– Mamit tim, 50 vjeçe, i është shfaqur një problem në sy, thotë: “Kam një si perde, më mjegullohet gjithë vendi, nuk shoh mirë”. Ndonjëherë ajo ka tension të lartë dhe thotë se ndoshta e ka nga kjo, por doktoresha i thotë se jo. Problemin e ka vetëm njëri sy, ai i djathti, se me të majtin shikon shumë mirë. I loton dhe i vë si perde nuk shikon dot. Ajo është rrobaqepëse dhe u bënë gjithë këto ditë që nuk punon dot si më parë. Mos vallë e ka nga profesioni?
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – I nderuar letërprurës! Më vjen shumë mirë dhe ju falënderoj që keni kujdes për shëndetin e mamit tuaj dhe më drejtoheni për zgjidhje të ankesës së saj. Problemi që ju drejtoni për zgjidhje është shumë kompleks, pasi aty janë bërë bashkë shumë faktorë: Mosha, profesioni, gjinia, sëmundja dhe hipertensioni arterial. Në këto kushte, të gjithë këta faktorë të mësipërm godasin në plane të ndryshme organet e vogla që ka vetë syri brenda e që quhen organthe dhe japin simptoma të ndryshme. Fillimisht, duke iu referuar moshës 50 vjeçe të nënës tuaj, direkt më vjen në mendje fakti që ajo mund të ketë nevojë për syze për afër, pasi punon edhe rrobaqepëse. Me rritjen në moshë, muskujt e syrit nuk e kanë më aftësinë e tyre akomodative (vetëpërshtatëse) në shikim, kështu që lind nevoja e përdorimit të syzeve për afër. Problem tjetër është sëmundja e tensionit arterial të lartë apo siç quhet ndryshe, hipertensioni arterial, i cili e godet syrin në nivelin retinal dhe jep retinopathyn hypertensive, që është dëmtimi i enëve të gjakut të retinës, që çon gradualisht në ulje shikimi.
– Ndërkohë, ju më bëni me dije edhe për lotimin e këtij syri, që mendoj se mund të jetë një bllokim i lehtë ose i plotë i kanalit të lotit, që çon në moseliminimin e lotit në kanalin e vet nga syri në hundë dhe lotimin e vazhdueshëm. Së fundmi, ajo që më shqetëson më tej është glaukoma, sëmundja e tensionit të syrit, që është një sëmundje karakteristike mbi moshën 50 vjeç dhe që karakterizohet me ulje graduale të të parit të njërit sy ose të të dyve, si dhe herë pas here, edhe me lotim. Për ta përcaktuar plotësisht diagnozën e glaukomës nevojitet një matje e tensionit të syrit, e cila kryhet rëndom në një vizitë okulistike. Kam përshtypjen që duhet ta vizitoj mamin tuaj që t’ju jap zgjidhje problemit. Është e mirëpritur për vizitë. Faleminderit.