– Përshëndetje avokat. Jam Besmiri nga Tirana. Jam dënuar në mungesë me 3 vjet heqje lirie nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Apelit Tiranë në vitin 2013. Gjatë kësaj kohe, kam qenë i fshehur në Francë, rastësisht jam kapur për verifikim nga policia franceze dhe aty më kanë arrestuar në qershor të vitit 2015. Gjatë kësaj kohe kam qëndruar në paraburgim sa u bënë të gjitha dokumentet për t’u ekstraduar në Republikën e Shqipërisë. Në shtator të vitit 2015 jam ekstraduar në Shqipëri dhe aktualisht, vuaj dënimin në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Vaqarr. Këtu në I.E.V.P jam informuar që këto muaj të cilat unë i kam bërë në Francë nuk më njihen nga shteti shqiptar. A mund të më jepni informacion se si procedohet në këto raste?
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: – Përshëndetje i nderuar Besmir, ju falënderoj shumë që keni kontaktuar ne rubrikën “Ju pyesni, avokati përgjigjet”. Përsa i përket shqetësimit tuaj, po ju jap një panoramë të shkurtër se si bëhet përllogaritja e dënimit si më poshtë:
– Llogaritja e ditëve të qëndrimit në paraburgimin e Francës deri në datën e ekstradimit në Shqipëri realizohet me vendimin e gjykatës ku ju jeni dënuar, pra, në rastin tuaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për të realizuar këtë të drejtë që e jep ligji procedural dhe ai material penal, duhet të mblidhni të gjitha provat e nevojshme për të bërë të mundur që gjykata ta pranojë kërkesën tuaj të plotë. Provat janë: praktika e ekstradimit e cila ndodhet në Prokurorinë e Përgjithshme ose në Ministrinë e Drejtësisë, pra, ju duhet t’i drejtoheni me kërkesë zyrtare këtyre dy institucioneve. Pasi të merrni përgjigje nga këto institucione, do t’i drejtoheni me kërkesë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me objekt “llogaritje paraburgimi”. Mund të ndodhë që kërkesa për të marrë provat, drejtuar institucioneve të mësipërme mund ta marrë përgjigjen në afatin e përcaktuar nga ligji për 10 ditë ose mund të marrë përgjigje duke e konsideruar konfidenciale praktikën e ekstradimit. Edhe pa i patur këtë prova, ju mund t’i drejtoheni Gjykatës me kërkesë objekti “llogaritjen e paraburgimit”. Prova të tjera janë vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit Tiranë. Kur të fillojë gjyqi, do t’i depozitoni këto prova. Pastaj, përfaqësuesi juaj duhet t’i kërkojë gjykatës t’i lërë detyrë prokurorisë për të sjellë praktikën e ekstradimit si institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale.
– Në kërkesë duhet të thërrisni person të tretë në gjykim Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Vaqarr. Kërkesa juaj duhet të përmbajë edhe bazën ligjore e cila është: Neni 488 i Kodit Proçedurës Penale përcakton “Kuptimin e ekstradimit” i cili është: “Dorëzimi i një personi një shteti të huaj për ekzekutimin e një vendimi me burgim ose të një akti që vërteton procedimin e tij për një vepër penale, mund të behet vetëm nëpërmjet ekstradimit”. Në nenin 504 e Kodit Procedurës Penale “Kërkesa për ekstradim”: “Ministria e Drejtësisë është kompetente që t’i kërkojë një shteti të huaj ekstradimin e një personi të proceduar ose të dënuar penalisht, ndaj të cilit duhet të ekzekutohet një masë që kufizon lirinë personale. Për këtë, prokurori pranë gjykatës në territorin e së cilës procedohet ose është dhënë vendim dënimi, i bën kërkesë Ministrisë së Drejtësisë, duke i dërguar aktet dhe dokumentet e nevojshme. Kur nuk e pranon kërkesën, Ministria njofton autoritetin që e ka bërë atë. Ministria e Drejtësisë mund të vendosë për qëllimet e ekstradimit, kërkimin jashtë shtetit të personit të proceduar ose të dënuar dhe arrestimin e tij të përkohshëm. Paraburgimi jashtë shtetit, si rrjedhojë e një kërkese ekstradimi të paraqitur nga shteti shqiptar, llogaritet në kohëzgjatjen e paraburgimit, sipas rregullave të caktuara në titullin V të këtij Kodi. Me paraburgim do të kuptohen ditët e qëndruara në ndalim dhe në arrestim në burg”. Neni 57 i Kodit Penal “Llogaritjet e paraburgimit”: “Koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim ose me gjobë, si dhe në detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik si më poshtë: Një ditë paraburgim, baraz me një ditë e gjysmë burgim…”. Po ndoqët rrugën e mësipërme, gjykata do t’jua pranojë kërkesën. Për më shumë informacion, jeni i mirëpritur të shkruani sërish.