Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Maya: Tani, do të më njihni si aktore!

Nëse do të më pyesnin se si duhet të jetë femra shqiptare, unë do ta shihja shumë mirë të pasqyruar në profilin e Mayës, një këngëtareje më të njohura në muzikën popullore shqiptare dhe një femre të fortë, që nuk i trembet asnjë sakrifice. Me Mayën, ndryshe nga ç’mund ta mendoni, nuk u takova pas një koncerti, por pas provave në Teatrin Kombëtar, ku ajo do të luajë një rol që e do shumë. Për këto dhe më shumë, ju ftoj të lexoni këtë bisedë të këndshme, që unë e shijova dhe besoj se do ta shijoni edhe ju…

 

Blerina Çizmja: – Maja, këtë herë nuk të gjej në skenën e këngës, por në atë të Teatrit Kombëtar, duke aktruar! Çfarë ndodhi me ty?

Advertisement

Maya Aliçkaj: – (Buzëqesh) M’u zgjuan ndjenjat më të hershme, të fillimeve të mia në skenë profesionalisht. Unë, natyrisht, e kam filluar me këngën, por jam diplomuar si aktore.

– Pse nuk e ke ushtruar deri më tani këtë profesion?

– Për arsye të ndryshme… Kam patur dy role në teatër e një në film kur jetoja në Gjermani, por pastaj jeta mori drejtimin e saj. Një tjetër pasion shumë i fortë i imi ishte kënga dhe në Gjermani, ajo mori rrugë më profesionale, duke qenë se isha pjesë e aktiviteteve të shqiptarëve gjatë gjithë viteve që jetova atje.

– Pas kaq vjetësh në muzikë, si ndihesh që po e fillon tani atë që vërtet ke ëndërruar?

– Më shumë sesa “po e filloj”, do të thoja, “po e rivazhdoj”… Përsa u përket viteve të shkëputjes, do të të kthej një përgjigje duke përdorur fjalët e regjisorit tim: “Talenti është i lindur dhe nuk humbet diku në jetë, edhe nëse nuk je aktivizuar”. Natyrisht, duhet shumë punë. Teatri pa diskutim është shumë i vështirë, do shumë preokupim dhe do kohën e vet.

– Pse ishte pikërisht ky, momenti i duhur për të aktruar?

– Është momenti i duhur pasi është atmosfera e duhur dhe m’u ofrua roli i duhur, një rol shumë i mirë, në pjesën teatrale “Spiuni i Ballkanit”, me regji të Spiro Dunit.

– Si të erdhi roli pikërisht ty?

– Në mendjen e regjisorit, kjo ide ka të paktën tre vjet dhe ai më kishte thënë se kur ta vinte shfaqjen, më shihte mua në rolin e Danicës. Kur më erdhi propozimi për të luajtur këtë rol, isha në një moment shumë të ngarkuar. Është fundi i vitit dhe për mua si këngëtare, kjo është një periudhë plot me aktivitete dhe nuk më përshtatej, pa folur për impenjimet e tjera shumë të rëndësishme private. Vetëm për këtë, anulova për këtë sezon shumë projekte e koncerte si këngëtare. Ishte shkruar për t’u bërë në këtë periudhë dhe vendosa, duke menduar se duhet të sakrifikosh diku, për të bërë diçka të bukur.

– Sepse në këtë mënyrë e kupton më mirë vlerën e asaj që je duke bërë?

– Pa diskutim që po! Tani, jam shumë e lumtur që mora këtë vendim dhe shpresoj që kështu të përfundojë edhe projekti dhe të vijmë te publiku me këtë dëshirë e impenjim që kam unë dhe i gjithë kasti i aktorëve.

– Supozojmë që shfaqja mbaroi dhe pati goxha sukses…

– Inshallah ndodh kështu! (Qesh)

– …do të ishe e gatshme t’i sakrifikoje prapë projektet e tua muzikore për teatrin?

– Them se po, sepse nuk bën pjesë më në sakrificë, por në kënaqësi dhe unë, që tani po e shijoj, pavarësisht se jemi në periudhën e punës. Aktrimin e dua shumë, por po kaq shumë dua edhe këngën dhe natyrisht, do të bëja të pamundurën që t’i gërshetoja. Fatmirësisht, kam oferta të këndoj, por do t’ia vlente gjithsesi të lija diçka jo në të kënduar, por duke lënë aty-këtu ndonjë aktivitet, për t’i kushtuar më shumë kohë aktrimit.

– Të shoh në këtë moment me një sakrificë të dyfishtë, i jepesh teatrit dhe lë mënjanë projektet muzikore dhe nga ana tjetër, ke probleme shëndetësore dhe vazhdon të punosh… Ke qenë gjithmonë e prirur të sakrifikosh në këtë mënyrë?

– (Buzëqesh) Po… sakrificat janë karakteristikë e çdo njeriu që përpiqet të arrijë diçka dhe që nuk kënaqet me pak. Nëse unë dorëzohem para një fakti, siç është problemi që kam me këmbën, atëherë kam shkatërruar gjithçka dhe nuk mund të bëj përpara. Nuk ka arritje pa sakrificë dhe unë, sakrifikoj me logjikë të pastër!

– Siç ndodhi edhe në koncertin e fundit në Itali, ku u shfaqe në skenë me këmbën në allçi?

– …dhe me patericë! (Buzëqesh) Në koncertin e fundit në Itali, në dasmën e fundit në Fier… Do të të them diçka, shumë sinqerisht; nëse i respektoj këto aktivitete, e bëj për ata që duan të më dëgjojnë. Po të ishte për mua, nuk do të shkoja, por nuk mundem t’i zhgënjej njerëzit që janë përgatitur shpirtërisht të më dëgjojnë. Ata janë për ne gjithçka, gjithë motivi për të cilin këndojmë dhe aktrojmë. T’i zhgënjesh është e dhimbshme…

– Edhe në teatër, rolin tënd do ta shoqërojë një këngë e kënduar po nga ti…

– Po, dhe kjo është diçka shumë e bukur. Kënga e krijuar nga kompozitori Klement Marku dhe me tekst të regjisorit Duni do të jetë e pranishme gjatë të gjitha akteve dhe është një baladë në funksion të shfaqjes, të Danicës, personazhit tim.

– Na thuaj diçka më shumë për Danicën…

– Po të flisja për Danicën, do të më duhej të shpjegoja të gjithë subjektin e dramës, të cilin dua ta lë surprizë. (Buzëqesh) Pjesa është sllave dhe ne jemi pesë aktorë. Protagonisti kryesor është burri im, Albano Prodani, djali i Aleko Prodanit, një emër shumë i dashur për publikun tonë. Kam fatin që përpos gjithë këtyre aktorëve dhe regjisorit të shkëlqyer Spiro Duni, të kem në krah si aktor, brilantin Ndriçim Xhepa.

– Pavarësisht baladës përkrah Klejdi Mahmutajt, ti je e njohur si këngëtare e muzikës popullore. Këtë herë të shohim si aktore dhe si këngëtare të muzikës së lehtë…

– Për publikun që më dëgjon live, kjo nuk është një gjë e re, ndërsa për publikun që më njeh nga klipet, është deri diku. Unë gjërat që bëj, i bëj se i dua shumë dhe kur një gjë e do shumë, do ta realizosh mirë, përndryshe, edhe s’ke pse e bën. Unë pretendoj se kam rezerva në botën time, në krijimtarinë time, në profesionalizmin tim dhe më vjen mirë. Nëse ke gjëra të reja te vetja, nëse gërmon dhe ke prapë rezerva, gjëra të pashfaqura në publik, kjo të mban gjallë, të mban të freskët në sytë e publikut.

– Si vjen ti e freskët në sytë e publikut?

– Duke ardhur me gjëra ndryshe edhe brenda muzikës popullore dhe asaj të moderuar e të përzier me rrymën house, por edhe me bazë të huaj. Krijimtarinë time e sjell këto vitet e fundit me kujdes dhe duke e testuar publikun sepse, ndryshe është kur ti këndon live dhe ndryshe është kur publiku të shikon nga shtëpia dhe nuk është i ndikuar nga emocioni direkt. Ai të gjykon nga rrethana të tjera dhe gjykimi është më i pastër. Kur sjell një këngë, unë e kam gjithmonë parasysh publikun, në çdo ambient që është.

– Ti do të zgjidhje të kënduarit live përpara publikut, apo të kishe një sukses të paparë me një klip?

– Të dyja do të më pëlqenin shumë dhe të dyja i kam shijuar. Suksesi që mund të kesh me një klip, siç unë fatmirësisht e kam përjetuar shumë herë është në funksion të karrierës, por ai gërshetohet shumë bukur me të kënduarin live. Suksesi është i sakatuar, jo i plotë dhe kohëshkurtër nëse do të ishte vetëm në ekran. Ky është realitet dhe unë e them duke e prekur realitetin.

– Dhe, duke qëndruar nga realiteti e duke gjykuar nga pozitat e një këngëtareje që e ka bërë emrin e saj, dua të më thuash diçka: Si do ta gjykoje gjendjen e muzikës që nga momenti i hyrjes tënde e deri më sot? Shikon më tepër ecje përpara apo mbrapa?

– Unë jam natyrë që i shikoj gjërat pozitivisht dhe mendoj se pavarësisht disa hapave mbrapa, e përgjithshmja është pozitive. Muzika popullore është shumë specifike dhe nuk është për të gjithë, nuk dinë ta këndojnë të gjithë dhe ta krijojnë të gjithë. Ndjej dhimbje kur shoh shumë përsëritje. Kjo më shqetëson. E sheh një bazë të sjellë katër herë brenda një viti, nga katër këngëtarë. Natyrisht, komercialiteti le të jetë, por të mos jetë abuziv. Pavarësisht se në përgjithësi po ecet përpara, ka shumë imitime në të gjitha zhanret…

– Për ç’lloj imitimesh e ke fjalën?

– Po ja… këngëtarë që imitojnë njëri-tjetrin, këngëtarë që i marrin këngët e vjetra shabllon dhe i këndojnë përsëri, duke bërë tekst të ri mbi atë muzikë, imitimi i muzikës apo klipeve të huaja… Për mua, duhet të kishte më pak prurje dhe më shumë cilësi.

– Në nëntë vjet kanë dalë shumë këngëtarë që janë harruar apo për të cilët kujtohemi kur i shohim në televizor. Çfarë kishe ti të veçantë që të bëri këtë që je?

– Mendoj se, ngjyrën e veçantë të zërit, origjinalitetin në krijimtari dhe në interpretim. Unë nuk bëj kurrë një këngë kot, pa një motiv, pa një mesazh. Një nga mënyrat për të përçuar historinë e një kombi, ndjenjën, karakterin e një kombi është muzika dhe jam e bindur se shumë këngë të miat do të ngelen dhe shumë prej tyre përcjellin veç karakterit të një vajze shqiptare, edhe shumë histori, si kënga “Vajza suliote”. Kënga e përcjell vërtet shumë mirë historinë. Unë mundohem që secila këngë të më ketë mua bazë, të mos jetë një këngë “si ajo tjetra”. Shpesh, në publik, më pyesin: “Ku e ke gjetur atë frazë të goditur”, si për shembull: “Ah kjo puna e sevdasë, sekreti i gjithë dynjasë”…

– Vërtet, ç’bëhet me sevdanë në jetën tënde?

– Unë, gjithë sevda jam! (Qesh) Fatmirësisht jetoj me një njeri që e dua shumë. Ndihem e përmbushur, komode, ndjehem mirë dhe uroj që kështu të vazhdojë.

– I përket fushës tënde?

– Jo, nuk ka lidhje me fushën time, por ka lidhje me origjinën time, me ngritjen e me nivelin tim dhe natyrisht, me zemrën time… (Buzëqesh)

– Të jep përshtypjen e një femre të fortë që nuk ka gjë që mund ta ndalojë, por ne, jo gjithmonë japim përshptypjen e asaj që jemi në të vërtetë. Po të mbeteshe nesër pa gjërat që ti do më shumë, do të kishe forcë për ta nisur nga e para?

– Pa diskutim, po. Ishalla Zoti e sjell të ushtroj këto profesione që i dua dhe i bëj më mirë, por unë nuk kam frikë kurrë nga jeta. Një herë postova në Facebook një foto ku isha në timonin e anijes, duke shkuar në Karaburun dhe shkrova: “Timonin e jetës e kemi vetë në dorë, por jo dallgët”. Ne do të drejtojmë ashtu siç duam, por dallgët do të vijnë ashtu siç duan ato. Atyre dallgëve që do të vijnë të padëshruara, unë do t’u përshtatem. Nëse nesër nuk kam mundësi të këndoj apo të aktroj, do të bëj çdo lloj pune dhe kurrë s’do të them: “Çfarë më gjeti mua!”. E vetmja gjë që kam frikë është shëndeti. Nëse kemi shëndetin, asgjë nuk është e pamundur.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ekzema po më bëhet kronike

Next Post

Të reja: Gjendet një shkak tjetër i anoreksisë

Advertisement