Besohet se tashmë, është gjetur mesazhi më i lashtë i shkruar në shishe, pas 108 vjetëve të kaluara në det. Marianë Uinkler, një punonjëse poste e dalë në pension, ishte me pushime kur vuri re shishen e pazakonshme që po pluskonte në ishullin gjerman të Amrumit. Ajo i tha gazetës lokale se shishja me xham të tejdukshëm, kishte brenda një shënim me fjalët: “Thyej shishen”. “Burri im, Horsti, me kujdes u përpoq ta nxirrte mesazhin nga shishja, por nuk ishte e mundur, kështu që u detyruam të bënim siç shkruhej”, tha ajo. Kur çifti theu shishen, gjeti një mesazh të shkruar në anglisht, gjermanisht dhe holandisht. Ai i kërkonte gjetësit të plotësonte disa informacione se ku e kur e kishin gjetur shishen dhe më pas t’ia dorëzonin Shoqatës së Biologëve Detarë, në Plimuth. Thuhej se ai që do ta bënte këtë, do të shpërblehej me një shilingë. Çifti bëri ashtu si shkruhej dhe e dërgoi letrën me postë. Drejtuesi i Komunikimit të Shoqatës së Biologëve Detarë, Gai Bejker, i tha “Daily Telegraph”: “Siç mund ta imagjinoni, ishte mallëngjyes momenti kur hapëm zarfin”. Kur ky mesazh arriti në shoqatë, stafi e njohu shishen si një nga 1020 shishet e lëshuara në Detin e Veriut në vitet 1904-1906, si pjesë e një projekti për të testuar fuqinë e korrenteve ujore.
Zoti Bejker u tha gazetarëve: “Ishte një kohë kur po shpikeshin mënyra për të hetuar se çfarë bënin korrentet dhe peshqit. Shumë nga shishet u gjetën nga peshkatarët që peshkonin në rrjeta të thella në det, disa dolën në breg dhe disa nuk u gjetën kurrë. “Shumica e shisheve u gjet brenda një kohe relativisht të shkurtër. Bëhet fjalë më shumë për muaj, sesa për dekada”. Besnike ndaj fjalës së tyre, shoqata i dërgoi çiftit një shilingë, ashtu siç ishte premtuar. Tani ata po presin që rekordet Gines të konfirmojnë nëse ky është mesazhi më i vjetër në shishe që është gjetur deri më sot. Besohet se mbajtësja aktuale e rekordit është një shishe e gjetur pas 99 vjetësh.