Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Si t’i heqim njollat në kushte shtëpie?
Elton Deda, drejtori artistik i Festivalit të 54-t
Krijimet tuaja...

Elton Deda, drejtori artistik i Festivalit të 54-t

 

Ju tregoj risinë e këtij festivali

 

Advertisement

Këtë vit ai nuk është konkurrent i festivalit të këngës, por ka veshur petkun e një përgjegjësie më të madhe, asaj të Drejtorit Artistik. Ky edicion i 54-t i Festivalit të Këngës në RTSH, këtë vit do të mbahet në datat 25, 26 dhe 27 dhjetor dhe pjesë e garës do të jenë 30 këngë. Për drejtorin artistik, Elton Deda, struktura e këtij viti është një gjetje për festivalin, pasi për herë të parë në historinë e festivaleve në RTSH, këngët kanë filluar transmetimin e tyre, në mënyrë që publiku të njihet më herët me këngët pjesëmarrëse…

 

Ndërsa prisja të kontaktoja me Tonin, e ndiqja me endje punën e tij, përkushtimin gjatë provave, komunikimin plot dashamirësi me kolegët e tij, këshillat apo sugjerimet që u jepte artistëve. “Si me porosi” më vinin në vesh fjalë të bukura për Ton Dedën nga artistë të mëdhenj të skenës, të cilët ndanin me miqtë e tyre përshtypjet që u kishte lënë këtë vit drejtori artistik i festivalit, si një ndër drejtuesit më të përkushtuar të këtij eventi. Përveçse një djalë i talentuar, Toni është mbi të gjitha një djalë që puna me muzikën nuk e lodh, por i fal gjithmonë kënaqësi…

 

Sava LENA: – Përshëndetje Toni! Për herë të parë në historinë e festivaleve, këngët filluan transmetimin një muaj përpara. Përse kjo strukturë këtë vit?

Elton DEDA: – Sepse ne donim të kishim më tepër impakt te publiku. Traditë e festivalit ka qenë gjithmonë që këngët të dëgjoheshin për herë të parë në sallë dhe mendova se mund të provojmë një strategji tjetër, pasi kënga sa më shumë të dëgjohet, aq më mirë përthithet nga njerëzit. Festivali nuk është një sekret shtetëror i cili duhet të mbahet mbyllur në sirtar; është një eveniment që u përket të gjithë shqiptarëve. Sa më shumë të dëgjohen këngët, aq më shumë njerëzit bëhen të ndjeshëm ndaj këngëve që u pëlqejnë. Deri në këto moment duket se po ecën mirë, njerëzit janë të interesuar për t’i dëgjuar. Përveç transmetimit në radio, këngët janë të vendosura edhe në faqen e RTSH-së, ku për t’i dëgjuar mund të klikohet te “Festivali i Këngës në RTSH”, por mund t’i ndjekin edhe në Youtube me emërtimin “Fest 54”. Aty janë të 30 këngët e këtij eventi. Mendoj se kjo gjë i shërben dhe nuk i humb aspak pikë festivalit. Në këtë mënyrë, të gjithë këngëtarët janë të barabartë dhe të gjitha këngët transmetohen me grafikë të caktuar, derisa të mbërrijmë te netët e festivalit.

Ç’mund të na tregosh për punën e bërë deri më tani?

– Puna që kemi bërë deri tani është e madhe, nuk është një terren i pashkelur, është një punë që muzikantët duhet ta bëjnë sepse janë të trajnuar për këtë. Nga ana tjetër, sigurisht që emocionet janë të mëdha, sidomos kur mblidhesh me orkestrën e madhe, kur fillon të dëgjosh harqet, back vokalet dhe në punë e sipër, kënga merr strukturën e vet finale. Pra, prova çdo ditë, derisa siç i themi ne, të bëhen këngët “ujë” jo vetëm nga orkestra, por edhe nga këngëtarët. Ky është i vetmi eveniment në Shqipëri i cili bëhet i gjithi live; çdo gjë është e drejtpërdrejtë, instrumentet, vokali, ndaj u sugjeroj që të mos neglizhojnë në këtë pikë, që nga regjimi i këngëtarëve duke u mbështjellë me shall, konsumimi i çajrave apo medikamentet kundra gripit. (Qesh) Derisa të kalojmë në netët finale të festivalit, sigurisht që kemi ende shumë punë për të bërë.

– Elton, ti si krijues, si i vlerëson tekstet dhe muzikën e sjellë në këtë festival?

– Do kisha rezerva edhe këtë vit për poezitë, nuk mund ta anashkaloj këtë pikë, pasi ka qenë një nga pikat e mia kyçe jo vetëm si krijues, por edhe si drejtor artistik i festivalit. U kam kërkuar kompozitorëve të bazohen në tekste ndryshe nga sa i kemi patur në festivale, jo se festivalit i ka munguar poezia e mirë, por në çdo moment ka nevojë për përmirësime dhe teksti është një nga elementet e këngës. Në rast se kompozitori përmirëson shumë nivelin e audios, të kompozimit, e çon drejt formave më të reja (disa mund të mbajnë dhe formë klasike), që kënga ose të paktën melodia të jetë e kapshme, të njëjtën gjë duhet të ketë edhe teksti. Këtë vit poezitë nuk janë në pritshmëritë e mia, por unë sigurisht që nuk kam “shkopin magjik” për t’i nxitur njerëzit të krijojnë poezi shumë të mira dhe festivali që po drejtoj unë, të jetë më i miri në botë. Mendoj se po t’i kushtojmë pak më shumë vëmendje, edhe poezia do të vijë në ato nivele që ka ardhur krijimtaria muzikore.

– Si e sheh festivalin, nga konkurrent i tij në këto 25 vite, tashmë si Drejtor Artistik?

– Në rrugëtimin tim që nga pjesëmarrja e parë në vitin 1990, festivali i këtij viti përkon edhe me 25 vjetorin e daljes time të parë në skenë në një festival të madh. Sigurisht që është shumë ndryshe ta shohësh nga këndvështrimi i drejtorit artistik sesa si krijues. Këtë vit e kam marrë veten me të mira, pasi jam vetë pianist i festivalit dhe duke punuar me orkestrën, nuk i ndjej shumë gjithë këto detaje. Çdo këngë konkurruese më është bërë si kënga ime dhe ndoshta më është bërë edhe si “xhins” kjo punë. (Qesh) Babai im i dinte përmendësh të gjitha këngët e festivaleve, i këndonte ato dhe të njëjtën gjë po bëj edhe unë, sepse duke i dëgjuar shpesh, duke u futur te detajet dhe duke punuar me orkestrën, këngët më janë bërë si shtëpia ime, ku ndihem rehat. Ndoshta ishte një eksperiencë për t’u bërë të mos isha konkurrent i festivalit, por në orkestrën e tij, drejtues i grupit instrumental dhe nuk bezdisem aspak, përkundrazi, jam në shtëpinë time, në zanatin tim. Bashkë me orkestrën po japim më të mirën dhe më e mira do të bëhet.

– Toni, me çfarë kriteri do të përzgjidhen anëtarët e jurisë?

– Kjo është një pikë e nxehtë sepse gjithmonë ka patur kontestime për jurinë, por mendoj se kriteret e jurisë janë mjaft të forta. Parapëlqej të thërras në juri njerëz që kanë së pari personalitet artistik, që mund të jenë jo shumë të ekspozuar ndaj kontestimeve apo thashethemeve që bëhen gjithmonë për jurinë e festivalit. Pëlqej njerëz që kanë mjaft karizëm, të cilët e përdorin edhe humorin, sarkazmën e cinizmin. Të gjitha këto gjëra duhet të jenë pjesë e një jurie të mirë të festivalit. Nuk është e thënë të jetë vetëm një muzikant profesionist, pasi edhe ai mund të ketë paragjykimet e veta dhe mund të gabojë. Jam më shumë për një juri ku të ketë nga të gjitha zhanret e muzikës dhe të këngës, të cilët e kuptojnë çfarë është mesazhi i një kënge, e kuptojnë se për çfarë është shkruar kjo këngë, etj. Këto janë kriteret e mia. Sigurisht që këtë punë nuk e bëj vetëm unë, pasi ka një staf të tërë njerëzish që konsultohen me njëri-tjetrin dhe konsulta finale bëhet me drejtorin e festivalit. Pra, e gjithë kjo punë, shkon në bashkëpunim. Do të kemi një juri e cila do ta justifikojë praninë e saj dhe vlerësimin e këngëve.

– Mendon se do të ketë kontestime këtë vit, si në vitet e tjera?

– Jam i bindur se në çdo aktivitet ku futet kompeticioni në mes, ka kontestime. Këtu po flasim për muzikën e cila është një art subjektiv, sepse në momentin që luan me emocione, luan me “tela të shpirtit” dhe dikujt i pëlqen e dikujt jo. Përderisa në strukturën e festivalit ka një juri, fatkeqësisht apo fatmirësisht, mund të jetë nga të dyja krahët. Kjo juri do të bëjë përzgjedhjen, por këtë vit mund të kemi disa lëvizje të vogla edhe në formulën e votimit, të cilat ende nuk i kemi vendosur. Këngët fituese apo këngët më të mira të festivalit duhet të kenë sa më pak kontestime sepse në atë moment kuptojmë se juria e ka bërë shumë mirë punën e saj. Nëse shumica e audiencës është dakord me vlerësimet, do të thotë se festivali e ka arritur qëllimin e vet.

– Çfarë keni menduar për pjesën e spektaklit gjatë netëve të transmetimit?

– Për mua, rëndësi kryesore kanë këngët e festivalit; spektakli është një pjesë plotësuese e evenimentit. Normalisht, kemi ftuar emra të njohur, personazhe të dashur për shqiptarët. Do të ketë homazh artistik për disa artistë të cilët kanë humbur jetën këtë vit dhe sigurisht që i takon festivalit t’i vlerësojë. Ju siguroj se do të jetë një shou i bukur. Gjithsesi, dua të theksoj se për mua do jenë këngët e festivalit ato që duhet të kenë më shumë spektakël brenda sesa vetë spektakli që vjen pasi mbaron konkurrimi.

– Do jenë pjesë e spektaklit këngët e krijimtarisë tënde në këto 25 vite?

– Nuk më duket e drejtë që drejtori e pianisti i festivalit, të interpretojë këngë nga krijimtaria e vet. Nuk synoj për grada, pasi gradat i kam marrë gjatë jetës sime, por dua që të kemi artistë të tjerë të ftuar. Unë do të këndoj diçka me Aleksandër Gjokën dhe Redon Makashin, këngët që ne i kemi shkruar për festivalet e RTSH-së. Kemi realizuar një kolazh dhe besoj se kjo është e mjaftueshme. Nëse do të kisha bërë edhe këngët e mia, s’më mbetej gjë tjetër veçse të merrja dhe shkopin e dirigjentit apo të zgjidhja edhe çmimin e parë, por sigurisht që këto gjëra nuk bëhen kështu. (Qesh)

– Të vjen keq që nuk je në këtë konkurrim këtë vit?

– Jam një artist që kam nevojë për hapësirën time, për gjërat e mia; nuk jam artist që kompozoj çdo vit për festival. Nëse nuk do të isha drejtor i këtij festivali, edhe mund të kisha shkruar ndonjë këngë, gjithmonë po të ma kishte ndjerë shpirti, por këtë vit po jap një ndihmesë më të madhe, kështu që jam shumë më i përfshirë sesa po të isha konkurrent. Kohë për konkurrim ka gjithmonë dhe mendoj se festivali është i hapur për muzikantë që shkruajnë muzikë të mirë (me modesti dua ta fus edhe veten te këta njerëz), kështu që të shohim ç’do bëhet në vitet në vazhdim. Po e them në thonjëza, “po më lezeton shumë puna e drejtorit artistik” sepse duke parë të gjitha strukturat, duke u marrë me të gjitha gjërat, jam shumë më i përfshirë sesa do isha thjesht një konkurrent. Më duhet të mendoj për shumë këngë dhe kjo është gjëja më e mirë.

– Mund të të shohim sërish në këtë funksion edhe në vitet e tjera?

– Festivali nuk është pronë e Elton Dedës, por nëse do të më ofrohej sërish, me kënaqësi do ta kisha bërë. Në rast se jo, unë do të vazhdoj të jap ndihmën time për këdo që ka nevojë, në çfarëdolloj pozicioni që do të jem.

– Ekziston dëshira për të qenë në të ardhmen ti fitues i festivalit dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovizion?

– Nuk mendoj se këngët e mia janë të asaj strukture që i shkon Eurovizion-it. Gjithmonë mendoj që krijimtaria të jetë pak specifike, të ketë më shumë nota të bluzit dhe rrokut sesa kërkon Eurovizioni, pasi ky kompeticion kërkon një standard tjetër këngësh nga ato që kompozoj unë. Me thënë të drejtën, nuk e kam menduar ndonjëherë veten në atë skenë. Nuk kam shkruar kurrë këngë për çmime dhe do të vazhdoj të shkruaj vetëm për kënaqësinë time sepse kjo është muzika. Në radhë të parë, dua të argëtohem vetë, të ndjehem mirë dhe po u ndjeva unë mirë, e bëj edhe atë publik që më ndjek të ndjehet njësoj si unë. Nuk më ka interesuar kjo gjë; për mua është mirë të shkojë një këngë që ta përfaqësojë Shqipërinë sa më bukur. Muzika po politizohet shumë, po del nga strukturat. Kënga në vetvete është një gjini shumë e vogël dhe tepër e rëndësishme e cila lëviz gjithë tregun e botës, por unë nuk e shoh veten aty. (Qesh)

Çfarë do t’u thoje artistëve konkurrentë në këtë festival, por edhe publikut që do t’ju ndjekë përgjatë tre netëve të Festivalit të 54-t?

– Konkurrentëve të këtij viti do t’u thoja atë që ua them edhe nga afër; të kenë kujdes ndaj virozave të stinës të cilat u shkaktojnë mjaft probleme me vokalin, të bëjnë një terapi shumë të mirë psikologjike përpara se të hyjnë në festival sepse mendoj seriozisht se është një aktivitet i magjishëm. Ndërsa publikut do t’i thoja që t’i rikthehet festivalit, t’u rikthehet gjërave të bukura të cilat për arsye të shumta ndonjëherë kanë pasur mangësi e ndonjëherë kanë qenë të mira. Mendoj se është tamam koha që festivali ku u dridhen këmbët shumë pseudokëngëtarëve (të cilët bëjnë namin me “playback” dhe reklamojnë më shumë trupin sesa zërin) të marrë shkëlqimin e vet, jo se jam unë drejtori artistik këtë vit, por se i ka ardhur koha. Është i vetmi aktivitet në të cilin këngëtari ose kompozitori duhet të shkruajë shumë seriozisht, jo sepse kënga shkon në Eurovizion, por sepse është tradita e këngës, është një institucion që mbart me vete një histori të madhe.

Krishtlindja do të të gjejë në festival… Po nata e ndërrimit të viteve?

– Në klubin tim, në “RockStock”.

Nga kush e pret urimin e parë?

– Nga personat e mi të afërt, mamaja, motra, por edhe nga djali im që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pres një urim të bukur.

– Nga kush e pret puthjen e parë për vitin e ri 2016?

– Atë natë ne do të marrim shumë puthje. (Qesh)

– Do ta kesh pranë të dashurën tënde?

– Njerëzit që i duam, i kemi gjithmonë pranë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Si t’i heqim njollat në kushte shtëpie?

Next Post

Krijimet tuaja...

Advertisement