Trajtimi natyral për flokët që bien ose që nuk kanë shkëlqim, është i thjeshtë, mjafton një e verdhë veze biologjike, 3 lugë vaj ulliri i virgjër dhe gjysmë limoni. Më mirë bëjeni në shtëpi, përndryshe do t’ju marrin për të çmendur!
Merrni një gotë dhe përpiquni të fusni brenda vetëm pjesën e kuqe të vezës. Rriheni pak me pirun, hidhni tri lugë vaj ulliri dhe në fund, lëngun e gjysme limoni (të filtruar me një kullesë). Përziejeni dhe shkoni në banjo për të lyer me të flokët. Mund t’ju duket i shpifur, por ka shumë efekt, nëse nuk keni ndonjë sëmundje që kërkon mjekim të veçantë. Kështu, do të evitoni tabletat me vitamina, me përbërës kimikë si metionina, apo shampot kundër rënies!
Fillojeni lyerjen që nga rrënjët. Aplikojeni me një penel, ose edhe me gishta, njëlloj si xhelin, por kini parasysh se më shumë rëndësi ka ta aplikoni në lëkurën e kokës sesa në flokë. Mbajeni kështu për gjysmë ore, duke i mbështjellë me një qeskë transparente nga ato që përdoren në kuzhinë. Mbi qeskë mund të vini një peshqir që të mos ndotni rrobat. Më pas lajini me një shampo neutrale, dy herë.
Ju sigurojmë se nuk do të mbajnë era vezë dhe do t’i ndjeni më të fortë, që pas disa ditësh. Kjo maskë është mirë të përsëritet një herë në javë, ose çdo 10 ditë gjatë muajit të parë dhe më pas mund ta bëni një herë në muaj, derisa të zhduket problemi. Lavamanin dhe pllakën e dushit lajeni me uthull, që të hiqni edhe erën e vezës.