Fallxhorja dhe djali që dua
– Ç’do të thotë të shikosh në ëndërr një fallxhore e cila po mundohej të më lexonte dorën? Pastaj pashë sikur kisha një djalë afër meje dhe synimi im ishte të dija rreth këtij djali. Pres një përgjigje nga ana juaj dhe ju falënderoj.
– Fallxhorja në ëndërr ka shumë kuptime dhe në shumicën e rasteve përfaqëson të keqen. Jo se do t’ju ndodhë ndonjë e keqe, por nuk është pozitive. Ëndrra juaj tregon se ju keni disa ide negative në kokë, të cilat nëse i vini në jetë, mund të rrezikoni një marrëdhënie miqësore, familjare. Mund të komplikohen shumë gjëra, më shumë seç i kishit menduar. Djali në krah është personi për të cilin ju ndjeni shumë simpati, por nëse ju keni plane në lidhje me këtë djalë, do të thotë që të mos i shfaqni këto ide, sepse do të rrezikoni edhe atë pak miqësi që keni bashkë. Lërini gjërat të rrjedhin vetë, siç e do fati.
Bleva mish
– Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur shkova në një qytet dhe u ndala e bleva mish. E çova në shtëpi dhe vëllai me nusen u gëzuan, ndërsa mami nuk u gëzua shumë. Pashë edhe një nuse në shtëpi, që herë më bëhej si mami, herë si kunata. Ajo qeshte me të madhe. Vëllai dukej shumë i lumtur dhe po puthte nusen e tij. Dua një shpjegim nga ana juaj, nëse është e mundur. Ju falënderoj. Lola.
– E dashur Lola, blerja e një sasie mishi do të thotë të pranoni diçka, por në varësi të ëndrrës, lind dhe shpjegimi. Nëse mishi ka qenë i papërpunuar, parashikon zhgënjim. Nëse ju keni blerë shumë mish dhe ju duket shumë i mirë në paraqitje, tregon rritje të anës financiare, do të keni një pasuri në të ardhmen. Ndërsa personazhet siç është babai, vëllai, nusja, mami, kanë lidhje me një problem familjar, për të cilin ju duhet të jeni në dijeni. Mendoj se vëllai me nusen kanë probleme dhe mund të diskutohet një çështje divorci, gjë që ju do ta keni të vështirë ta pranoni. Gëzimi e lumturia që keni parë në sytë e vëllait është dëshira juaj për ta parë në realitet ashtu, por duket që në realitet ai është shumë i mërzitur dhe ju vetë jeni e trishtuar për fatin e tij. Duhet t’i qëndroni pranë dhe t’i jepni kurajo, çfarëdolloj vendimi që ai të marrë.