– Doktoreshë Mira, kam një djalë 7 vjeç, i cili është i ftohur dhe po e mjekoj me gentamicinë prej tre ditësh. Para pak kohësh ai kaloi një grip dhe jam në merak sepse shoh që më djersitet shumë, sidomos gjatë kurës. Lodhet shumë shpejt, gati i bie të fikët dhe ka temperaturë. Mos nuk është ky mjekimi i duhur? Ndonjëherë skuqet edhe në fytyrë sikur të jetë alergjik. Pres përgjigjen tuaj. Faleminderit.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – E nderuar zonjë, së pari i uroj të shkuara sa më shpejt djalit tuaj. Për shqetësimet që na paraqisni dhe për të patur një përgjigje më të saktë e të dobishme, do të ishte mirë t’i bënit një vizitë. Mund ta sillni tek unë, ose te mjeku i familjes tuaj sepse nuk mund të përcaktojmë asgjë me këto pak të dhëna që na jepni. Pastaj duhet parë e vizituar nga afër për të parë se nga i vijnë këto shqetësime. Duhet parë shkalla e ftohjes që ka marrë djali juaj dhe a ka ndonjë përmirësim pas përdorimit të gentamicinës. Pastaj i duhet bërë një analizë për alergji, duke qenë se paraqet shenjat që ju përshkruani. Pra, e gjitha kjo arrihet vetëm duke e vizituar drejtpërsëdrejti te mjeku. Vetëm kështu do të merrni një përgjigje të saktë dhe mjekimin e duhur. Jeni të mirëpritur!