Sot, ajo mund të kishte qenë edhe një nga “bluzat e bardha”, derisa pasioni për këngën dominoi dhe vendosi të “shërojë” me muzikën. Dhe, sa për këtë të fundit, nuk mund të thuash asgjë më shumë nga sa ka thënë puna e saj në këto 17 vite në treg, falë një sërë faktorësh të cilët na i tregon vetë vajza nga Durrësi me banim në Prishtinë dhe veprimtari në Diasporë. Lori, na flet këtë herë nga Italia, ku ka shkuar për të vizituar familjen dhe për të bërë pak shopping në këtë prag festash, përpara xhirimeve të fundvitit, ndërkohë që sapo ka sjellë këngën e saj më të fundit “I papamë”…
Alma Buci: – Lori, si u realizua kënga “I papamë”?
Lori: – Kjo këngë ka qenë për Energy band në fakt dhe ata edhe e kishin regjistruar dhe hedhur zërin, por pastaj, për çështje stili, ndryshuan mendje, kurse unë i ndryshova tekstin dhe ja ku jam! (Buzëqesh)
– Kush është personi më i papamë që njeh?
– Eh, është njëri…
– Ai për të cilin u tha se ishe fejuar me të?
– Jo. Nuk ka asgjë të vërtetë këtu, kjo ka qenë thjesht një shaka e bërë në emisionin e Bigit. Fejesa është diçka e bukur ndaj nuk ke pse e mban të fshehtë. Sot nuk të fejojnë më të tjerët, fejohesh vetë.
– Një tjetër thashethem i kohëve të fundit është edhe ai për operacionet plastike të bëra nga artistët, ku thuhej se ti kishe bërë buzët…
– Është e habitshme deri ku shkojnë, sa spekulime që bëjnë… Në foton që kanë gjetur, duket qartë që është lyer buza më lart se zakonisht, por këto janë gjëra estetike që mund t’i bëjë cilado femër, edhe në kushtet e shtëpisë. Unë nuk kam bërë asnjë operacin plastik. Nëse do ta kisha bërë, nuk do ta kisha problem ta thoja.
– Kjo që thua ti, kundërshton deklaratën e Tunës, e cila e ftuar në emisionin “6 ditë pa Ermalin” deklaroi se të gjitha ato femra të shoubizzit që thonë se nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje, gënjejnë. Cili është komenti yt për komentin e Tunës?
– Nuk e kam dëgjuar dhe nuk mund të flas për këtë gjë. Tuna le të flasë për veten. Të tjerët flasin vetë për veten e tyre. Unë flas për Lorin dhe, siç e përmenda, nuk kam bërë ndonjë të tillë.
– Pyete pak Lorin të lutem, ku ndodhet tani që po flasim?
– (Buzëqesh) Ndodhem në Itali, te familja ime. Në fakt, jam këtu për të vizituar familjen si dhe për të bërë pak shopping në Milano, për xhirimet e fundvitit.
– Ke 13 vjet që jeton dhe punon në Prishtinë… Si u vendose përfundimisht atje?
– Deri në moshën 13 vjeçare unë kam jetuar në Korçë, pastaj duke qenë se babi ishte oficer, lëvizëm në Durrës. Aty vazhdova shkollën e muzikës, pastaj bëra 2 vjet Mjekësi të Përgjithshme dhe këtë e kam nga mami, pasi ajo ka punuar gjinekologe. Më pas vendosa të merresha me muzikë dhe si fillim, shkova në Zvicër, pastaj në Maqedoni. Në Prishtinë shkova për të lançuar albumin e dytë dhe përfundova aty, pasi aty i kisha të gjitha afër; Maqedoninë, Shkupin, Tiranën.
– E lindur në Korçë, rritur në Durrës, banuese në Prishtinë dhe shëtitëse kudo në Diasporë… Ku e ndjen veten si në shtëpi?
– Pas 13 vitesh banimi në Prishtinë, tashmë atje ndihem si në shtëpi. Megjithatë, kurrë nuk i dihet cili do të jetë stacioni i fundit sepse nuk bëj plane afatgjata.
– Çfarë mendon se të ka mbajtur në vëmendje këto 17 vite në tregun e muzikës?
– E para, jam munduar të ngrihem profesionalisht, çdo herë kam mësuar nga gabimet e mia, mangësitë që ka patur një projekt dhe kritikat e njerëzve te të cilët unë besoj dhe që më kanë vlejtur për projektin e radhës. Pastaj, kam qenë sa më afër publikut me repertorin e pasur nga jugu në veri, si dhe të kënduarin live. Shtoj investimin që kam bërë dhe përgjegjësinë që kam patur për të bërë gjëra që ia vlejnë… Me pak fjalë, jam munduar t’i përkushtohem tërësisht këtij profesioni.
– Nëse flasim për kritika, kujt ia beson ato?
– Familjes dhe disa bashkëpunëtorëve të mi, miqve që u besoj. Tani jam bërë edhe vetë kritike sepse gjithë këto vite të mësojnë. Ti e kupton kur diçka shkon apo nuk shkon, pasi jeta vetë është një shkollë.
– Është një treg “peshkaqenësh” ai i muzikës sot?
– Në njëfarë mënyre po, por fatmirësisht, unë nuk pasur asnjëherë probleme me kolegët.
– Një emër kolegeje me të cilën ke më shumë afrimitet?
– Kam disa, por Violeta Kajtazi është një vajzë që këndon këngë popullore dhe që e kam edhe komshie, edhe kolege. Unë kam miqësi me të gjithë, edhe me repera kam miqësi…
– Ke ndonjë mik gej?
– Kam plot miq gej. Janë njerëz normalë, mua më pëlqen shoqëria me ta.
– Ndonjë ide për bashkëpunim me ndonjërin prej tyre?
– Asnjëherë nuk i dihet. Unë nuk ndalem asnjëherë duke prodhuar, jam gjithnjë në proces…
– Që të jesh dhe të mbetesh në treg, është e domosdosme një këngë e re me klip apo mjaftojnë edhe aq sa janë, nëse janë të sakta?
– Për ne këngëtarët e muzikës live që e kemi tregun tonë, që njerëzit e dinë si këndojmë se kanë qenë në mbrëmjet tona, neve është të kënduarit live që na mban. Normale që një këngë hit e re ta shton punën e honorarin dhe në këtë situatë, ku tregu nxjerr çdo ditë nga një këngëtare të re, duhet të sjellësh diçka të re që të jesh në treg.
– Këngëtare të reja të mira?
– Kida, Era Istrefi, Dhurata Dora janë të veçanta dhe kanë stil.
– Çfarë thua me vete kur hap televizorin në një kanal muzikor dhe sheh që ka dalë një këngëtare e re që nuk përcjell asgjë?
– Gjynah që investon, them, se ato para mund t’i kishte shpenzuar shumë mirë në diçka tjetër. Gjithsesi, gjithsecili e di vetë, ka vend për të gjithë; secili e ka publikun e vet.
– A e justifikon pagesa talentin e një këngëtari?
– Jo gjithmonë. Në momentin që një organizator të thërret në një koncert apo mbrëmje, ai niset gjithmonë nga fakti se sa publik sjell ti. Nëse ai publik është aty për vokalin, për hiret, apo për sjelljen skenike, kjo ka pak rëndësi, kështu që jo gjithmonë janë në proporcion të drejtë.
– Ti ke një menaxher që merret me anën financiare apo i bën vetë të gjitha?
– Kam patur një menaxher, kurse tani merrem vetë, pasi pjesën më të madhe të organizatorëve pas kaq kohësh në këtë punë e njoh, por kam edhe një asistente që më ndihmon.
– Për çfarë interesohesh më së shumti kur të vjen një ftesë?
– Për gjithçka, që nga udhëtimi me avion, hoteli ku do të rrish. Edhe vendi ku shkon për të kënduar ka rëndësi…
– Nga të buron gjithë kjo energji pozitive?
– Nuk e di nga më vjen. Edhe kolegët më pyesin gjithmonë për këtë, ndoshta ngaqë e dua shumë jetën dhe punën që bëj.
– Personi tek i cili shkon për një këshillë?
– Familja dhe Aida e Armendi, dy miqtë e mi.
– Si është të jetosh vetëm?
– Ka të mirat dhe të këqijat e veta. Të mundon idea që kur kthehesh në shtëpi ta gjesh diçka gati, një darkë të gatuar apo një veshje të hekurosur, por ka dhe anën tjetër të medaljes se kjo puna jonë ka stres dhe ti do që ta kalosh vetëm. Në fakt, nuk është mirë të rrish vetëm. Janë thjesht momente kur ti e do vetminë, por mua nuk më pëlqen vetmia.
– Në ç’orë mblidhesh në shtëpi?
– Unë jam natyrë shtëpiake, më pëlqen të fle herët se gjumi i ditës nuk e zëvendëson asnjëherë atë të natës. Bëj jetë normale, s’para dal për jetë nate se mjafton puna që kemi. Zakonisht, ditën dal me shoqe për kafe ose për drekë.
– Çfarë mendon për martesën?
– Thjesht mendoj që do të vijë në një moment si çdo gjë tjetër, por mund edhe të bashkëjetosh përpara martesës dhe ndoshta është më mirë kështu sepse e njeh më mirë dhe kupton nëse ia vlen apo jo të vazhdosh. Martesa është diçka e shenjtë.
– Të përndjek presioni i familjes për të zgjedhur dikë dhe për t’i vënë pikat mbi i më në fund?
– Unë jam shumë e lirë në këtë drejtim se ata të mitë kanë besim tek unë dhe ma kanë lënë çdo gjë mua në dorë. Ajo është diçka që kur ndodh, është për të gjithë jetën.
– Në takimin me një mashkull, çfarë vë re si fillim?
– Mënyrën si është veshur sepse veshja tregon njëfarë kulture, njëfarë personaliteti. Pastaj, nga tiparet sy, buzë, duar… (Qesh)
– Me cilin tip mashkulli nuk do të dilje asnjëherë?
– Me një që ka si kryefjalë “Unë”. Unë kështu, unë ashtu… Edhe që flet shumë, që bën thashetheme si gratë e liga.
– Ke provuar ndonjëherë ndonjë substancë të ndaluar?
– Jo, jam shumë kundër këtyre gjërave. Nuk jam fare kurioze, madje më rrënqethet trupi vetëm kur e mendoj. Unë nuk pi as cigare, as alkool, nuk më pëlqejnë këto gjëra. Ndoshta e dua jetën shumë.
– Kur dhe për çfarë e ke marrë gjobën e fundit?
– Për tejkalim shpejtësie, në Kosovë. Ka qenë e para dhe e fundit se s’para më ndodh, jam shumë e kujdesshme.
– Do ta lije muzikën nëse do të fitoje llotarinë?
– Nuk e di, nuk e kam menduar. Muzika është ajo që më mbush, më plotëson. Nuk e di si do të ishte jeta pa të.
– Kur të zë frika?
– Unë nuk kam frikë… Çdo gjë ia lë Zotit në dorë, çdo gjë është e shkruar, çdo gjë që vjen, është e mirëseardhur.