Unaza floriri
– Kam parë në ëndërr sikur kisha vënë në gisht shumë unaza floriri. Çfarë kuptimi ka?
– Do të thotë që do të keni shumë kërkesa për lidhje serioze dhe është në dorën tuaj të zgjidhni të duhurën.
Ish-i fejuari
– Para disa ditësh pashë në ëndërr ish-të fejuarin tim. Po ecja në një kopsht me lule e pemë dhe në fund të tij ishte një derë. Hapa derën dhe pashë ish-in tim, të veshur me kostum, me sy të kuq, gati në të qarë. U tremba dhe desha ta mbyllja derën menjëherë, por nuk munda. Ai erdhi e më shtrëngoi nga krahët dhe unë u tremba. S’e mendova që do ziheshim, por ai më përqafoi dhe u përqafuam me shumë mall. Sytë e tij nxirrnin lot. Unë kisha mall, por isha edhe e habitur sepse afër kishim burra të tjerë dhe mendoja se ai po më përqafonte thjesht që unë të mos kërkoja ndihmë. Pasi më përqafoi, ai u kthye dhe u bë si i çmendur. Njerëzit që kishim afër u larguan dhe ai filloi të më gjuante. Po ziheshim me grushta dhe ai më theu hundën. Nuk ndieva dhimbje në ëndërr vetëm se nuk merrja dot frymë. Unë e largova dhe e kërcënova që tani do t’ia nxija jetën. U zgjova sepse nuk merrja dot frymë. Ishte një ëndërr aq reale, sa edhe emocionet i mbaj mend. Faleminderit.
– Një ëndërr e tillë tregon se ju ka ngelur peng lidhja që kishit me ish-të fejuarin dhe e mendoni kaq shumë saqë po të mos e shikonit në ëndërr, nuk do të ishte normale. Duket se edhe ai ju mendon njëkohësisht. Sytë e tij të kuq tregojnë se ai nuk është mirë, siç nuk jeni edhe ju. E gjithë ngjarja e ëndrrës tregon që ju vazhdoni të jeni të lidhur shpirtërisht, pavarësisht ndarjes fizike mes jush. Ju mund ta urreni për momentin, por në të njëjtën kohë ndjeni mall në mënyrë të pandërgjegjshme, sepse mendoni se si ka mundësi që historia juaj mbaroi, ndërkohë që mendonit se kishit një lidhje të veçantë. Mosmarrja frymë tregon ankthin që keni dhe që do t’ju ndjekë për disa kohë. Përderisa kjo histori ka mbaruar, nuk keni pse ta mendoni; hidheni pas krahëve që të shpëtoni edhe nga ëndrra të tilla. Ju uroj fat.