Dallgët e shpirtit
Nuk më dhimbset ky trup që do të tretet
Nuk më dhimbset shpirti që do ikë nga unë
Më dhimbset zëri që nuk do ligjërojë me fjalë të arta
Që nuk do të thotë më fjalët “të dua shumë”
Trupi im i pashpirt
Shpirti im i patrup janë njëlloj?
Ti, si thua?
Unë nuk e besoj
Unë ta dua shpirtin se jeta shpejt mbaron
Koha iken vetëtimë,
E s’ka Zot që e ndalon
Unë jam ishull i qetë, emri Ndriçim
Ku spirancat lehtë i hedhin anijet në lundrim
Ama vetëm ato me flamurin e lirisë
Edhe atë të dashurisë
Të tjerat i marrin dallgët
E nuk kanë asnjë shpëtim. Ndriçim Mekshi.
Shpirti…
Do marr me vete shpirtin këtë herë
Dhe do ecë doemos, bashkë me mua
Nuk dua të ndjehem si sytë pa dritë
Ku shkoj, shpirtin me vete e dua
Tashmë më ndje, i thashe shpirtit
Nuk mund të të lë të shkosh
Unë po të mbaj me frymën time
Ndaj duhet të më jetosh
Por shpirti mend nuk ka, e di
Të mendoj, si ndjehem unë
Ta mbaj me frymë, është padrejtësi
Dikë tjetër, të dojë më shumë…”. Fleta Satka
Moment dhjetori…
Eh, dëshirë mbytur në heshtje
Dashuri, aty-këtu.
Pika shiu në përleshje
Sikur sillnin sytë e tu…
I çuditshëm erdhi dhjetori
Ngjan si Ti. Seç ka nga Ti!
Ndjenja malli jashtë m’i nxori
Që t’i lagë i ftohti shi!
Shiu binte… Unë mendoja
I bërë qull te ti vrapoja.
Shiu s’pushonte… Unë ndalova
Dhe pse pranë, nuk të takova
Sa çudi! Çudi vërtet
Pse nuk fola, s’di as vetë!
Rri tani, vështroj i heshtur
Teksa rrjedh ashtu si shi.
E në xham godet pareshtur
Me inat edhe mërzi.
Buzëqesh… Ndoshta kam gjetur…
Përse dhjetori, ngjan si Ti! Bledi Ylli
Në mungesën tënde…
Sikur ta dije ti
sa dhemb mungesa jote,
se si bëhesh astmë e ther mushkërive,
ta dije si myket ajri në studion ku shkruaj,
si e mbush dyshemenë me kërpudha mërzie…
Ta dije si dhembin duart krejt bosh
që të zhveshin me mendje,
dhe sytë bëhen gjysëm të vdekur,
Të shohin dhe plasin dhe bien përdhe
Si ullinj të papjekur.
Sikur lëkura jote të kishte kujtesë
të kishte gojë për këngë
prej gazit e prej dhimbjeve,
a të ish hartë
që i ruan shigjetat e sulmeve
dhe kryqet pafund të pushtimeve…
Sikur ta dije që pas dashurisë…
dashurisë së thellë
sa ty të dhembin dhe flokët,
këtu mungesa jote gjëmon si një mort
njësoj si të të vdiste
malli për shokët.
Kur mendja e një burri si kalë shkretëtire,
për ujin tënd hingëllin,
oh, vetëm ta dije!
Me siguri do vrapoje këmbëzbathur mbi borë
dhe gjurmë s’do lije…
Dhe unë s’do ta kuptoj kurrë, ndonjëherë,
se si do të gjendet
për këtë gjëmë shërim?!
Kur asnjë kod civil i botës, akoma,
Mungesën e gruas që do
S’e quan… një krim… Petrit Ruka
Nëse të humbas…
Nëse të humbas unë ty, të dy kemi humbur:
unë sepse ti ishe ajo që më shumë unë desha
dhe ti sepse unë isha ai që të donte më shumë.
Por nga ne të dy ti humbet më shumë se unë:
sepse unë mund të dua të tjera siç të desha ty
por ty nuk do të të dojë askush siç të desha unë.
Ernesto Kardenal
Puthja
Mijera e mijera vjet
S’do mjaftonin,
Për të treguar
Atë sekondë pafundësie
Kur ti më përqafove,
Ku unë të përqafova.
Ish një çast në dritën e dimrit,
Në parkun Montsouris në Paris.
Në Paris.
Mbi tokë.
Mbi këtë tokë që është një yll… Zhak Prever
Zbrita te kroi
Duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujërave.
Frederik Rreshpja
Përhumbje dashurie…
Më ndodh të përhumbem mbi valë.
Të bisedoj me detin dhe hënën.
Të flas me yjet dhe shkumën e bardhë.
Shpesh më ndodh të pres ardhjen tënde.
Ndjej që nga sytë më bulezojnë pika lot.
Shpesh kjo çudi me ndodh nëpër ëndrra.
Ndodh të kujtoj burbuqen qe me dhurove.
Ne vazo e ruaj si kujtimin me te shtrenjtë.
Shpesh me shfaqet imazhi yt nëpër natë.
Në ëndërr marr puthje nga buzet e tua.
Me tretesh netëve si vegim dhe shkumë
Marr frymë, parfumi ngatërrohet ne shpirt.
Është malli që më djeg shpirtin si prush.
Çdo ditë me shikim përtej detit të pres.
Pres ardhjen tënde
i shtrenjti zemrës sime. Anonymos…