Një fenomen i rrallë, i njohur si “vrimë resh” është vënë re mbi qytetin e Viktorias, në Australi. Fenomeni është fotografuar nga një internetist dhe është postuar me diçiturën: “Fenomen i rrallë mbi Viktorian lindore”. Këto vrima formohen në retë që përmbajnë pikla shumë të ftohta uji, në një temperaturë nën pikën e ngrirjes, por që ende nuk janë të ngrira. Shumë njerëz e komentuan fotografinë. Njëri shkroi “UFO me pelerinë”, ndërsa një tjetër, duke bërë shaka, shkroi: “Teoricientët e konspiracioneve do të shkruajnë: Qeveria kontrollon edhe motin!”.
Sipas Vvikipedias, një vrimë resh, e njohur edhe me emrin “vrimë qiellore”, “re me kanal”, etj., është një vrimë e madhe rrethore, ose vezake që mund të shfaqet në retë e dendura që mbulojnë qiellin. Këto vrima formohen kur temperatura e ujit në re është nën atë të ngrirjes, por uji nuk ka ngrirë akoma, për shkak të mungesës së “bërthamave” (qendrave) të akullit. Kur formohen kristalet e akullit, ato shkaktojnë një efekt domino, kështu që piklat e ujit në re rrotull kristaleve avullojnë duke lënë një vrimë të madhe, shpesh rrethore, shumë të bukur.