– Përshëndetje. Kam një pyetje për Dr. Evin. Si ka mundësi që me femra të tjera dikush kryen marrëdhënie normalisht e me partneren jo? Mospërshtatja seksuale është psikologjike apo fiziologjike? A ka zgjidhje mospërshtatja seksuale? Pavarësisht se ne si çift duhemi shumë, në këtë pikë nuk përputhemi dot!
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – Mendoj se ky dikush që përshkruani, jeni pikërisht ju! Atëherë, pyetjet që më drejtoni do t’ju thoja që do t’i shkonin më përshtat një psikologu, ose mund të bëheni vetë psikologu i vetvetes në raste të tilla, sepse ju e dini se çfarë çalon në marrëdhënien tuaj seksuale me bashkëshorten. Duke qenë se me femra të tjera bëni marrëdhënie seksuale normale, do të thotë që ju nuk keni asnjë lloj problemi fizik. Gjithë problemin e keni psikologjik. E them këtë sepse përderisa shpreheni se e dashuroni gruan tuaj, do të thotë që s’ka arsye të mos keni përputhje seksuale. Ka dhe raste të tilla, por janë shumë të veçanta dhe po të dëshirojë vetë çifti, mund ta zgjidhë këtë problem duke e pranuar që ka diçka që nuk shkon në marrëdhënien e tij seksuale. Trajtojeni këtë problem me bashkëshorten tuaj, flisni hapur, bëjini një analizë marrëdhënies tuaj dhe shikoni se ndoshta problemi qëndron te ju. Ndoshta ju ndjeni se e keni konsumuar marrëdhënien me gruan dhe kërkoni gjithmonë stimuj të rinj, gjëra të reja. Atëherë përse të mos eksperimentoni fantazitë tuaja seksuale me gruan tuaj dhe të bëni ato çfarë bëni me femrat e tjera. Shpesh ndodh që burrat hapen më shumë me “dashnoret” sesa me femrën e jetës së tyre dhe bëjnë shumë gabim. Mos kini frikë se mund të paragjykoheni nga bashkëshortja, përkundrazi, ajo do t’ju vlerësojë dhe do të bëjë të pamundurën që t’ju kënaqë në të gjitha drejtimet. Në rast të kundërt, nëse shikoni që gruaja juaj është e ftohtë, pyeteni drejtpërsëdrejti se çfarë ka, a i mungon gjë, a ka ndonjë problem shëndetësor. Propozojini momente erotike së bashku duke provuar gjëra të reja, gjithmonë nëse ju dëshironi të keni një marrëdhënie të shëndetshme me gruan tuaj. Ndryshe, do të bëni gjithmonë jetën që po bëni, i shpërndarë me shumë femra. Mospërshtatja në rastin tuaj më duket më shumë psikologjike sesa fizike, duke qenë se shpreheni se e dashuroni partneren tuaj!