Venera Lumani është ndër të pakta këngëtare në Shqipëri që ka preferuar ta ndërtojë karrierën e saj muzikore në saje të vokalit dhe thjeshtësisë. Ajo e ka vërtetuar se ka një zë të jashtëzakonshëm, pasi është edhe fituesja e “The voice of Albania”. Tanimë, karriera e saj ka bërë një hap përpara dhe Kënga Magjike është sfida e saj e radhës. Së bashku me partnerin e saj, Lindin, ata kanë marrë pjesë në festival me këngën “Zemër në katror”, një projekt sa personal, aq edhe për publikun. Venera shpreson të marrë më të mirën nga ky festival dhe e shfaq pak skepticizmin e saj për votimin nga kolegët, por gjithmonë, në formën e shakasë. Ajo ka shumë projekte dhe pranvera do të jetë stina e saj me album dhe dy klipe… E gjithmonë, Lindi i gjendet pranë duke e mbështetur dhe falur gjithë dashurinë e tij.

 

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Venera. Çfarë po bën tani?

Venera Lumani: – Hej Eraldo, gëzohem që po dëgjohemi. Po i gjej rrobat Lindit për të dalë. Si fëmijë që është, nuk i gjen dot vetë. (Qesh)

– Kur të jesh gati, fillojmë me pyetjet e të rriturve…

– Gati, gati jam.

– A je e kënaqur me pjesëmarrjen në Këngën Magjike?

– Jam shumë e kënaqur, pasi gjithçka po shkon në mënyrën e duhur.

– Si u prit kënga?

– Çdo ditë e më shumë dëgjoj fjalë shumë të mira dhe më bëhet shumë qejfi, se njerëzit e kanë pëlqyer dhe po dëgjohet. Ky është edhe qëllimi ynë kryesor, që t’u pëlqejë njerëzve.

– Si lindi ideja për të konkurruar në këtë festival?

– Lindi kishte kompozuar diçka dhe në bisedë e sipër, duke menduar nëse do ta bënim me klip apo ta prezantonim në një festival, vendosëm që Kënga Magjike është kompeticioni i duhur për ta paraqitur para publikut.

– Përveç Lindit, kush janë autorët e tjerë të “Zemër në katror”?

– Kompozimi është nga Lindi. Ai e ka krijuar. Më pas ia treguam Rona Nishliut dhe ajo i bashkangjiti tekstin.

– A ishte i menduar që në fillim një bashkëpunim apo kjo gjë u vendos pas marrjes në dorë të këngës?

– Pas duetit të parë me këngën “Nata e parë”, kishim shumë dëshirë të vinim me një tjetër. E kishim menduar që më përpara dhe më në fund, e vumë në jetë edhe këtë dëshirë.

– Kënga është më shumë personale apo i kushtohet një publiku më të gjerë?

– Së pari, është personale për atë çfarë jemi për njëri-tjetrin, por normalisht, edhe publiku është pjesë e rëndësishme e saj, pasi atyre duam t’ua dhurojmë.

– Në skenë ndihesh më mirë vetëm apo përkrah Lindit?

– Një artist merr emocione të ndryshme kur këndon vetëm dhe kur është në duet. Janë të dyja momente shumë të veçanta; nuk i ndaj dot.

– Ju kanë bërë shumë komplimente për këngën?

– Na kanë thënë fjalë shumë të mira. Sigurisht, ndihemi të privilegjeuar nga kjo gjë; na japin më shumë forcë për të ecur përpara.

– Çfarë pretendimesh keni në Këngën Magjike?

– Mjafton që publiku ta pelqejë. Jemi në një fazë në të cilën na intereson vetëm mbështetja e publikut.

– A besoni se ndikon negativisht mënyra e votimit në marrjen e çmimeve, duke qenë se janë kolegët ata që votojnë njëri-tjetrin?

– Hëm… nuk e di. Do ta shohim këtë vit sa është e vërtetë kjo gjë. Kam dëgjuar fjalë të ndryshme, por ngaqë këtë vit jam edhe unë në lojë, ndoshta do të zbuloj më shumë. (Qesh)

– Cilat janë projektet e ardhshme pas këtij festivali?

– Pas Këngës Magjike, vijon prezantimi i Lindit në festivalin e RTSH-së, ndërsa unë po pres pranverën për të sjellë albumin dhe dy klipe.

– Je ndër të paktat këngëtare në Shqipëri që karrierën e ndërton në bazë të zërit. Si e sheh tregun muzikor në vendin tonë?

– Më duket një rrëmujë e madhe! S’merret vesh asgjë, por shpresoj që të vetëndërgjegjësohen dhe të bëjnë më të mirën për muzikën shqiptare.

– Ku e shikondallimin mes komerciales dhe qëndrueshmërisë në muzikë?

– Te tundimi. Mendoj se asnjëherë s’do të më tërheqë diçka që do të më dërgojë drejt komerciales.

– Sa e lidhur je me fansat e tu?

– Jam shumë e lidhur dhe mbaj komunikim të vazhdueshëm me ta. Janë shumë të mirë.

– A mund ta dimë se kush është ndër më të vëmendshmit?

– Ka shumë që më ndjekin dhe më këshillojnë, por është njëri që gjithmonë më jep këshilla në daljet e mia në skenë apo lëvizjet gjatë përformancave. Unë e thërras Markoled Pashukovski dhe e përshëndes edhe me këtë rast, pasi është e sigurt se do ta blejë gazetën dhe do të më kritikojë për ndonjë gjë. (Qesh)

 

Venera dhe Dashuria

 

– Si shkon marrëdhënia me Lindin?

– Marrëdhënia me Lindin shkon shumë mirë. Çdo ditë e më shumë po përforcohet dhe rritet shëndetshëm. (Qesh)

– Jetoni së bashku Tiranë… Si është të dashurosh në kryeqytetin tonë, pasi kejetuar në një qytet tjetër?

– Kemi 3 vite që jemi këtu dhe unë e dua Tiranën. Ecën paralelisht me ne të dy.

– Kush është më toleranti ndër ju të dy?

– Lindi…

– Romantiku?

– Hëm… S’e di… Të dy jemi, në mënyrat tona.

– A keni ndërmend të bëni një hap më tepër në marrëdhënien tuaj?

– Është ende shumë herët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here