Laura apo Izaura? Iggy apo Nicki? I gjeni të gjitha në këngën më të re të aktores dhe këngëtares Laura Nezha që në këtë klip ka mundur t’i sfumojë edhe koleget ndërkombëtare duke u shfaqur më sensuale dhe tërheqëse se kurrë. Një nga ato këngë që mund të konsiderohet “dashuri me dëgjim të parë” dhe që do t’ju bëjë të ndaloni çdo gjë që keni për të bërë, pasi ju sigurojmë se ka shumë për të shijuar…
Alma Buci: – Laura, kënga “Luv that” duket se vjen si një dhuratë për fansat në këtë fillimvit. Të shohim sensuale, me besim në vetvete, të talentuar…
Laura Nezha: – Është një rikthim për të cilin kemi punuar gjatë dhe ndodhi të finalizohej tani.
– “Laura kërcen, Laura këndon, vazhdon regji edhe aktron” është pjesa hyrëse e këngës. Në fakt, Laura ku qëndron te këto të katërta?
– Secila ka pjesë tek unë, por jam shkolluar për regjisore dhe aktore.
– Je ndër të paktat këngëtare që qëndrojnë një kohë të gjatë për të sjellë një punë të mirë dhe je tërësisht e justifikuar.
– Kam besuar gjithmonë në parimin se për ta bërë diçka mirë, duhen fokusuar energjitë. Duke qenë se muzika nuk është drejtimi im i vetëm, duhet gjetur hapësirë për të gjitha.
– Çfarë gjen të përbashkët me skllaven Izaura? Pse ky detaj në tekst?
– Rimojmë, kaq. Pastaj po ta lidhim me historinë e letërsisë, edhe Laurës i janë thurur poema. (Buzëqesh)
– “Supertrup, superzë” janë komentet që shoqërojnë videon në youtube… Si të bëjnë të ndihesh?
– Më vjen mirë që publiku ma ka evidentuar gjithmonë zërin, krahas komplimenteve të tjera. Fundja, unë jam produkt i një talentshou si “Gjeniu i vogël”!
– Këngët e mira janë në dorën e këngëtarit apo të kompozitorëve?
– Merita i takon Stines, krijuesit të këngëve të mia. Kënga kalon përmes një procesi ku shkëmbejmë shumë ide për të dalë më e mira. Unë kam në dorë t’i jap jetë përmes interpretimit.
– Kënga për të cilën sa herë që e dëgjon thua: “Kjo duhet të ishte kënga ime”?
– Ka shumë, aq më tepër që unë dëgjoj rryma të ndryshme dhe më përshtaten disa zhanre.
– Ngjarja më e bukur muzikore në vend?
– Ajo që nuk është zhvilluar ende, por le të shpresojmë.
– Po ngjarja teatrore në të cilën do të doje të ishe e përfshirë?
– Ngjarja e vërtetë dhe më e bukur teatrore për mua ndodh në skenë, aty për aty, kur interpretoj.
– Në një dhomë të mbushur me art, çfarë do të ta tërhiqte syrin?
– Diçka që do të lidhej me pasionet e mia, sepse vëmendja dhe kënaqësia estetike për gjërat thellohet me njohjen e tyre.
– Shpirtërisht dhe mendërisht, për çfarë do të ishe e gatshme tani?
– Për të vazhduar me këtë energji dhe motivim.
– Beson në teorinë se kur e do vërtet diçka, i gjithë universi bashkëpunon duke bërë të mundur që ajo të ndodhë?
– Po, sepse besoj në potencialin e pashtershëm njerëzor.
– Cili është vendi yt i preferuar, mënyra jote për t’u relaksuar?
– Të udhëtoj larg, të ndryshoj ambient.
– Çfarë të sjell paqe të brendshme?
– Kur njerëzit e dashur i kam mirë dhe kur ndihma ime ka shërbyer.
– Ka diçka që mezi pret të bësh sapo zgjohesh në mëngjes?
– Jo, sepse mëngjeset e mia nuk janë edhe aq të ngjashme.
– Cili është qëllimi që i ke vënë vetes në jetë?
– Të realizohem!
– Ka një gjë që pendohesh që të ka ikur me rritjen?
– Kur je fëmijë, u gëzohesh edhe gjërave fare të parëndësishme. Me rritjen, kjo ndjesi të braktis.
– Çfarë do ta bënte botën një vend më të mirë?
– Të ishim më dashamirës ndaj njëri-tjetrit. Kaq e kemi në dorë.
– Çfarë do t’i thoje Laurës së disa viteve më parë?
– Faleminderit që duke besuar te vetja, më solle në versionin që jam sot.
– Si e çliron veten nga negativiteti?
– Duke reflektuar për ta parë situatën më gjerë, drejt fenomenit dhe jo momentit.
– Imazhi që ke në kokë për Laurën mama?
– Një mama me kohë të plotë, që ndër të tjera do të ketë gjithmonë predispozitën për të kuptuar dhe mbështetur botën e fëmijëve të saj.
– Diçka që të ka mësuar shumë?
– Po mësoj të mos stresohem për gjëra që nuk i kam në dorë.
– Si je përballë gjinisë tjetër?
– Njëlloj.
– Një detaj që ka vëmendjen tënde, menjëherë?
– Profesioni më ka bërë t’i vë më shumë re detajet, sidomos në sjelljen e njerëzve. Për shembull, lëvizja e duarve gjatë të folurit shpreh gjendjen emocionale.
– Një mesazh për dikë, publikisht?
– Lumturohem kur kuptoj se te publiku kam transmetuar përtej asaj që duket. Prandaj dua t’i falënderoj pa masë për dashurinë që më japin.
– Historia më e bukur e dashurisë?
– Ajo e çiftit që u rritën dhe u plakën bashkë.
– Mbrëmja ideale?
– Një mbrëmje që të ofron privatësi, larg zhurmës dhe vëmendjes.
– Çfarë gjen për të ndryshuar te vetja?
– Natyrën time perfeksioniste.
– Për çfarë je duke shpenzuar kohë tani?
– Për këngën e re dhe premierën e re në teatër.
– Një çështje, një situatë në të cilën mund të kishe bërë më shumë?
– Gjithmonë mund të bëjmë më shumë.
– Një pyetje që s’ka marë ende përgjigje?
– Dilemat nuk do të marrin kurrë përgjigje.