– Përshëndetje i nderuar reumatolog. Doja të dija, çfarë është artroza? Në çfarë moshe shfaqet dhe si kurohet ajo? A është e trashëgueshme? Ju lutem, më jepni një përgjigje të saktë për këtë sëmundje, një informacion të përgjithshëm. A ndikojnë traumat psikologjike në artrozë? Unë dyshoj mos vuaj nga artroza, por më parë doja të sigurohesha nga informacioni që do të më jepni ju.
Dr. Fatos Hoxha, reumatolog: – Arthrosa (Arthrosis OA) është një sëmundje reumatizmale e tipit degjenerativ (konsumuese), ku proceset inflamatore kanë përfunduar. Arthrosa është një shkak madhor i paaftësisë dhe një prej çrregullimeve më të shpeshta muskulo-skelektike. Kjo sëmundje shfaqet pas dekadës së 4-5-të të jetës. Mjekimi tradicional me ilaçe është simptomatik, pra, që lufton simptomat dhe nuk ka asnjë ndikim në zhvillimin apo kohëzgjatjen e sëmundjes.
Jepen zakonisht preparatet me veprim të favorshëm në strukturën e nyjes, të cilat janë të afta të vonojnë zhvillimin e sëmundjes, ndaj quhen ilaçe strukture-modifikuese. Sot përdoren më së shumti ilaçe me veprim të kombinuar si Flexamin (kondroit + glukosin + acid hialuronic + cct) Chondrocoat apo ndonjë tjetër formë e ngjashme. Trauma psikologjike nuk ndikon direkt në artrozë.