– Kam parë në ëndërr para dy netësh sikur më ranë dhëmbët dhe fillova të qaja, por nuk shikoja lot. Më ranë dy dhëmballë, pastaj dhëmbët e parë. Nuk ndjeja dhimbje, por isha shumë e shqetësuar. Jam e shqetësuar, sepse thonë që kur të bien dhëmbët, do të ketë një vdekje në familje. A është e vërtetë?
– Po e filloj nga fundi shpjegimin e ëndrrës suaj. Mos u bëni merak, ëndrra s’ka lidhje me ndonjë vdekje apo me humbjen e ndonjë familjari. Përsa i përket shpjegimit, dhëmbët përdoren për të kafshuar, copëtuar dhe përtypur, ndaj në shumicën e rasteve përfaqësojnë pushtetin. Humbja e tyre parashikon një situatë reale ku ju jeni treguar ose do të tregoheni e pafuqishme përballë disa vështirësive. Mund të ketë lidhje me punën tuaj, ose me jetën personale. Nëse jeni në një situatë të tillë, atëherë është normale të shikoni ëndrra të tilla. Lotët tregojnë dëshpërim nga ana juaj. Ëndrra ju këshillon të tregoheni më e vendosur për të dalë nga kjo situatë dhe të mbroni atë çfarë është e juaja. Mos e lini veten të bini edhe më në dëshpërim. Çdo gjë është kalimtare. Edhe ëndrrat janë të tilla.