– Jam Iliri, 50 vjeç. Prej 13 vjetësh vuaj nga diabeti dhe kjo për shkak të punës që bëj. Nuk kam qenë i rregullt në marrjen e barnave dhe ndjekjen e sëmundjes. Kam përdorur për një kohë të gjatë Metformine dhe Daunil, por një mjek më sugjeroi ta ndërpres dhe të filloj me një bar tjetër që nuk ia kujtoj emrin, por kishte në përmbajtje vitamina dhe bimë për të luftuar diabetin. Në vend që të përmirësohesha, gjendja ime u përkeqësua shumë. Çfarë mund të bëj në këtë moment që jam, sepse sheqeri më rri mbi 300, kam këputje, debulesë dhe kam rënë shumë në peshë?
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – I nderuar Ilir, ju falënderoj shumë për pyetjen e cila përveç komponentit pyetësor mbart në vetvete dhe problematika të karakterit etik, ligjor dhe social. Rasti juaj fatkeqësisht është një rast që nuk është i rrallë në praktikën tonë të përditshme ku mbi të sëmurin diabetik ndërhyjnë dhe keqtrajtojnë jo mjekë të specializuar për këtë punë, por njerëz anonimë, qofshin këta edhe bluza të bardha pa informacionin e duhur. Sa më lart, shpjegoj se veprimi që ju është këshilluar që të ndërprisni barnat që kishit dhe të kaloni në një suplement bimor është totalisht i gabuar dhe aspak me vend. Duke qëndruar në të njëjtën pikë, do kishte qenë mirë që ju të na tregoni diçka më tepër rreth ecurisë së sëmundjes tuaj me barnat që po përdornit përpara suplementit bimor. Duke u nisur nga rrëfimi juaj, jam i sigurt që ju asnjëherë nuk keni patur një ekuilibrim të kësaj sëmundjeje sepse nuk keni qenë i rregullt në marrjen e mjekimit, nuk keni qenë i rregullt në vizitat te mjeku dhe në kryerjen e analizave. Me pak fjalë, ju nuk i keni kushtuar sëmundjes kujdesin që ajo kërkon!
– Sikur të mos mjaftonte vetëm pakujdesja juaj, problematika vjen e rëndohet edhe nga moskurimi korrekt. Në gjendjen momentale që ju jeni, gjëja e parë që sugjeroj të bëni është të gjeni dhe të konsultoheni me specialistin më të afërt dhe më të besueshëm që ju mendoni. I sigurt jam se ju duhet ta filloni nga e para të gjithë modulin e menaxhimit të diabetit. Ju keni nevojë momentalisht të këshilloheni rreth dietës, aktivitetit fizik, rreth menaxhimit të stresit, rreth edukimit dhe matjeve të vazhdueshme të sheqerit, pa harruar këtu sigurisht ndërhyrjen dhe ndryshimin e mjekimit. Kam bindjen e plotë që duke reflektuar një gjendje të rënduar të diabetit dhe mjekimit në rastin tuaj duhet të jetë i fuqishëm ndoshta me insulinë, me ose pa barna që merren për diabetin. Kujdes i veçantë duhet të tregohet rreth problematikave të tjera që mund të keni, siç mund të jenë dëmtimet afatgjata të diabetit si për shembull, në sy, veshka etj. por nuk duhen neglizhuar edhe problematikat jashtë diabetit, siç mund të jenë infeksione të ndryshme, sëmundje të tjera bashkëshoqëruese etj. Si përfundim, duke shprehur pakënaqësinë që ju konsideroheni një rast i trajtuar keq, ju këshilloj të ktheheni sa më shpejt në ndjekje normale. Mos besoni te të pakualifikuarit, transformojeni kohën tuaj në një regjim jetësor ndryshe, në mënyrë që të mposhtni diabetin përpara se ai t’ju mposhtë juve.