Sulejman Starova është një ndër trajnerët më të mirë të Superligës Shqiptare, gjw qw ai po e vërteton me drejtimin e Partizanit në këtw sezon, pasi “demat” po kryesojnë me meritë të plotë kampionatin shqiptar. Kjo javë ka dhuruar edhe shou në shkallët e stadiumit për të pranishmit, pasi kryeqytetasit mposhtën me rezultatin 4-0 Tërbunin e Pukës. Tekniku e kishte përgatitur në mënyrë perfekte këtë takim dhe kishte vendosur të hidhte në fushën e lojës disa lojtarë të tjerë dhe jo titullarët e përhershëm. Tifozët e “demave” janë shumë të lumtur me paraqitjen e ekipit dhe lojtarët e tyre. Ndeshja e radhës është më e nxehta, pasi është derbi në mes të Tiranës dhe Partizanit. Starova tregohet i matur kur flet për këtë takim dhe pranon se i ka të gjitha rezultatet brenda. Koha e shkurtër e përgatitjeve për këtë ndeshje nuk përbën problem për të; të gjitha ekipet do të kenë një kohë të shkurtër për shkak të ngjeshjes së kalendarit. Ne arritëm t’i shkëputnim një intervistë Starovës menjëherë pas ndeshjes me Tërbunin në fushën e stadiumit “Qemal Stafa”.
Eraldo Harlicaj: – Urime për fitoren profesor…
Sulejman Starova: – Faleminderit…
– Fitorja me Tërbunin ishte me një rezultat të thellë dhe me më shumë gola se në ndeshjet e tjera…
– Për ne ishte e rëndësishme që fituam 4-0. Me këtë triumf ne rregullojmë golavarazhin si diçka plus në luftën për titull me kundërshtarët tanë.
– E prisnit një ndeshje kaq të lehtë, nëse mund ta quajmë kështu?
– I kam kërkuar ekipit përqendrim maksimal në këtë ndeshje gjatë të gjithë javës. Kam qenë vazhdimisht duke i mbajtur të karikuar për këtë takim, pasi e dija se nëse e merrnim me eufori, edhe mund të gabonim. E kam thënë që në fillim se, nëse mobilizohemi, mund ta bëjmë të lehtë, por të mos harrojmë se nuk ka asnjë sfidë të lehtë.
– I kënaqur me lojën e ekipit?
– Nuk jam i kënaqur me pjesën e parë, kishim momente të mira, por nga ambicia e madhe gabuam dhe nuk arritën të shënonim përsëri. Sigurisht që kishte edhe anë pozitive…
– Cilat ishin anët pozitive?
– Kishte edhe anë pozitive, pasi aktivizuam disa lojtarë të rinj dhe u dhamë mundësi të luanin. Fitoret në kampionat janë të gjitha të rëndësishme. Nuk ka ekip të dobët në kampionatin shqiptar.
– Për herë të parë aktivizuat në majën e sulmit Sukajn dhe Raçiçin. Jeni i kënaqur me paraqitjen e tyre?
– Nuk kanë luajtur mirë as ata të dy. Goli duhet t’i motivojë për të punuar më tepër dhe të eliminojnë të metat. Kishin probleme në lëvizje në ç’markime në vendosjen përpara portës, por përsëri, kur lojtari shënon, i shton entuziazmin.
– Mendoni se ata po kalonin një ngërç?
– Sulmuesi e ka të nevojshme të shënojë. Ata u zhbllokuan dhe do të luftojnë për një vend në formacion dhe do të fitojnë konkurrencën në ekip tanimë.
– Aktivizuate edhe lojtarë që nuk kanë pasur shumë hapësirë në këtë kampionat?
– Po, e vërtetë, e meritonin të luanin, pasi janë futbollistë të rëndësishëm për ne.
– Si erdhi Vrapi në syrin tuaj?
– Vrapi nuk ka pasur shumë hapësira, pasi ekipi ka luajtur mirë në mbrojtje. Luajti shumë mirë, është një lojtar inteligjent dhe këtë e tregoi edhe ndaj Tërbunit.
– Bardhi?
– Për Bardhin është momenti që skuadra ta ndihmojë. Në krahun e Bardhit u bë një lojë shumë e fortë gjatë pjesës së parë nuk arriti të bënte më të mirën. Nuk luajti keq, por mund të bënte edhe më mirë.
– Tafili?
– Tafili vjen edhe mbas dëmtimeve. Mund të luante më përpara, por dëmtimi e ka lënë pak mbrapa. Paraqitja ishte pozitive.
– Në fund u thatë lojtarëve që të kursenin energjitë dhe të mos vraponin shumë. Pse një zgjedhje e tillë?
– Po, ua thashë disa lojtarëve që të ruajnë energjitë për derbin. Kalarit apo Ibrahimit i thashë që të ulnin pak ritmin, pasi e kishim në dorë fitoren dhe nuk doja t’i rrezikoja më shumë.
– Keni pak kohë për të përgatitur derbin. Do të ndikojë nw rezultat?
– Kështu është i gjithë kampionati. 4 ditë nuk janë pak dhe duhet ta përgatisim ekipin në mënyrën më të mirë.
– Ka edhe një diskutim nw lidhje me stadiumin ku do tw luhet ndeshja. Do të preferonit stadiumin “Qemal Stafa” apo “Selman Stërmasi”?
– Në ndeshjen ndaj Tërbunit fusha nuk ishte në gjendje të mirë, por kjo është një çështje që nuk varet nga unë, pasi merret tjetërkush me atë punë. Do të kisha preferuar të luhej këtu ndeshja.
– Si mendoni se del derbi?
– Derbi është një ndeshje shumë e fortë dhe janë në lojë të tre rezultatet. Shpresojmë të fitojmë në fund.
– Ka besim për fitoren?
– Sigurisht që besimi është i madh për këtë ndeshje.