“S’ki ide” titullohet klipi i saj i fundit, por a e kishte idenë vetë Kida se do të kthehej në njërën prej këngëtareve më të suksesshme të dy viteve të fundit? Kjo ishte arsyeja pse e zgjodhëm Kidën si personazhin e fundvitit, për të reflektuar bashkë me të për vitin që kaloi me vështirësitë e sukseset e tij dhe për ambiciet për vitin e ri që vjen… Kida bën pjesë tek ato këngëtare që ka pak fjalë dhe shumë punë, por këtë bisedë të ngrohtë fundviti, ne e kemi shoqëruar me shumë buzëqeshje. E përhumbur në pyetjet festive, ajo e ndjen veten tamam në atmosferë festash, prej nga ku na përcjell edhe neve ndjesitë e saj. Le të “darkojmë” me Kidën në këtë intervistë festive, duke e mbyllur me një dolli dhe me një urim për të gjithë ju: Gëzuar 2016!

 

Mia Buci: – Kida, këtu në Tiranë, atmosfera e fetsave ndihet kudo… Pemë në qendër të qytetit, dyqane të mbushura me njerëz që zgjedhin dhuratat, aromë gështenjash të pjekura, këngë krishtlindjesh… Ç’më thua për qytetin tënd?

Kida: – (Buzëqesh) Jam shumë e angazhuar me punët e fundvitit, por qysh e kam parë qytetin tim, e kanë stolisur për mrekulli.

– Kush e zbukuron pemën në shtëpinë tënde?

– Pemën në shtëpinë time e zbukuron mami, por kur kam kohë, edhe unë.

– Po e ndjen atmosferën festive këto ditë?

– Po e ndjej dhe është një ndjesi e papërshkruar. Për më tepër, në këtë muaj të stolisur unë kam edhe ditëlindjen. (Buzëqesh)

– Si do ta quaje 2015-ën?

– 2015-a ishte viti më i suksesshëm për mua.

– Projekti yt më i ri “S’ki ide” vazhdon të ndjekë shembullin e këngëve të tua të para… Çfarë të bën ty të suksesshme?

– Puna dhe angazhimet e mëdha që kam. Thjesht, më shpërblehet puna që bëj.

– Ku do të të gjejë ndërrimi i viteve këtë herë?

– Në Ferizaj, në COCO club.

– Jam kurioze të di se si do të ishte një tavolinë festive me ushqime të përgatitura nga ti vetë…

– (Qesh) Një tavolinë e shtruar nga unë do ishte e mrekullueshme. Kaq di t’ju them…

– Gatimi që e ke specialitet?

– Pastat dhe sallatat e ndryshme.

– Ushqimi që të pëlqen dhe që e konsumon më shumë gjatë festave?

– Ah… ushqimi që e përgatisin dy prindërit e mi dhe vera.

– Ke frikë se mos shton në peshë pasi nuk iu reziston dot ushqimeve të gatuara nga mami?

– Jo, se di të ruhem mjaft mirë. (Qesh)

– E mban mend kur e mësove për herë të parë që Babagjyshi nuk ekzistonte? Si u ndjeve?

– Po, e mbaj mend. Isha në kopësht në moshën 4 vjeçare kur e mora vesh dhe u ndjeva mjaft keq!

– Për çfarë i shkruaje atij? Çfarë dhuratash i kërkoje?

– Në atë moshë unë nuk i shkruaja letra Babagjyshit, por kërkoja nga prindërit e mi një dhuratë të madhe, me shumë çokollata dhe kukulla barbi. (Qesh)

– Më shumë bën apo merr dhurata?

– Më shumë marr.

– Ke menduar për dhuratat e këtij viti?

– Po, e kam menduar nga një dhuratë të bukur për të dashurit e mi. (Buzëqesh)

– Më thuaj një dhuratë që ke marrë apo që e ke gjetur poshtë pemës deri tani?

– Të gjitha kanë qenë të veçanta. (Buzëqesh)

– Si janë ditët e tua gjatë atmosferes së festave?

– Mëngjesin e nis me një kafe me mamin.

– Dreka vazhdon…

– …në studio, me punë.

– Dhe mbrëmja mbyllet me…

– Mbrëmjen e mbyll në shtëpi me dy të dashurit e mi… prindërit.

– Cili ka qenë ndërrimi i viteve më i bukur që ke kaluar deri tani?

– 2014-a, sepse aty arrita suksesin tim.

– A praktikohet edhe te ju formula standarde ku të rinjtë natën e ndërrimit të viteve deri në orën 00:00 e festojnë me familjen dhe pas kësaj ore, me shoqërinë?

– Po, edhe këtu njësoj. (Qesh)

– Nëse në këto momente të them: borë, oxhak, film, çokollatë e ngrohtë… çfarë të vjen ndërmend?

– Yumi yumi… Ajo çokollata e ngrohtë, i thotë të gjitha. (Buzëqesh)

– Thonë se Krishtlindja më e bukur kalohet në Nju Jork…

– Kur të shkoj në Nju Jork, do të ta jap përgjigjen. (Qesh)

– Mban edhe ti të brendshme të kuqe në mbrëmjen e Krishtlindjes?

– Jo, nuk e ndjek këtë traditë.

– Ngjyrat tendencë të këtij fundviti janë jeshilja dhe e kuqja… Cili do jetë luku yt në natën e ndërrimit të viteve?

– E kuqja, pa diskutim. (Buzëqesh)

– Çfarë pret nga viti 2016?

– Punë dhe vetëm punë.

– Ke diçka të cilën nuk e organizove dot në 2015-ën?

– Krejt çka kam patur në plan, i kam realizuar në 2015-ën. Ka qenë një vit i mbarë për mua.

– Këtu nga po të shkruaj, kam në sfond këngën “Jingle Bells”… Po ti, ç’po bën në këto momente?

– Edhe unë po dëgjoj muzikë dhe po pushoj. (Buzëqesh)

– Një aromë që të kujton Krishtlindjet…

– Aroma festive që mbretëron gjithandej.

– Urimi yt për Vitin e Ri?

– Urime 2016-ën! Shëndet, lumturi dhe punë. Gëzuar! (Buzëqesh)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here