– Doktoreshë Albana, dua të di, si mund të gjendet etiologjia e një ekzeme, në mënyrë që ajo të mos bëhet kronike?
Dr. Albana Lufi, Ph.D në Dermatologji: – Ekzema është sëmundja më e shpeshtë inflamatore që prek çdo moshë, shtresë shoqërore dhe grup profesioni. Ajo shfaqet në lëkurën e predispozuar e të ndjeshme alergjike, me shenja klinike të shumta duke u përhapur shpejt, në mënyrë të ngadalshme ose me hope. Ekzema përhapet nga shkaqe të njëjta ose të shumëllojshme të cilat shpeshherë nuk njihen ose zbulohen me vështirësi. Shkaktarët e saj janë të ndryshëm dhe ndahen në shkaktarë të jashtëm dhe të brendshëm.
– Shkaktarët e jashtëm janë faktorët kimikë (bazat, acidet, detergjentët), përdorimi i substancave medikamentoze lokale (medikamentet që aplikohen në lëkurë), lëndë të ndryshme kozmetike; faktorët fizikë: rrezatimet e ndryshme që japin fotodermatitet; faktorët infektivë dhe parazitarë: infeksionet bakteriale, mykotike dhe parazitare; ekzema e brendshme (endogjene). Rëndësi kryesore në këtë sëmundje ka faktori gjenetik, pasi ajo shfaqet tek ata pacientë që kanë predispozicion për alergji të tipit të menjëhershëm, me bazë trashëgimie. Këta persona, pas kontaktit të rastësishëm me lëndët e ambientit, zhvillojnë një sensibilizim të menjëhershëm. Një informacion më të gjerë në lidhje me shkaktarët e ekzemës japin provat alergjike të lëkurës.