Edmond Prenga ose siç e njohin, DJ Edmond, edhe pse i ri në moshë, është një nga ata DJ që kanë performuar nëpër shumë evente të muzikës shqiptare. Ai e ka pasion muzikën dhe nuk pendohet që ka zgjedhur të bëhet DJ, edhe pse në disa raste, kjo punë është e vështirë. Se pse, na e thotë vetë ai…

 

– Edmond, të bëheshe Dj, ka qenë një dëshirë e jotja që në vogëli?

– Po, që në fëmijëri e kam pasur pasion muzikën. Nuk e kam menduar që do arrija ndonjëherë deri këtu ku jam sot, por edhe ëndrrat realizohen.

– Me cilin nga personazhet publike ke performuar nëpër evente?

– Janë shumë për t’i përmendur sepse unë bëj edhe menaxhimin e disave prej tyre, por disa nga ata me të cilët kam performuar janë: Nora Istrefi, Çiljeta Xhilaga, Dafi Derti, Rati, Çartani, Altin Sulku, Mirjeta Mema, Altin Shira, Perlat Sheqeri, Arif Dushaj, Nexhip Dida, Denisa Gjezo, Elizabeta Marku, Ylli Baka e shumë të tjerë.

– Je penduar ndonjëherë që ke zgjedhur këtë profesion?

– Jo, asnjëherë, përkundrazi, nëse ka diçka të rëndësishme në jetën time, kjo është muzika!

– Natën rrini zgjuar dhe flini ditën, kjo është mënyra juaj e të punuarit. A të pengon kjo mënyrë jetese?

– Është shumë e vërtetë. Nuk është se unë e kam pengesë punën natën, por e gjithë dita të shkon në gjumë e atë pak kohë që kam në dispozicion, ia kushtoj familjes. Të them të vërtetën, për shoqërinë më ngelet pak fare kohë, për të mos thënë hiç.

– Cila është muzika që preferohet më shumë në këtë periudhë?

– Nëpër klubet shqiptare po preferohet shumë muzika hip-hop, pa përjashtuar edhe house dhe komerciale.

– Ndodh që një klient të bëhet i bezdisshëm?

– Fatkeqësisht, ka edhe të tillë dhe kjo ndodh kur më kërkojnë shpesh të përsëris këngën e tyre të preferuar. Kështu është krijuar sistemi në Shqipëri, në disa raste, DJ-të s’kanë vendin e tyre të posaçëm.

– Çfarë kanë më pak klubet shqiptare, krahasuar me ato evropiane?

– Të themi të drejtën, kanë disa gjëra mangut, por me kalimin e kohës do t’i rikuperojnë; s’është se janë shumë mbrapa nga ato të Evropës.

– Po klientët shqiptarë, çfarë kanë ndryshe?

– Gjysma e shqiptarëve vijnë për foto, jo se e ndiejnë muzikën.

– Për ç’arsye do ta refuzoje një ofertë?

– Arsyet janë të ndryshme, por paga është e para sepse nuk ka një pagesë fikse.

– A ka momente kur muzika të lodh dhe nuk do ta dëgjosh fare?

– Jo, unë këtë punë e bëj me pasion, është si ushqim për mua.

– Për çfarë i shpenzon një DJ, paratë që fiton?

– Unë për vete, 70% të fitimeve i investoj për punën që bëj.

– A mund të bëhet kushdo DJ?

– Me sakrificë dhe vullnet arrin gjithmonë atë që do, por jo çdokush mund të bëhet DJ.

– Shumë personazhe publikë kanë hapur klube të tyret. Pse mendon se ndodh kjo gjë?

– Shumica e atyre e bëjnë këtë sepse kanë arritur në kulmin e famës dhe nuk dinë ç’të bëjnë tjetër. (Buzëqesh)

– Nuk besoj se ti ke një plan të tillë…

– Jo, unë kam një plan investimi shumë të madh për një studio ku të bëj produksionet e mia dhe regjistrimin e këngëve të disa këngëtarëve që menaxhoj.

– Nëse nuk je në punë natën, ku je?

– Prapë në punë! Mbyllem në shtëpi dhe punoj me këngët e reja se si t’i shfaq në publik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here