Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:

– Ndonëse nuk i përkas ndonjë partie politike, “anëtar” i partisë së argumentit, jam. Në këtë linjë ngrihet urimi im modest, por i dalë nga zemra, për ty, miku im Sherefedin Shehu. Pa, bërtitje, pa eksklamacione, pa gjeste, në komisionin e ekonomisë, bën vërtejtje dhe hedh ide që zënë vend. Them me vete, plot inat dhe dhimbje. Përse, përse nuk janë të gjithë kështu? Gjithsesi, të uroj kaq fort Sherefedin!

– E diel data 22/11/2015 diku te ora 17.00 në Stacionin televiziv RTSH jepet një emision për jetën e Osman Mulës e njeriut simbol të mirësisë dhe muzikës. Ky njeri që e filloi me “topa lecke” e që sot është një simbol, një pikë referimi. A ka ardhur koha të shkruhet një monografi për të? Është më e vështirë se të zbulosh Alaskën, me pafundësinë e saj. Po, një ditë do vijë, kur ne do kemi në dorë këtë monografi të këtij Nderi të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, që quhet Osman Mula. Urime edhe stafit përgatitës të emisionit!

– Po ta shikojmë në një pikëvështrimi jetën time (pra, vetëm një) ajo ndahet: Në Flamurin që pinte dhe në atë që i ka harruar emër dhe mbiemër pijes! Në pjesën e parë, kam ngjallur shumë komente, deri në neveri. Në të dytën, dëgjoj që thonë: “Ehe, nuk është burrë ai që nuk pi raki!”. Pra, nuk më donin atëherë, nuk më duan as tani. Kjo është relative! Por, ka një njeri që nuk më ka braktisur asnjëherë në shtjellat e mia, në lëvrimet e tyre, si atëherë kur mezi arrija në shtëpi, se nuk më mbanin gjunjët, ashtu edhe tani që bëj 8-10 kilometra ecje sportive. Ky njeri quhet Muhamet Malo. Një njeri që vitet nuk ia zhbëjnë gjelbërimin e shpirtit. Më vjen mirë që për drejtuesin e Telesportit, edhe Gaz Demi ka thënë: “Ai është më i miri në botën e sportit”.

Të falënderoj Met, për çfarë ke bërë për mua dhe Sarën, që e ke ndihmuar gjithmonë kur afron koha e shkollës! Urime nga zemra!

– Si nuk më kish shkuar në mendje më parë?! Durrësi, qyteti aq i dashur për mua, ka veç të tjerash, jo një, as dy, po tre presidentë futbolli në gjirin e tij. I pari Armandi (vëllai i dobësisë sime, Agron Duka) në krye të FSHF-së. Në rrugën e plazhit të kompleksi “Florida”, është Edmond Hasanbelliu, president i Teutës, që po ia bën fora këtë vit. Dhe po në atë rrugë, te “Tropikali”, fjalëpaku dhe punëshumi Adrian Take i “Skënderbeut”, që na ka nderuar të gjithëve. Urime të treve nga zemra, miq të mitë!

– Janë puna dhe kapacitete të tjera ato që në pak radhë mund të shpjegojnë se përse një njeri që e ke takuar vetëm 2 a 3 herë, nga fare pak minuta, ti nuk e harron dot. Mund të them se u gëzova pa masë kur e ritakova Sokol Dukën, në panairin e sivjetëm të nëntorit. Si gjithnjë, pranë kafes së famshme “Harli” duke të ridhënë mundësinë për të larguar një lloj zbrazëtie të pashpirt. Se, ja që ndodh që e ke kot zbrazëtinë. Por, ja që ndodh që ka edhe njerëz si Sokol Duka, që të bëjnë të të duken hiçër, ca “Pisesmenë”, që e kanë në gjak mashtrimin. Gjithsesi, u kënaqa që të pashë, miku im, Sokol. Paç përherë suksese!

– Kjo që do të them tani, është gati aksiomatike. Je zënë me gruan dhe do të vish në normalitet? Dil nga Liqeni! Të ka humbur ekpi i zemrës dhe po ha thonjtë nga zemërimi? Dil shijo vjeshtën, andej nga pylli i Liqenit. Të ka mashtruar një pis-burrë, se do të të ndihmojë për një hall dhe të ka gënjyer, pra? Pylli i liqenit ta heq si me dorë zhgënjimin! Dil njeri, dil njeri andej nga dolën ata që janë halle plot, por jetën e duan fort. Urime, ju të gjithëve!

– Kur të thashë se “I ngjake shumë mamit”, u desh ndërhyrja e tët shoqi, Agimit, që të bindesha se… po! Ti ishe dora vetë, Enada At Nikolla! O Zot, po si ka mundësi që nënë me dy fëmijë (moshën nuk po e them) dhe për be, asnjë rrudhë në fytyrë?! Mor po, sado të vogël! Ndërkohë Enada, unë e di se nuk jam i vetmi që drithërohet kur të sheh. Bjonde, me sy të zinj, nuk e di çfarë gjëje mistike të mban kaq të bukur. Me këto radhë po i bëj qejfin vetes, se ti je velur, edhe këtë e di. Po, bereqaves, thotë fjala. Ndërkohë, e di që do të pi një kafe, me ty, po ku, ku, dhe prapë, ku të të gjej? Të përqafoj kaq fort, Enada!

– Mesila Doda! Siç ta kam thënë, edhe sa herë jemi takuar, më pëlqen fort te ti dimension i të qenit vetvetja. Oh, sa e vështirë që është, edhe në jetën e zakonshme, le më në politikë, ku njëshat e partive (të madhe, sidomos) i duan të tjerët sus, të bëjnë temena, të mos kenë mendimin e tyre. Hajde, hajde! Jemi në 2015 dhe të duhet të thuash çfarë i pëlqen kryetarit! Prandaj më pëlqen Mesila, se nuk ke lindur për skllave politike. Për këtë të përqafoj… Dhe… sa do të doja të shihja prapë atë gërshetin. Ku shkoi vallë, ku? Gjithsesi, urime nga zemra!

– Ishte një çast i këndshëm, kur te panairi i fundit “Klik Ekspo klik”, takova edhe djalin tënd të vogël, i dashur Arben Babameto. Si gjithnjë i këndshëm, i rrethuar nga miq, shokë e klientë. Aty te: “Një mbretëreshë për mikeshë”, siç është firma “Teuta”. Një ndjesi e bukur vërtet, që ka diçka poetike, si ajo e fluturimit të dallëndysheve të detit. Urime Beni! Të uroj fort për fëmijët që ke!

– Që në fëmijëri dhe pastaj student i Historisë, fjala “Gjakovë” më ndizte emocione, fantazi respekt për ata burra dhe gra të këtij vendi që kanë derdhur gjak me kovë për Shqipërinë. Mirëpo jeta të afron edhe të tjera surpriza, me vajza gjakovare. Në fillim ishte një gazetare e Top-Channel me të cilen kisha korrespondencë të rregullt. Mirëpo, iku. Thonë, në Gjakovë. Thonë, Prishtinë. Quhet Ulpiana Lama. Ndërkohë, mrekullitë vazhdojnë: Në morinë e qelizave të trurit tim, të mbushur me imazhe femrash të bukura dhe të dëshiruara, në një jetë, ka hyrë tashmë një gjakovare tjetër, që po arrin vetëm fitore. Dhe, edhe emrin e ka Fitore. Me zgjuarsinë e një punonjëseje banke, po sidomos me sytë aq të bukur dhe plot dritë. Mirëpo, kafe nuk kemi pirë ende. Nejse… Jepi Fitore, përpara drejt fitoresh të reja! Të përqafoj fort!

– Kur isha në shkollën “Skenderbej”, na erdhi një mësuese letërsie, që na prishi gjumin, si neve, begsave, si oficereve. Ishte kaq e bukur dhe seksi! Quhej Sashenka Rino. Ndërkohë, pas kaq e kaq vjetësh, na flet një zë i njohur, andej nga liqeni. Nuk do ta besoni: ishte po ajo bukuri, si atëherë, vetëm se në krah, kishte vajzën e saj, në moshen e saj të dikurshme. Të uroj Sashenka, që të ka ngarkuar jetë vetëm të ngjallësh iluzione te meshkujt. Dhe kur këto vijnë edhe tani në pleqëri, të vjen t’ia fusësh murit me kokë. Por, më thoni një që nuk tundohet nga një bukuri që nuk plaket? Rrofsh o Sashenka, që më fole! Kemi patur edhe ne yje, atje në shkollen mashkullore “Skënderbej”.

– Në fillim mendova se ti, i dashur Lorik Cana, ishe thjesht një imazh propagandistik i pijes Black Eagle, por ato vajzat e panairit të sivjetëm, më sqaruan se ti je administrator për Shqipërinë. Një Zot e di sa të uroj! Sporti është sport, por jeta është kush e di sa më e gjatë. Dhe dikur, duhet punuar. Urime nga zemra, simboli i kombëtares sonë, po edhe i mirësisë njerëzore, siç thonë për ty, Lorik!

– Nganjëherë, kur të takoj ty, mendoj se Perëndia duhet të të ketë dhënë një inteligjencë sekrete, që ke një instinkt aq të pagabueshëm në orientimin tënd jetësor. Pastaj qesh: Në fakt është gjeni, familja, pastaj dashuria për çdo lloj pune. Pastaj matematika. Pastaj miqtë. Tre i kemi të përbashkët: Civicin (Adin), Gon Dukën dhe të paharruarin Besnik Pëllumbi (Keçin), që e doje aq fort. Të uroj gjithë të mirat, o Dash, që je edhe familje matematikanesh! Urime!

– Lule-Kaleshi, aty në autostradë. Asnjëherë nuk bie heshtja dhe harresa mbi këtë firmë që lumturon me mijëra shqiptarë. Se është aty një djalë përmeti, Gjergji, që në krye të një stafi të spikatur, u rri punëve mbi kokë, duke më dhënë përditë surpriza të reja. Kështu mbetsh gjithnjë, i dashur Gjergji, që edhe zërin e ke si bilbil.

– Ka një rrethanë që ia lehtëson çdo njeriu mundësinë për të të quajtur “Njeri fisnik”, i dashur Gëzim Sinemati, gazetar dhe miku im i vjetër. Cila është kjo rrethanë? Pa diskutim, vullneti yt për të bërë çdo ditë atë që bën nga liqeni. Vetëm një shpirt fisnik merret me sport. Kjo, për mua, është aksiomatike. Dhe… çdo ditë që shkon, e rrit këtë fisnikëri. Por, ti je edhe djalë xhymert! E dimë ne të dy se pse. Të përqafoj fort, Gëzim.

 

Përshëndes zëmrën time Nardin që e kam yll bote. I them që të dua shumë dhe të adhuroj pafund lali im. Të kam jetë. Nga zemra jote, Xhelozja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *