Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

E gjeta dashurinë siç më nevojitej

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një djalë në moshën më të bukur të jetës, por që ndryshe nga bashkëmoshatarët e mi, nuk kam shumë mundësi ta shijoj këtë moshë. Në fakt, edhe unë mund të bëj çfarë të dua, por ndjej një nevojë t’i përkushtohem vëllait tim të sëmurë. Ai është me aftësi të kufizuara, nuk ka nevojë për karrocë, se ecën vetë, por duhet ta mbash për krahu që të mos humbasë ekuilibrin. Qëkur ishim të vegjël unë e shoqëroja kudo, edhe me mamin, sepse babi ka kohë që na ka vdekur. Për këtë arsye kam bërë një jetë të mbyllur dhe nuk jam shoqëruar si gjithë të tjerët. Ka patur raste kur kam dalë me shokët, se vëllai ka ndenjur me mamin. Mami, duke e ditur se unë kam nevojë të kem jetën time, herë pas here më shtyn të dal me shokët, mirëpo kur nuk del shpesh, nuk ke as çfarë të bësh me shokët. Shkëputesh e nuk i bie në fill muhabetit. Pra, kjo është korniza e asaj që ju thashë më sipër. As shoqe nuk kam patur, jo vetëm për arsyen e vëllait tim, por se edhe vetë nuk jam shumë i afrueshëm me të tjerët.

Mjeku na thotë se plazhi i bën mirë vëllait për kockat, kështu që herë pas here ne shkojmë në plazh. Zakonisht, vjen edhe mami me ne, por atë ditë do të shkonte në dasmën e vajzës së një shoqeje, kështu që nuk erdhi. Unë e vëllai shkuam dhe ndenjëm gjithë ditën në shezlong, përveç një kafeje të shkurtër që pimë në lokal. Nejse unë jam mësuar me këtë dhe nuk më bën përshtypje.

Kur po ktheheshim, dola të hipnim në furgon së bashku me vëllain. Furgonët nuk po ndaleshin se ishin plot, kur për çudi, te këmbët tona u ndal një makinë. Në timon ishte një grua rreth të 35-40-tave.

Advertisement

– Për ku jeni?

– Për në Tiranë. – i thashë.

– Po të doni hajdeni, se edhe unë për në Tiranë jam.

– Po faleminderit – nuk e mendova dy herë, sepse isha lodhur duke pritur, por edhe vëllai dukej i lodhur. Hipa vëllain prapa dhe ai menjëherë u shtri, ngaqë ishte lodhur, kështu që unë nuk kisha ku të ulesha.

– Eja para. Lëre të shtrihet se është lodhur.

Ashtu bëra. U ula para dhe ajo nisi makinën. Ishte një grua e përsosur dhe me shumë sharm. Nuk e dija se pse na mori në makinë, ndaj i thashë:

– Faleminderit edhe një herë! Asnjë furgon nuk po ndalonte.

– Në këtë kohë janë plot, se të gjithë kthehen nga plazhi.

– U lodhëm gjithë ditën nën atë diell të fortë…

– Dhe nuk ke lëvizur shumë. Isha afër jush në shezlong dhe vetëm një herë shkove në lokal, pastaj nuk lëvize më.

– Oh, më falni, nuk ju kam vënë re…

– Nuk kishe si të më vije re. Je shumë i përkushtuar ndaj vëllait. Gjithmonë ti rri me të?

– Zakonisht unë, kur mami është e zënë.

– Të lumtë! Kjo që bën ti, është një gjë që jo kushdo do ta bënte. – tha ajo.

– Në fakt, nuk është kështu. Gjithkush mund ta bënte për njeriun më të afërt. Të vjen instinktivisht dhe e bën. Asgjë nuk është e vështirë kur mësohesh.

Po flisnim dhe rruga po na ecte shumë mirë. Vëllain e kishte marrë gjumi. Pasi kaloi gati gjysma e rrugës, ajo tha:

– A do të pish një kafe? Mua më pihet.

– Dakord. – thashë, se dhe mua më pihej diçka. – Vëllain po e lëmë në makinë se ai është në gjumë dhe më mirë të çlodhet.

U ulëm në një lokal dhe porositëm nga një makiato. Biseduam përsëri dhe mora vesh se ishte një grua e divorcuar dhe kishte një vajzë të vogël 5 vjeçe, të cilën nuk e kishte marrë me vete, sepse ishte me të atin. Në fakt, ajo dukej si e pamartuar asnjëherë, aq e mirë ishte. E kuptova se ajo kishte dëshirë të krijonte shoqëri me mua, pasi i kishte bërë përshtypje se si kujdesesha unë për vëllain. Në fakt, edhe unë u ndjeva shumë mirë gjatë gjithë kohës me të. Ajo ishte një femër shumë e zgjuar dhe shumë e thjeshtë. Vazhduam rrugën dhe në fund, kur ajo na çoi deri te dera e pallatit, shkëmbyem numrat e telefonit dhe e lamë që të dilnim e të pinim një kafe.

Kështu filloi historia ime me një grua më të madhe se veten, që në fakt, dukej shumë më e re se vajzat e moshës sime.

Herën e dytë u takuam për kafe në një lokal dhe ajo kishte marrë me vete dhe vajzën. Ishte një fëmijë i bukur dhe në fillim nuk ishte shumë e afrueshme, por më pas filloi të fliste jo vetëm me mua, por edhe me vëllain. Kuptohet, aq sa mundte me vëllain, por pashë se dhe ai kishte shumë qejf kur ajo ia gjuante ndonjëherë topin.

U takuam edhe herë të tjera e sa herë takoheshim, mes nesh shtoheshin ndjenjat. Menduam të shkonim një fundjavë jashtë Tiranës. Ajo mori vajzën me vete, edhe pse ajo kishte ditën që do të rrinte me të atin. Isha ulur unë para e vëllai me vajzën e saj prapa. Udhëtimi shkoi shkëlqyeshëm. Të gjithë ishim të kënaqur e dukeshim si një familje. Madje, edhe recepcionisti mendoi se ashtu ishim kur na pyeti a do të merrnim një dhomë për çiftin dhe një për fëmijët. Ne qeshëm me të madhe. Po ta mendosh, ai nuk kishte patur faj, se ne të dy dukeshim që në pamje të parë se ishim të dashuruar me njëri-tjetrin. Edhe vëllai im me vajzën shkonin shumë mirë e dukeshin të afërt. Pastaj, morëm unë me vëllain një dhomë dhe ajo me vajzën, një dhomë tjetër. Dolëm gjithë ditën në plazh e pastaj në darkë shkuam në një lokal, mirëpo vëllai u lodh shpejt dhe i thashë:

– Vëllait nuk i bën mirë të lodhet më tepër. Po shkoj ta çoj në dhomë.

Shkova ta çoja në dhomë dhe ajo shkoi në dhomën e saj bashkë me vajzën. Pasi e kishte marrë gjumi vëllain, dola dhe shkova te dhoma e saj. Edhe vogëlushen e saj e kishte marrë gjumi dhe tani ne ishim vetëm. E kishim ëndërruar prej shumë kohësh këtë gjë dhe ja ku erdhi. Dolëm poshtë në hollin e hotelit dhe gati-gati ky ishte takimi ynë i parë si çift. Ajo dhe unë kishim kohë që me shenja ia kishim shprehur dashurinë njëri-tjetrit, por me fjalë dhe vetëm për vetëm, kjo ishte hera e parë.

Ndjeva një emocion që më përshkoi trupin dhe goja m’u lidh. Të shikoje përballë atë femër të jashtëzakonshme, gjithkujt mund t’i kishte ndodhur kështu. Folëm dhe shprehëm të gjitha ndjenjat tona dhe ky ishte një çlirim nga të dy. Ky ishte fillimi i një tjetër jete për mua. Deri tani nuk e kisha shijuar në këtë aspekt jetën, por tani kishte ardhur koha që unë dhe ajo të shijonim njëri-tjetrin. Edhe pse ajo ishte më e madhe se unë, nuk dukej asnjë ndryshim mes nesh. Që nga ajo natë, ne tani jemi të dashur dhe dukemi si një familje.

Tani na mbetej vetëm ta prezantonim me mamin. Me thënë të vërtetën, kisha pak frikë se mos mamaja më paragjykonte për moshën e saj kur t’ia thoja unë se nga pamja e jashtme nuk do të kishte mundësi ta dallonte, sepse ajo ishte një super femër.

E morëm mamin dhe takimin e bëmë në një lokal. Mami kishte mbetur e mahnitur se si vëllai argëtohej me vajzën e saj dhe me të vetë. Ajo nuk e merrte me mend se do ta shihte të birin aq ndryshe. Në vend që të më kritikonte se si isha lidhur me një grua me fëmijë, u kthye nga ajo dhe i tha:

– Faleminderit që hyre në jetën tonë!

Edhe ajo u surprizua dhe tha:

– Kënaqësia është e imja. Unë tani ndihem ndryshe dhe vajza ime gjithashtu. Ka qenë fat për mua që u njoha me djemtë e tu.

– Faleminderit zemër – mami direkt i tha “zemër”, gjë që nuk e bënte shpesh. – Zoti të ka dërguar te ne!

U ndjeva i çliruar. Pra, gjithçka erdhi duke u përmirësuar. Edhe te vëllai shoh një ndryshim, jo shumë të madh, por duket se jeta e tij monotone ka filluar të ndryshojë. Kur jemi bashkë të katërt dhe kur mami vjen me ne, të pestë, gjithçka rrjedh si vaj. Tani mund të them vetëm se jam i lumtur që e gjeta dashurinë ashtu siç më nevojitej mua.

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Shpjegimi i endrrave tuaja...

Next Post

Vëllai im ka varikocelë

Advertisement