Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju…
– Siç të thashë, kur ishim me Agim Zeqon, i dashur Armand Shkullaku, Alma Çupi lëvron një gjini aspak të lehtë dhe gati të harruar, siç është televizioni tani. Po ti aty ke edhe një spikere gazetare, zonjën Milori, që është më e ëmbël se torta që mbante për 5 vjetorin e “ABC-Nevvs”, ke edhe një Mimoza Koçi që të “merr gjak në vetull”, etj. etj. Gazetarë të spikatur. Të uroj fort ty dhe stafit tënd. “Chapeau” thonë francezët në këtë rast!
– Përsëri aty në Shkopet, te lokali buzë rrugës, të gjeta, miku im A.Gjeci, por 5 vjet më shumë i kishim në kurriz të dy. Tani kishe dhe një Ani, aty në kafaz, që nuk ngopej me molto. Më erdhi mirë që i sheh ende librat e mi. Respekte, miku im dhe puthi fort fëmijët!
– Instituti i shkrimtarit, më çoi herët, në mëngjesin e dt. 4/11/2015. Shkova në meshën që u mbajt në varrezat katolike të Shkodrës. Është pak të them se u gjenda i rrethuar nga një mrekulli. Ishin disa, në të vërtetë. Kapela e rindërtuar me mbishkrimin “Zot, jepu pushimin e Pasosun” (vini re me “N” pra, me një gegenishte të pastër). Pastaj, ai kori i vajzave që të kujtonte zanat e pyllit, ose sirenat e detit. Çfarë zëri, çfarë zëri! Kryeministri, kardinali dhe populli, sidomos populli, i derdhur nga të katër anët. Pleq, me nipa, 2 orë e ca në këmbë edhe në nderim të birit të tyre Simon Jubanit që mbajti meshën, po aty, 25 vjet më parë. Zot, qofsh i bekuar për çfarë më dhe atë ditë! Amen!
– Ne u kthyem në një rrugicë afër fabrikës së këpucëve në Shkodër. Kur… tak, në mur, një pllakatë “Këtu ka jetuar Dom Simon Jubani”. Ej, Zot çfarë fati! Dhe tani aty banonte një vajzë e përkryer, Luli Malota. Dom Simoni… ia kishte falur shtëpinë. Edhe një herë: Falur!!! Dhe kjo vajza Luli, pra, që e kish kthyer në muze, ku kishte qindra “margaritarë” nga jeta e Simonit dhe Zefit, vëllait të tij, që vdiq në burgjet e diktaturës. E moj vajzë, moj vajzë e perëndishme, që të mbusheshin sytë me lot gjatë intervistës; ata sy aq të bukur! Eh, sa fat, që të uroj, moj Luli Malota! U bëfsh më shumë se 100 vjeçe!
– Qazim i dashur! Si praktikues i sportit në mëngjes, andej nga liqeni i Tiranës, takoj jo pak elbasanas, Omerin e matematikës, Fatos Kongolin, shkrimtarin, Agron Ganin, pedagogun, Edmond Haxhinaston.
– Jo një herë, po shumë më tepër flasim për Elbasanin tonë të dashur. Unë i marr me mend sfidat jo të vogla, por ti përpiqesh me çdo kusht. Të tillë e shoh edhe marrëveshjen e fundit me Slloveninë për infrastrukturën dhe gjëra të tjera. Të uroj nga zemra, miku im, Qazim Sejdini, dhe lëri shkrimtarët se atë punë kanë!
– I dashur Agustin Uldeda! Sa herë vija në Shkodër dhe e shihja Hotel “Rozafen” (ish-Turizmin) në atë gjendje të mjeruar, lëndoheshe kaq thellë në shpirt ti sikur thoshe se këtu çdo gjë ka marrë të tatëpjetën… Por, ja ku u gjend një njeri, Gjokë Uldeda dhe vëllezërit e tij, që e kanë bërë nuse përsëri, oh, sa u kënaqa! Le të jetë “Grandi” dhe “coloseu”; Rozafa, është Rozafa. Është dhimbje, sukses, histori, krenari. Ja, për këtë, unë plaku, të uroj kaq fort nga zemra, i dashur Agustin!
– Në dt. 7/11/2015, të pashë para kryesisë së Parlamentit, e dashur Klea. Ishe duke bërë një Stend-up, ndaj nuk ndenjëm më gjatë. Po, për herë të parë, unë të pashë të veshur disi ndryshe. Krejt normale, po disi ndryshe. Ktheva kohën dhe… te pulpat e tua aq të bukura, pashë një djalë student, që quhej F. Bërdëllima dhe rendte çdo fundjavë në Korçë, për të parë ca pulpa të tilla. O Zot, çfarë rruge e gjatë dhe çfarë autobusash të vjetër! Po, ishin pulpat e studentes korçare që “banonin” tek ai pallati pranë stacionit të autobuzave. Tek ai kati i dytë, që është një dritare e cila mbyllej, sa shihte këtë “budallain” nga Tirana… Dhe pastaj… A pastaj, ja ku kaluan 40 vjet dhe përpara një jave pashë një palë pulpa korçare. Por, vaj medet, që unë e dua si motër pronaren e tyre, Klean e mrekullueshme. Dhe… kaq. “Stend-Up-i” mbaroi. Urime Klea Cenkollari, dobësia ime si gazetare!
– Atë potencial të pakët force që i ka mbetur, e “shkarkon” përditë me shokët, etj. te parku “Rinia”. Ky njeri që ka probleme me një sy dhe është 86 vjeç, ka ngritur peshë, për më shumë se një dekadë, me mijëra zemra tifozes të boksit. Është fqinji im Dhimitër Cakalli, babai i Romeos, që gjithashtu e kam pikë të dobët për kulturën dhe talentin që ka. Por këtë urim e kam për Dhimitrin: Për një jetë, sa të dojë vetë dhe gjithnjë me atë ecjen që është aq e lehtë, sikur nuk do t’i rëndojë tokës. Të përqafoj fort, Dhimitër, miku im i shtrenjtë!
– Ishte një kënaqësi e veçantë për mua kur të pashë ty, fqinjin tim, po edhe mikun tim Viktor Sterkaj, me datë 4/11/2015, në Shkodër. Për meshën, po edhe në respekt të Dom Simonit dhe vëllait, Zef Jubanit, që kaluan mundime ferri… Vetëm sepse donin Zotin. Pyes: ku janë sot dhe që ndaluan fenë, që prishën kisha e xhamia! Ku zvarriten vallë? Pashë aty, i dashur Viktor, një popull shkodran, të çliruar nga barra e rëndë e komunizmit dhe me duart e shpresën drejt Zotit të madh. Edhe një herë të shpreh admirimin tim, ty njeri vërtet fisnik, Viktor Sterkaj!
– Unë e di që ti më beson, i dashur Adrian Take. Edhe një herë: E di që më beson se… kërceve disa herë përpjetë nga gëzimi kur mora vesha rezultatin me “Sportingun”. Jo pak, po 3-0. Në ato çaste gëzimi, nuk jam një plak, as vetëm tifoz i Skënderbeut. Në deje më rrjedh krenaria se jam shqiptar. Ashtu si mijëra të tjerë, e ndjej se çfarë impulsesh të fuqishme i ke dhënë (ti dhe stafi, ekipi, po se po), imazhit të Shqipërisë. Atë që ka bërë Kadareja në letërsi për imazhin e vendit tonë, po e bën “Skënderbeu” dhe “Kombëtarja”. Të përqafoj fort Adi, ti njeriu i pabujë, po zemërflori, aty te “Tropikali”.
– E dashur Rosela Gjylbegu! Një shoku im më tha kur po shihte spektaklin e çmimeve “Kult”: “O Zot, ishalla fiton Rosela! O Zot…” e kështu disa herë dhe Zoti ia plotësoi dëshirën. Është njeri që sa herë vete në Shkodër shpreson se do të shohë të pedonalja apo tu pi kafe me Kujtimin e Q. K. Fëmijëve, apo në varrezat e Rrugës (Katoliket)… Në Tiranë, pyet gjithnjë Jozefinën: “Si është Rosela?”. Tani të gjithë e dinë, se bashkë me Evis Mulën, jeni dy dobësitë e tij. Për mirësinë që ju buron nga shpirti, sytë dhe kënga…
Dhe po ta heqim kuriozitetin, ky njeri quhet Flamur Bërdëllima, një plak që sheh ende me sy hapur… Gjithsesi, urime për titullin te “Kulti”! Uroj edhe veten, që shoh ëndrra të bukura…
– Pak sekonda ndenjëm bashkë aty në Klos, i nderuar Faik Krosi, por më bëri përshtypje fisnikëria jote dhe sidomos, e gruas tënde. Ti e di, pse e kam fjalën! Uroj që vajza të bëhet një oficere policie e devotshme. Ju përqafoj! Të fala ke edhe nga Berti!
– Sytë e tu, po edhe flokët, me një ngjyrim të veçantë, ishin lajmëtari i parë se kjo femër që po kalon aty te korsia e Liqenit, është një pjesë e dikurshme e jetës sime. Dhe vërtet, qe një nga dobsitë e mia kur punoja hamall tek ish-“Punishtja e ëmbëlsirave” (pranë shkollës Siri Kodra). Ishte shoqja ime aq e bukur edhe sot që është gjyshe, Vjollca Dervishi. Sa herë takoj ambasadorin tonë në Greqi (vëllai i Vjollcës) për të e pyes. Po Vjollca këtë radhë ishte me një kinge, nga ato që kërkohen me qiri. Me syze që i shkonin aq shumë. Epo, ç’të them: Rrofsh o shoqja ime e bukur që më kujton kohë të arta. Të puth fort, Vjollca! Edhe ty me syze, gjithashtu. Mos iu ndani Liqenit, që do të thotë, mos iu ndani jetës! Urime!
– “FRAL-2000”! Kjo firmë, më kujton një nga njerëzit më fisnikë që njoh: Fredi Balajn. Ky vlonjat, mik i K. Zejnos, administron edhe një biznes të magazinimit, duke përfshirë konsulencen, projektimin e zbatimin. E shoh gati çdo ditë në televizor reklamën, por reklama më e mirë je ti, Fredi, me atë buzëqeshjen që ka diçka nga sektori i perëndive, bio, pra. Të uroj gjithë të mirat, miku im fisnik, Fredi Balaj.