Zezakët dhe biçikleta
– Ç’do të thotë të shikosh në ëndërr shumë zezakë? Dje pashë sikur donin të më vidhnin biçikletën dhe u bërtita. Nuk u lashë gjë pa thënë, shfryja ndaj tyre me një vrer që më bënte të habitesha me veten time. I urreja gjer në atë pikë saqë doja t’i vrisja fare. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Kjo ëndërr tregon që thellë-thellë në ndërgjegjen tuaj jeni raciste, sidomos ndaj njerëzve me ngjyrë. Ndoshta edhe natyra e punës që keni, ju bën të jeni vazhdimisht në kontakt me njerëz të tillë dhe kjo ju ka irrituar. Këtë gjë tregon ëndrra. Megjithatë, ëndrra ju këshillon të ndryshoni sepse Zoti i ka krijuar të gjithë njerëzit njësoj, pavarësisht ngjyrës. Është si ajo fusha me lule, e cila po të ishte vetëm njëngjyrëshe, nuk do ishte aq magjike sa një fushë me të gjitha llojet e luleve dhe ngjyrave. Para Zotit jemi të gjithë njësoj. Që të bini në qetësi me veten tuaj, duhet të reshtni së qeni racist. Nëse keni një koleg apo dikë afër që është me ngjyrë, bëni paqe me të.
Më ndiqnin nga mbrapa
– Në ëndërr kam parë sikur po më ndiqnin disa persona që ishin shumë të këqinj. Isha përballë hyrjes së një pallati shumë të madh dhe në duar kisha një tufë me çelësa që më shërbenin për të hapur portat. Gjithsesi, çelësat nuk punonin mirë dhe më kapën duke më detyruar të bëja gjërat që më urdhëronin. Një moment pashë dhe sikur më dhanë urdhër të bëja fëmijë dhe sikur i bëra. Një ëndërr e çuditshme për të cilën pres një shpjegim. Faleminderit.
– Një ëndërr e tillë tregon që jeni mes një debati në lidhje me një çështje personale, private, që ka lidhje me zemrën tuaj. Ndiheni të përsekutuar dhe duan që ju të bëni çfarë dëshirojnë ata dhe jo atë çfarë dëshironi ju. Celësat ama i kishit ju në duar, që do të thotë që gjithçka e keni ju në dorë. Edhe pse ata ju urdhërojnë, fëmijët në fund tregojnë që vetëm planet tuaja do të triumfojnë. Vetëm se duhet ta bëni në mënyrë të atillë që të tregojë sikur ju po realizoni vërtet atë çfarë po ju imponojnë të tjerët.