– Jam një vajzë që nuk më ka ecur shumë në dashuri, pasi u fejova dhe fejesa ime u prish ngaqë ai ishte shumë xheloz. Pas rreth një viti, unë u njoha me një djalë tjetër dhe tani jam fejuar me të. E duam njëri-tjetrin dhe shkojmë mirë, por herë pas here më kap paniku se mos bëj ndonjë gabim dhe ndahem edhe nga ky. E them këtë sepse e ndjej që kam vështirësi në komunimim me të, aq më tepër që ai është në emigracion dhe sepse unë, si natyrë, jam pak e ndrojtur. Ju lutem më jepni disa këshilla se si të sillem me të. Çfarë të kem parasysh që ta bëj dhe që të mos e bëj kur komunikoj me të? Jam në ankth dhe mezi po e pres këtë përgjigje…
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuar vajzë, shumë vetë më kërkojnë këshilla të tilla “si të flas me atë?”, “si të jem më e lirshme me të fejuarin?” etj. Këtu “receta” nuk ka dhe vetëm bëj si të ndjehesh më mirë, fol si të të vijë për mbarë, sepse kur dy vetë duhen apo fejohen presupozohet se janë si dy miq e shumë më tepër se kaq. E kam thënë shpesh, por po e përsëris edhe një herë se, në qoftë se do një martesë të lumtur, martohu me mikun tënd. Por këtu qëndron edhe problemi yt dhe qofsha i gabuar! Ti vajzë, e zhgënjyer dhe e trembur nga fejesa e parë, e akuzuar kot së koti prej tij, ndoshta ke nxituar për t’u fejuar sërish… Mos ndoshta si shpejt? A mos ndoshta ti, si shumë të tjera, nxitoni ta shpallni fejesën ende pa u njohur si e sa duhet e pa i kaluar ca “teste” jetësore? Ku e njohe ti atë aq mirë e aq gjatë, pasi ai qenka në emigracion? Dikur fejesa shërbente si një “paradhomë” për të kuptuar a duhej vajtur domosdoshmërisht në martesë apo jo. Në të kaluarën, për shkak të prapambetjes dhe anakronizmave, nuk ishte e lehtë të “bëje mbrapsht” nëse fejoheshe, por mbaj mend se që në vitin 1967, kur u shpall “lufta kundër zakoneve prapanike”, u fitua edhe njëfarë guximi, që vajzat e fejuara me shkuesi ose pa dëshirën e tyre, t’i prishnin fejesat dhe ky ishte për atë kohë një hap jo pak i rëndësishëm. Sot, kjo gjë ka avancuar edhe më shumë, pasi askush nuk e detyron një vajzë të fejohet ose të nxitojë për një fejesë të dytë vetëm e vetëm se i erdhi koha ose sepse u prish fejesa e parë. Edhe koncepti i virgjërisë sot e ka humbur pak kuptimin e rëndësisë. E rëndësishme është që njeriu të jetë i “virgjër” në shpirt (i pastër), pastaj ç’faj ka ai sepse nuk i eci mbarë, u zhgënjye ose u nda, u divorcua, pra, bëri një kthim mbrapa, një zgjidhje, për të bërë një zgjedhje të re më të mirë? Sot, para se të shkohet në fejesë, ka edhe parafejesë e pse jo, para se të shkohet në martesë, ka edhe bashkëjetesë.
– Por, siç thuhet, shtëpia me tjegulla e jeta me rregulla. Në çdo rast, duhet parë se çfarë të mirash e dobish vijnë nga një lidhje dhe ku të çon ajo. Dy vetë, para sesa të lidhen, duhet të paracaktojnë rregullat dhe kushtet, pse jo, me shkrim, si një kontratë. Dy vetë duhen atëherë kur ata ndihen shumë mirë me njëri-tjetrin dhe ndikojnë pozitivisht në ngritjen e tyre shpirtërore (dhe ekonomike), por janë të aftë që të jetojnë edhe pa njëri-tjetrin. Në qoftë se një lidhje ka vuajtje dhe varësi të tepruara, kjo do të thotë se aty, më tepër sesa dashuri, ka parazitizëm. Aty nuk ka zgjedhje, por ka nevojë, pra, ka pak ndjenjë. Shumë vajza e mendojnë fejesën apo martesën si zgjidhjen “përfundimtare” të jetës dhe nuk synojnë aq sa duhet për të fituar shkolla e profesione të jenë të pavarura në jetë. Martesa nuk duhet të jetë një qëllim në vetvete dhe nuk duhet parë si e tillë. Ligji i bukur natyror është se femra është krijuar për mashkullin dhe mashkulli është krijuar për femrën, pra, ky “ligj” nuk duhet shkelur, se natyra “ndëshkon” pastaj format e tjera. Fejesa, martesa, bashkëjetesa etj. janë vetëm ca si rregulla që i ka shpikur njerëzimi si shumë shpikje të tjera dëshpëruese, por që ndonjëherë disa pikëpamje kryesisht fetare të shkruar shekuj më parë, kur njohuritë shkencore ishin të pakta, janë në ca raste intolerante. Sot ka shumë liri dhe mundësi për të ndërtuar një martesë të qëndrueshme, por problemi qëndron edhe tek aftësitë dhe përgatitja që ka njeriu, pasi nuk është e lehtë për ta ruajtur martesën se jeta e bujshme e civilizimi i sotëm atë e sulmojnë shumë. Shumë pyetje më janë bërë e më bëhen se përse ndodhin zhgënjimet në dashuri, ndaj tani unë në radhët vijuese, do të jap me pak fjalë shpjegimin shkencor psikologjik për këtë çështje:
Atëherë, përse ndodhin zhgënjimet në dashuri?
“Bukuria shkon e vjen, kurse zemra s’të gënjen”, thotë populli për dashurinë e vërtetë. Psikologët argumentojnë se dashuria e thellë e madhe dhe e fuqishme jo vetëm që nuk e përjashton miqësinë, por përkundrazi, e presupozon atë. Vetëm miqësia e vërtetë, e lidhur me sinqeritet, në njohje e pjekuri ndjenjash, çon në dashuri të vërtetë e martesë të lumtur. Zhgënjim do të thotë të gënjesh veten ose të besosh diçka të gënjeshtërt, gjë që ndodh më shumë te dashuritë me shikim të parë, të cilat mund të përfundojnë në martesë. Në disa raste, pas disa muajsh, ndoshta edhe vitesh, gjatë fejesës ose në martesë, lind ndjenja e deziluzionit në dashuri. Domethënë, i riu ose e reja kupton se ka gabuar në zgjedhjen e bashkëshortit, me fjalë të tjera, nuk e ka gjetur atë që ka synuar, pra, vëren se nuk ndien dashuri për të, siç shpresonte. Deziluzioni mund të jetë pasoja e kontradiktës ndërmjet paraqitjes së jashtme dhe realitetit, por zhgënjimi ndodh edhe në disa raste kur “kandidati” për dashuri shikohet jo ashtu siç është në të vërtetë, po siç dëshiron ta shohë partneri, domethënë, e quan ose e imagjinon atë si njëfarë ideali, kur në fakt nuk është i tillë. Zakonisht, në këto raste, fajësohet seksi tjetër, me idenë se e ka turbulluar, i ka “marrë mendjen”, kur në fakt duhet fajësuar më shumë imagjinata. Pothuajse të gjithë të dashuruarit, sidomos ata që pëlqehen që në shikimin e parë, përpiqen t’i paraqiten tjetrit në formën më të mirë, ashtu siç nuk janë, ndoshta pa vetëdije, nga sedra, por ndonjëherë edhe me vetëdije të plotë. Ata i fshehin me kujdes të metat, nxjerrin në dukje vlerat dhe pasi martohen, kthehen te vetja dhe “zbulojnë” se faktikisht nuk e kanë njohur mirë njëri-tjetrin. Në disa nga këto raste, bashkëshortët, duke shfaqur dëshirë e vullnet të mirë, arrijnë të përshtaten bukur dhe martesa bëhet e qëndrueshme. Shumë psikologë që bëjnë psikoterapi në çift, e pohojnë këtë gjë…