Mjeku juaj di dhe ka parë shumë gjëra në jetën e tij, aq më shumë nëse ka eksperiencë. Kështu pra, nuk keni pse ndjeheni në siklet kur duhet t’i tregoni atij problemin tuaj shëndetësor, por kjo nganjëherë është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Ka nga këto probleme që ne i mbajmë për vete dhe nganjëherë vuajmë në heshtje prej tyre, ndërkohë që nuk kemi pse t’i durojmë ato, bile nganjëherë nuk kemi nevojë as për doktorin për t’i hequr qafe. Ja cilat janë 8 prej këtyre problemeve dhe mënyrat e thjeshta për t’i vënë nën kontroll, ose për t’i shëruar një herë e mirë.
- Hemorroidet
Hemorroidet janë vena të enjtura rrotull anusit, që mund të shkaktojnë dhimbje dhe rrjedhje gjaku. Ato shpesh janë pasojë e shtrëngimit në tualet dhe mënyra më e mirë për t’i trajtuar është të evitojmë shtrëngimin. Pirja e shumë lëngjeve (por jo shumë kafeinë) dhe ushqimet me fibra na ndihmojnë në këtë drejtim, por më mirë këshillohuni me doktorin tuaj. Ka edhe kremëra që mund të merren pa recetë, melheme dhe suposta që lehtësojmë bezdinë dhe ulin enjtjen e hemorroideve. Gjithashtu, duhet të evitoni ushqimet pikante, alkoolin, si dhe të mos e teproni me kafenë.
- Djersitja e tepruar
Nëse ju duhet ta fshini ballin shpesh me shami, ose të fshini duart e djersitura pas pantallonave sa herë që takoni dikë, kjo është thjesht e bezdisshme, por zakonisht nuk është shenjë e një problemi shëndetësor. Njerëzit që janë mbipeshë, ose jo në formë të mirë trupore janë më të prirur për t’u djersitur, kështu që mbajtja e vetes në formë është një mënyrë për ta evituar këtë problem. Është gjithashtu e vërtetë se disa njerëz djersijnë më shumë se të tjerë. Megjithatë, djersitja mund të jetë edhe shenjë e një problemi shëndetësor më serioz, kështu që është mirë të këshilloheni me mjekun. Nëse djersitja juaj nuk mund të mbahet nën kontroll me një deodorant që e bllokon atë (antiperspirant), doktori mund t’ju këshillojë trajtime të tjera.
- Era e keqe e gojës
Të gjithëve u mban goja erë herë pas here, si për shembull mbasi kanë ngrënë një gjellë me shumë hudhra, ose kur e kanë tepruar në të ngrënë apo në të pirë. Megjithatë, një në katër vetë vuajnë rregullisht nga halitoza (era e keqe e gojës). Kjo gjë ndodh kur bakteret zbërthejnë ushqimin në gojë, duke çliruar gazra që mbajnë erë të keqe. Pirja e duhanit, e alkoolit dhe ngrënia e ushqimeve me erë të fortë mund të shkaktojë erën e gojës, kështu që një mënyrë e luftimit të saj është të heqësh dorë nga ato. Edhe një higjienë e mirë e gojës, larja rregullisht e dhëmbëve dhe përdorimi i fillit dentar, si edhe larja e gjuhës është një mënyrë tjetër për ta luftuar atë. Mund t’ju ndihmojë edhe shpëlarja e gojës me solucione antibakteriale, si Listerine. Nëse vazhdoni të keni erë të keqe goje me gjithë masat që përmendëm më sipër, atëherë është mirë të shkoni te doktori, sepse mund të keni probleme të tjera.
- Mosmbajtja e urinës
Mosmbajtja e urinës mund të jetë diçka shumë e bezdisshme, por është mjaft e përhapur. Vetëm në Britaninë e Madhe përllogaritet se vuajnë prej saj 3-6 milionë njerëz. Shtatzania dhe lindja e fëmijëve, obeziteti, mosha e shtyrë dhe trashëgimia janë disa nga shkaqet që e shkaktojnë, por asnjë prej tyre nuk është fatale. Këshillohuni me doktorin nëse vuani nga ky problem, sepse ai mund t’ju ndihmojë të gjeni një mënyrë për të mbajtur nën kontroll këtë problem. Këto shpesh janë ndryshime të thjeshta të stilit të jetës, si pakësimi i kafeinës, ose ushtrime fizkulturore specifike.
- Gazra
Dalja e gazrave mund të jetë një objekt shakaje, por mund të jetë e sikletshme dhe e bezdishme kur nuk i evitoni dot në praninë e të tjerëve. Megjithatë, mos u shqetësoni, ka me miliona njerëz që ndihen kështu. Në fakt, dalja e gazrave është diçka kaq individuale, sa nuk ka guida që thonë se sa është e shëndetshme dhe sa, jo. Nëse ju keni shumë gazra, është mirë të këshilloheni me mjekun, aq më tepër nëse ato shoqërohen me dhimbje barku, ose diarre. Në shumicën e rasteve kjo mund të evitohet duke bërë ndryshime të thjeshta të stilit të jetesës, si evitimi i disa ushqimeve, ngrënia më shpesh dhe me sasi më të vogla, ngrënia ngadalë, ose bërja rregullisht e fizkulturës.
- Kruarje të zonës intime
Nëse keni dëshirë shpesh të kruheni në zonën intime mund të jetë e sikletshme, por shpesh është shenjë e një infeksioni me myk, i cili trajtohet lehtë. Ai mund të shkaktohet nga ekspozimi i gjatë ndaj lagështirës, gjë që ndodh shpesh pas fizkulturës. Një gjë e tillë ndodh edhe te këmbët, prandaj shpesh problemi ka lidhje me sportin, por jo vetëm me të. Kjo mund të shkaktohet edhe kur ne veshim rroba shumë të ngushta, të brendshme sintetike, që pengojnë ajrosjen e duhur, ose përdorim peceta higjienike për një kohë të gjatë. Trajtimi zakonisht bëhet duke e mbajtur lëkurën e pastër dhe të thatë, duke veshur rroba të lirshme dhe, nëse duhet, duke përdorur pudra që e mbajnë lëkurën e thatë, ose kremëra kundër mykut.
- Akneja e të rriturve
Gabimisht mendojmë se aknet prekin vetëm adoleshentët dhe të rinjtë. Në një anketë u zbulua se 45% e grave të moshës 21-30 vjeç kishin akne, si edhe 26% e grave në të 30-tat dhe 12% në të 40-tat. Nëse akneja që keni ju bën të ndjeheni në siklet në shoqëri, është mirë të shkoni te doktori. Ai mund t’ju japë shumë trajtime, përfshi peroksid benzoili, një antibiotik lokal, kombinuar me kontraceptivë oralë. Në disa raste, mund të përdorni me efikasitet edhe disa ilaçe pa recetë.
- Gërhitja
Disa njerëz gërhasin rrallë dhe lehtë, ndërsa të tjerë gërhasin me zë të lartë çdo natë. Gërhitja mund të përmirësohet me ndryshime të stilit të jetesës, përfshi këtu edhe rënien në peshë nëse jeni mbipeshë. Gjithashtu mund t’ju ndihmojë mbajtja në gojë e mbrojtësve plastikë të dhëmbëve, ose disa ankeplaste që vihen në hundë. Nëse gërhitja ju shkakton probleme serioze, si: ngriheni të lodhur, keni mungesë përqendrimi, ose probleme në lidhje, mund të kërkoni ndihmën e doktorit, apo farmacistit. Gërhitja e madhe mund të tregojë se ju vuani nga apneja e gjumit, një problem që ndodh kur rrugët e ajrit janë krejtësisht ose pjesërisht të bllokuara për intervale të shkurtëra kohe gjatë natës. Nëse metodat e tjera dështojnë, atëherë mund t’ju ndihmojë ndërhyrja kirurgjikale, por ajo duket konsideruar si mjeti i fundit.