtarët. Po, edhe ky “liqeni” ynë i Tiranës, është një “Galapagos”, speciesh shpirtërore, brenda të qenurit njerëz: Gjen aty ish-kryeministra dhe ish-minatorë që s’u ka dalë tamam pensioni, matematikanë si Omeri po edhe Ministra të Jashtëm si Ditmiri, vajza për t’i pirë në kupë, po edhe njerëz që e zbrazin më shumë se një kupë tek ato klubet aty, fëmijë me kanoçe që shtyhen nga vëllai apo motra pak më e madhe. Sportistë me tuta të bukura, po edhe pleq kuksiane, që s’duan t’ia dinë për të ftohtit. E të tjera, e të tjera, e të tjera. Ju uroj nga zemra… Fat dhe mbarësi në 2016-ën. Dhe, siç tha Papa: të mos dehemi nga mirëqenia, por të mendojnë edhe për fukarenjtë! Amin!

– Ndjenja e minusit kur nuk shoh, andej nga liqeni, njerëz të caktuar, është më e madhe, se gëzimi, po për këta njerëz kur i shoh. Mërzitem pa masë kur nuk shoh Arretinë, gruan e shokut tim të shtrenjtë Omerit dhe kur nuk shoh Arlinda Dudën. Ca pjesë të “pse”-së di edhe unë t’i shpjegoj. Arretinë e shihnim të gjithë me cep të syrit, kur ishim studentë tek Ekonomiku, kurse Arlinda më jep ca tone optimizmi të papara, që burojnë sinqerisht, nga sytë e saj. Për “pse”-të e tjera, lexoni Frojdin dhe “Neurokiminë e ndjenjave”. Nga ana tjetër, lus Zotin, që edhe Vitin e Ri 2016, ata të jenë prezente, atje, kur jeta është jetë, te Liqeni ynë i dashur. Amen!

– Ky vit që u mbyll më kujtoi se u bë pothuajse një vit që nuk të kam takuar, e dashur Monika Kryemadhi. Në fakt, të kam parë në televizion, në disa evente, por jo “dal vivo”. Si thotë kënga e Luana Vjollcës: “Du me t’pa”, ty njeri me zemrën e madhe dhe fisnikërinë “bio”. Qoftë i paqtë viti 2016 dhe puthi fort fëmijët, mike e mrekullueshme Monika. Të fala Ilirit!

– Aty tek Universiteti Polis, një urim të veçantë e kam për mikun tim, pedagogun-arkitekt Arben Shtylla. Po sigurisht, edhe për 4 bashkërektorët, që janë në krye të një procesi mësimor dhe kërkimi shkencor, nga më frytdhënësit në Shqipëri. Do vijë një ditë (në mos ka ardhur), kur njerëzit do thonë “Aaa, me atë, mos u kruaj, se ka mbaruar te Polisi!”. Ju uroj të gjithëve, që 2016-a, të jetë një vit plot begati dhe paqe! Urime!

– Edhe pse jo më i ri (madje plak), Viti 2015 qe për mua i mbushur me pasione, ku dallonin dy: Ai për natyrën dhe femrën e bukur. Po të shikoni rubrikën e dashur “Urime” tek “Intervista”, do të bindeni. Një përligjje e kam: Pasionet njerëzore, njëlloj si sëmundjet, as gjykohen e as dënohen dot. Por, ato as edhe përligjen: ato vetëm mund të përshkruhen! Shungullimat e tyre marramendëse mund të merren me mend, ato mund të të habisin, të të mahnitin, mund të konstatohen me drithërima zemre, mund të mbetesh i shastisur, gojëhapur përpara forcës së tyre të stuhisë, që ashtu si në natyrë, edhe brenda meje mund të bëjnë batërdi, mund të shkatërrojnë jo më pak se shkrepëtimat dhe gjëmimat në netët me furtunë! Nuk e di ç’mendim kanë shoqet e mia të “Intervistës” për këtë të cilat me këtë rast i uroj kaq lumturi në 2016-en. Dhe… vallahi, atë burrelsen pak veçmas. Epo, sapo e thamë: bukuria!

– Paraditen e datës 31/12/2015 më dhurove një emocion pozitiv shumë të fortë, i dashur miku im Safet Gjici. Po bëhej një banket, aty te ty, ndofta me futbollistet dhe ti… po! Kishe veshur një kostum shumë të bukur, me një të zezë të ndritshme, këmishe të bardhë dhe kollare të kuqe, kuq e zi! Nuk m’u duk rastësi, miku im i shtrenjtë, që e ke zemrën më të bardhë se këmisha e bukur dhe e bardhë që kishe veshur! Të uroj kaq shumë.

– Surprizën më të bukur viti që shkoi ma solli me dt 30.12.2015. Trafik i paparë! Si çdo vit, në këtë ditë: (pazaret e fundit, emigrantet etj. etj.). Ndërkohë miqtë e mi taksistë nuk gjendeshin. Dhe unë që… duhej të vija te EHVV-ja, për të marrë një dhuratë për fëmijët. Dhe… O Zot! Që andej, te miku im Tom Doshi, për të marrë diçka. Ç‘të bëja?! Por, ja që ka Zot! I ngre doren një taksie rastësore. I shpjegoj dhe e “çamë” rrethimin. Shoferi quhej Landi. Është çam. Ka një fëmijë… Atë ditë nuk e ndau telefonin, se kishte edhe nënën të sëmurë. Sigurisht që edhe unë bëra timen. Dhe… mund të kish mbaruar këtu. Por, jo! Ky djalosh (në fakt burrë 41 vjeç) më dërgon një urim për Vitin e Ri! U ngroha fort. Dhe po ia kthej nga gazeta “ime” e shtrenjtë: Të uroj fort Landi, që je kaq njerëzor! Fat dhe mbarësi në 2016-ën. Puthe fort nënen!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *