Situata që përsëriten shpesh në Londër, Çikago, Vjenë, Jeruzalem e Veronë… Skenat më të rëndësishme të operas në botë nderojnë zërin e magjishëm të tenorit shqiptar. Emocionet janë shumë të mëdha, por për të, asgjë nuk krahasohet me duartrokitjet e spektatorit të zemrës, shqiptarëve… madje ato i dallon dhe i përshëndet mes qindra të tjerëve. Thjeshtësia dhe puna sistematike janë dy tiparet që e kanë çuar në këtë stad, por elbasanasi ka një sfidë me veten, pasi para se të jetë një tenor i shkëlqyer, ai kërkon të mbahet mend si një njeri i mirë dhe me këmbë në tokë. Saimiri sapo kishte dalë nga shfaqja “Elisir D’amore” ku korri suksesin e radhës, kur ne biseduam me të për planet për të ardhmen dhe për realitetin e artit në Shqipëri.
Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Saimir. Sapo keni dalë nga “Elisir D’amore”, luajtur në Vjenë. Si shkoi shfaqja?
Saimir Pirgu: – Shumë mirë, gjë që u pa edhe gjatë interesimit të madh që pati nga publiku vjenez. Në të gjitha netët që ne luajtëm, salla u mbush plot dhe ky është një mesazh i mirë për të kuptuar pëlqyeshmërinë e saj te publiku.
– Në premierën e kësaj shfaqjeje, ju festuat edhe ditëlindjen tuaj…
– Ishte diçka mjaft e veçantë, pasi aty e kupton me të vërtetë që jeta po kalon në këto skena. Unë po lë frymën, shpirtin dhe kohën time në këto ambiente të mbushura me artdashës. Jam ndjerë shumë i nderuar me dashamirësinë e madhe që patën njerëzit për mua. Urimet e tyre ma zbukuruan ditën.
– Për të kaluar te shfaqja… A keni përçuar te publiku atë çfarë ju synoni?
– Detyra e një artisti është të shprehë ndjenjat e tij më së miri duke u mbështetur te partitura, perfeksionimi dramaturgjik i operas dhe interpretimi vokal. Ka shumë faktorë që mund të çojnë në devijanca të shfaqjes, por këto janë gjëra që ndodhin në shfaqje live. E rëndësishme është që artisti të japë maksimumin e tij. Unë këtë kam impenjim primar… Asnjë artist nuk hyn në skenë për të kënduar keq, por suksesi i shfaqjes varet nga shumë faktorë.
– Keni vështirësi për t’u hedhur nga njëri rol në një tjetër për një kohë kaq të shkurtër?
– Tashmë, jo, por duhet të punosh, nuk mund të lësh pa përsëritur partiturat apo rolin. Vështirësia më e madhe qëndron te rutina e cila nuk duhet të të kapë. Personazhet kanë nevojë për rifreskim, përndryshe plaken.
– Ndonjë plan për t’u rikthyer në Shqipëri…
– Jam në komunikim të vazhdueshëm për t’u rikthyer në TOB e më vjen tepër mirë që nga Shqipëria ka një përpjekje të vazhdueshme për të aktivizuar gjithmonë e më shumë artistët shqiptarë kudo që janë. Është një gjë shumë e mirë kjo, sepse vendi ynë ka etje për art. Gjithsecili nga ne duhet të japë sa mundet; një zë është gjithmonë më i mirë se heshtja.
– A është e vërtetë se kudo që këndoni gjeni edhe spektatorë shqiptarë?
– Po, shumë e vërtetë dhe është një kënaqësi e madhe. Kjo tregon jo vetëm atdhedashurinë, por edhe dashurinë për artin, mirëqenie e civilizim evropian. Duken dekada larg kur atdhetarët tanë nuk kishin mundësi të ndiqnin artistët e tyre nëpër botë. Sot është diçka më se normale e kjo më ka rënë në sy shumë vitet e fundit… Është një fakt i mrekullueshëm.
– Ju keni studiuar për violinë… Si lindi tenori te ju?
– Fati im ka qenë gjithnjë i lidhur me muzikën, të kënduarit për mua ka qenë pjesë e imja që në fëmijëri. Tenori tek unë nuk është i lindur… kanë qenë tre tenorë, Pavaroti, Domingo e Karrerasi që zgjuan tek unë një ëndërr të bukur të cilën po e përjetoj në realitet.
– E mbani mend herën e parë në skenë dhe këngën që keni kënduar?
– Për herë të parë në skenë kam kënduar në moshën 7 vjeçare në një koncert të organizuar nga Shtëpia e Pionierit në Elbasan. Besoj se ka qenë viti 1988 dhe unë isha në klasë të parë fillore. Këngën nuk e mbaj mend si titullohej, por mbaj mend një frazë që vështirë të harrohet: “Na thotë ne xhaxhi Ramiz Alia, në mes e kemi ne Enverin tonë”. (Qesh) Si tenor, isha pjesëmarrës për herë të parë në vitin 2001 në Rossini Opera Festival në operën “Viaggio a Reims”.
– Roli më i vështirë që keni interpretuar?
– Më i vështiri, por edhe një ndër më të suksesshmit, ka qenë Idromenoja.
– Çmimi i parë që keni fituar?
– Çmimi i vërtetë i parë është “Caruso” në Milano 2002, që pagëzoi edhe fillimin e karrierës sime, por në vitin 2001 pata fituar një konkurs mode në Bolonja “Umberto Sacchetti”, që më ndihmoi shumë ekonomikisht për të vazhduar më tej studimet në Itali.
– Në çfarë niveli e shihni operan në Shqipëri?
– Për të qenë realistë, opera në Shqipëri nuk ka nivel ndërkombëtar. Ka përpjekje, realiteti është më i mirë, kemi një apo dy solistë të shkëlqyer, po vendosen shfaqje apo koncerte në skenë, njëri më i realizuar se tjetri, por në përgjithësi, opera dhe i gjithë arti në Shqipëri vuan. Nuk mund të pretendojmë mrekullinë. Vendi ynë ka shumë halle. Përpara se të pretendojmë një operistikë në nivel evropian, duhet të ketë një jetë shoqërore, mirëqenie e për momentin, ky është një pretendim i madh. Kjo nuk do të thotë se jemi të vetmit, pasi kjo frymë është në të gjithë Ballkanin, me ndryshime sporadike. Ajo që vihet re është shpresa dhe dëshira për të ndryshuar, përpjekjet janë të shumta e kur bashkohen mendjet e ndjenjat, ka edhe shpresë. Sot, ne si shqiptarë nuk duhet të kënaqemi me nivelet që arrijmë në çdo fushë, por në momentin që kemi një rritje, duhet të punojmë më shumë për të arritur më lart. Vetëm kështu përmirësohet niveli shoqëror, kulturor dhe i artit.
– Ne, vuajmë më shumë për talente apo për nivel arsimor?
– Një gjë është e sigurt, për talente ne nuk vuajmë, ndërsa përsa i përket nivelit arsimor nuk di çfarë të them, nuk e njoh edhe aq mirë… Kam 15 vite që jam larguar.
– Si e shikon muzikën shqiptare në një kontekst më të gjerë sesa thjesht operistike?
– Në çdo vend të botës ka indikacione në një apo tjetrin krah muzikor, por te muzika jonë flas më tepër për atë folklorike, vitet e fundit ndihet një orientalizëm i tepruar që është futur ashtu fshehurazi e tashmë na duket si e jona. Ka shumë mundësi të asimilohet… Asgjë të keqe nuk do të ketë, se muzika për mua nuk ka kufi, por nuk është e jona, nuk bën pjesë në identitetin e folkut tonë shqiptar. Këto të ashtuquajtura rryma, fatkeqësisht po gjejnë edhe mbështetjen e publikut të ri që nuk i kushton shumë rëndësi traditës. Mendoj që muzikantët shqiptarë e në trevat ku flitet shqip, duhet të bëjnë më tepër kujdes në mirëmbajtjen pastër të tingujve të vërtetë të folklorit tonë, pa e bastarduar muzikën tonë me orientalizma që nuk na përkasin.
– Po ju, keni provuar të këndoni këngë popullore?
– Po, dhe mendoj se do të ishte më mirë të këndoja më shpesh. Kuptohet, janë dy zhanre të ndryshme që vështirë të bashkohen, ama mund të mësohet shumë nga të dy.
– Çfarë është muzika për ju?
– Muzika është jeta. Nëse dikush do të më pyeste përse Zoti ekziston, do t’i përgjigjesha, se muzika ekziston. Është një faktor hyjnor.
– A keni një idhull në muzikë?
– Kam shumë dhe do të ishte një blasfemi nga ana ime të zgjidhja njërin apo tjetrin.
– Personi më i shtrenjtë për ju?
– Familja ime. Asaj ia dedikoj të gjithë suksesin.
– Anashkaloni gjithmonë pyetjet për jetën tuaj private dhe shumë pak dimë për Saimirin. Pse?
– Jam artist operistik e jo pop star, është një dallim shumë i madh ky. Nuk mendoj se kopertinat e revistave jo operistike do të ndihmonin në artin tim, kështu që nuk e shoh të nevojshme.
– Mirupafshim dhe… ju presim në Shqipëri!
– Faleminderit. Shpresoj të vij sa më shpejt, përballë publikut tim më të dashur.