Edhe njëqind Gloria!
Si sot një vit më parë erdhe në jetë ti, princesha jonë Gloria. Triumfove dashurinë e dy prindërve të tu që të duan pa fund dhe je krijesa më bukur në botë për ne. Të urojmë të rritesh e lumtur, e bukur dhe plot shëndet. Të urojmë të bëhesh 100 vjeçe, motivi jetës sonë! Gëzuar ditëlindjen, dashuria jonë, Gloria. Tanti auguri amore di pappa e mama. Auguri la nosta gioia!
Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Ti, miku im, Kastriot Islami (deputet) gjithnjë më sjell gjendje emocionale të veçantë. E para, ishte përjetimi me Fatosin, këtë njeri, shkurt, të mrekullueshëm dhe pastaj, vizitat e tua të përditshme te nëna, që unë e njoh mirë, e cila ka punuar te gazeta “Puna” me shokët e mi, edhe sot të lidhur me median. Ajo quhet nënë, por edhe ti quhesh djalë, nga ata që populli i quan “deli djalë”. Të përqafoj fort, Kaço!
– Lajmi i javës që shkoi, brenda valëve të “Tv Flamurit”, ishte prania e Eldës, farmacistes së famshme të Rrugës së Durrësit, andej nga liqeni. Elda, që jep aq këshilla të vyera për kremra e shëndetin, e ka kuptuar se nuk ka si vrapi i mëngjesit në ajrin e pastër dhe gjelbërimin e pazëvendësueshëm nga asnjë ilaç. Urime Elda dhe ishalla i reziston kohës!
– Të pashë përmes valëve televizive, në panairin e Baldushkut, miku im, deputeti Xhemal Qefalia. Prania jote në atë zonë më tingëllon aq “bio” sepse ty të shtyn jo vetëm detyra, por edhe dashuria e sinqertë që ke për ata njerëz, shumicën e të cilëve i njeh me emër. Kështu mbetsh përherë, i dashur Xhemal, i rrethuar nga respekti dhe dashuria e njerëzve të thjeshtë. E atyre në radhë të parë, se është kaq njerëzore! Të përqafoj dhe të fala Lymit, mikut tim të shtrenjtë!
– Nuk u habita. Përse do të habitesha që ti, shoku im i fëmijërisë, Arben Gjata, je bërë rektor i Fakultetit të Mjekësisë?! Në të vërtetë, pata një ndjenjë të brendshme ngazëllimi. “Bravo Beni!”, fola me vete. Unë të njoh që i vogël, njoh babain tënd, gjithashtu, mjek. Njoh sidomos mirësinë dhe ndershmërinë tënde. Them se rektori dhe Beni janë në një përputhje të plotë. Për këtë ndjesi u ula dhe shkrova këtë urim modest, në pritje për të pirë një kafe urimi. Të përqafoj fort, Ben Gjata! Na nderove lagjen!
– Edhe pse me ty nuk shkoj mirë, se jemi natyra të ndryshme, e lexova me një frymë librin “Plaku Mu”, zoti Enver Muça. Shumë bukur. Njeriu ndjen peshën e këtyre grimëçasteve të ikshme, përmes të cilave jeta tretet dhe kthehesh nga gazetar i Ministrisë së Brendshme, në rrufitës kafesh e anekdodist, aty te kullat e Fidelit. “Po ç’bëni përditë e përditë?”, pyesin jo pak njerëz për ju. Se, ka plot pensionistë që dalin nga liqeni. Nejse, kjo është zgjedhja juaj. Për librin jam ulur të shkruaj, se pashë art të vërtetë dhe dhimbje të vërtetë. Urime, Enver Muça!
– Lus Zotin të jesh gjallë Lekë Previzi, njeri i madh dhe piktor i madh. Me albumin tënd “Në rrathët e ferrit” të gjithë ata që duan, kanë parë një dëshmi të tmerreve të kampeve të përqendrimit, në formën e një arti të mbijetuar në kushte ferri. Tani duhet të jesh 90 vjeç, por unë dua, sa fort dua të të takoj, të të puth fort në ballë, njeri i bekuar i Zotit!
– Ilirin, dajën tënd, e shoh përditë andej nga liqeni, po edhe mamaja, me biçikletë, ia bën fora. Mungon ti, Erisa. Të paktën të të uroja për doktoraturën dhe të të përqafoja, e pazëvendësueshmja tek unë, Erisa Xhixho. Urime!
– Pashë te Fevziu, me datë 28.10.2015 intervistën e atij që e quajnë “deputeti kaubojs”. Me vërtetësinë e tij si karakter, ai ma goditi përfytyrimin me një fuqi të rrallë. Mos vallë vërtet po vjen një njeri me një dimension sa njerëzor, aq edhe të çeliktë, mbi të gjitha i ndershëm në kulm?! Lus Zotin që po! E keqja përhapet shpejt, por edhe e mira, kur i ka rrënjët të forta. Urime pra, Eduart Ndocaj!
– Që ti, i dashur E. Haxhinasto, ke stofin e një njeriu shumë të ndershëm, këtë nuk ka mbetur ta them unë. E “thotë” në radhë të parë opozita, që s’ka ç’të thotë. Flas për argumente, jo për dëngla. Po, mua më pëlqen që takohemi andej nga liqeni pasditeve. E kam thënë edhe herë tjetër. Aty fryn era e Elbasanit se del Omeri, Agron Gani, Fatos Kongoli, ti, po edhe unë. Dhe besoj edhe mjaft të tjerë. Të uroj fort, për gjithçka të mirë, Mondi!
– Ka filluar aty te stacioni televiziv Channel One një emision i ri, i titulluar “Lind-on”. E drejton Patrik Sadiku. As e njoh, as e kam takuar ndonjëherë, por e di që është gazetar trim e që i çon angazhimet deri në fund. Me rastin e emisionit aktual, e uroj të mos bëhet pjesë e ideologjive sepse ky do të qe fundi. Ku ka më mirë sesa zëdhënës i opinionit publik?! Për këtë të uroj, i dashur Patrik Sadiku!
– Njëlloj si një bimë që drejtohet instiktivisht drejt dritës së diellit, edhe pena jote, i dashur Servet Tartari (nder i kombit) është drejtuar gjithnjë nga shpirti i njerëzve botëshumë. Këtë ndjen kur lexon librin tënd më të ri: “Petrit Murzaku-krenaria e sportit shqiptar”. Ashtu si shqiponja që e zgjedh prenë e vet, ti zgjedh ata që janë të denjë për penën tënde. Të uroj fort nga zemra, miku im Servet!
– Më tepër se një kompliment për ty, kjo është një dhimbje për fatin tim: Megjithëse je gjyshe, me Gloenin e mrekullueshëm dhe, edhe unë e ëndërroj një gjë të tillë, pra, i kemi mbyllur ca hesape, prapë mendoj: Si nuk më ra shansi të të kisha njeri të afërt ty, Eli?! Në fantazinë dhe ëndrrën time bëhen bashkë: Nëna, motra, gruaja, gjyshja. Ke një potencial mirësie të daltuar. Rrezaton pikërisht këtë. Nuk e kam zili, por e admiroj Gëzimin për fatin që ka patur. Jam i sigurt se edhe vetë ai e thotë këtë. Të uroj shumë lumturi, e dashur Eli Dauti.
– Ti e di që më ke hyrë fort në zemër, i nderuar Ibrahim Valbona. Unë, këdo tropojan që takoj, i flas për ty, 77 vjeçarin që erdhi nga Amerika dhe ngriti resortin turistik më të bukur të veriut shqiptar. Pra, nuk erdhe në Tiranë, shkove në Valbonë. Më vjen mirë që atë respekt që kam unë, e ka edhe shoku im i shkollës, Prel Martini, Sait Dollapi, ish-nëndrejtor i policisë së shtetit.
Kurse Ibrahim Hamza, pretendon se ka punuar me ty në Dragobi dhe se ke mbiemrin Sadria. Ç’rëndësi ka?! Më mrekullon fakti që ke një jetë kaq të ndershme të mbushur plot respekt. Të lutem, më telefono që ta lëmë kur të vij, të të përqafoj fort, aty në Valbonë!
– Është e certifikuar dhe e publikuar dashuria që kam për djalin tënd të vogël, “djalin e babës”, i dashur Kadri Morina. Kur lexova që ka dhunti edhe për aktor, m’u bë zemra mal. Unë e di sa e vështirë është të jesh aktor. Motra ime, Shpresa, na e ka përcjellë këtë përvojë. Por, e di se sa i duhen njerëzimit ata, me talentin e tyre, kështu që i uroj gjithë të mirat në këtë rrugë plot vështirësi, por edhe plot dritë, i dashur Kadri!
– Ndonëse për arsye moshe nuk i kam shumë të rekomanduara pushimet e gjata, aq më tepër në timon, gjithsesi datën 2.11.2015, ditë e hënë, do ta mbaj mend gjatë. Takova kryetarin e bashkisë Burrel, Nezir Rizvanin dhe atë të bashkisë Klos, Basir Çupa. Që ta them me dy fjalë: Njerëz nga ata me NJ të madhe që drejtojnë në dy zona nga më të varfërat e Shqipërisë, por nuk dorëzohen, përkundrazi, janë bërë simbol i shpresës e së nesërmes më të mirë. Do të shkruaj përsëri për ju, miq të mitë që më keni njohur edhe para pesë vjetësh. Përsëri!
Me këtë rast, falënderoj edhe mikun tim të vjetër, deputetun e zonës, Bedri Hoxha, që më ndihmoi shumë me rekomandimet që më dha. Urime të treve! Ju përqafoj fort. Jeni si ajo rakia e Klosit dhe e Burrelit.