– Jam një emigrant në Bari të Italisë, i datëlindjes 25.07.1956. Në Itali kam ardhur që në vitin 1997 ku kam punuar me kontribute për një periudhë prej 7 vitesh dhe aktualisht, jam pa punë. Në Shqipëri kam gjithësej 17 vite vjetërsi në punë me sigurime shoqërore.
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – Përshëndetje! Së pari, për të përfituar pension pleqërie në Itali, kërkohet një vjetërsi kontributive prej 20 vitesh, ose në rast se jeni regjistruar para datës 01.01.1996 mund të dilni në pension edhe me 5 vite, por mbas moshës 70 vjeçare. Përderisa keni një vjetërsi të konsiderueshme dhe sigurisht, keni leje qëndrimi afatgjatë, në rast se keni të ardhura të ulëta, mund të përfitoni Pagesë Sociale, e cila është e lidhur drejtpërsëdrejti me rezidencën dhe shumën e të ardhurave familjare. Por kjo pagesë jepet mbas moshës 65 vjeç. Aktualisht, këtë vit, ky përfitim jepet për personat që kanë plotësuar 65 vjet dhe 3 muaj deri më 31.12.2015. Në vitet 2016 dhe 2017, mosha për përfitimin e pagesës sociale do të jetë deri në 65 vjeç e 7 muaj, ndërsa në 2018 dhe të bëhet 66 vjeç e 7 muaj. Për të përfituar pagesën për vitin 2015, është e domosdoshme të plotësohen këto kërkesa: mosha 65 vite e 3 muaj, statusi në nevojë ekonomike, shtetësia italiane për qytetarët e huaj anëtarë të BE-së, të jenë regjistruar në komunën e zonës së banimit. Qytetarët ekstra-komunitarë të pajisur me leje qëndrimi në BE për qëndrim për një kohë të gjatë (ish-karta e qëndrimit), duhet të kenë banim efektiv të qëndrueshëm, që të ketë vazhduar jo më pak se 10 vite në territorin shtetëror italian. Pagesa e përfitimit fillon nga dita e parë e muajit të ardhshëm mbas paraqitjes së kërkesës, në rast se janë plotësuar të gjitha kërkesat e përcaktuara me ligj. Shuma maksimale e pagesës është e barabartë me 448.52 euro në muaj për 13 muaj dhe për vitin 2015, kufiri i të ardhurave është baraz me 5830.76 euro në vit.
– Kanë të drejtë për këtë pagesë në masë të plotë; personat e pamartuar që nuk kanë asnjë të ardhur; personat e martuar që kanë të ardhura familjare më të vogla se shuma vjetore e kësaj pagese. Kanë të drejtë për këtë pagesë në masë të reduktuar personat e pamartuar që kanë një të ardhur më të vogël se shuma vjetore e kësaj pagese; personat e martuar që kanë të ardhura familjare më të vogla se dyfishi i shumës vjetore e kësaj pagese. Në këtë kuptim, në rast se një çift të maruarish kanë të ardhura më të vogla se 897.04 euro dhe plotësojnë kushtet e mësipërme, kjo shumë u kompensohet për diferencën që marrin më pak. Për dhënien e pagesës sociale, konsiderohen të ardhura të kërkuesit dhe bashkëshortit si më poshtë: të ardhurat neto të vlerësuara për detyrimet tatimore dhe sigurimet shoqërore; të ardhurat e përjashtuara nga taksat; të ardhurat që janë subjekt i mbajtjes së tatimit në burim (fitimet në lojërat e fatit, në lotari, nga konkurset dhe premie, pagesa nga shteti, nga personat juridikë publikë dhe privatë); të ardhura subjekt i tatimit zëvendësues (interesa postare e bankare, interesa nga çdo titull tjetër shtetëror, bono dhe letra me vlerë të lëshuara nga bankat dhe shoqëritë aksionere; të ardhura nga toka dhe ndërtesa; pensione të luftës; pension të dhënë nga INAIL (Instituti Nacional i Invalidëve të punës); pensione direkte të dhëna nga shtete jashtë Italisë (përfshihen të gjitha llojet e pensioneve të marra në Shqipëri); pensione të dhëna si invalid civil, të verbër, të shurdhër; Pagesa ushqimore bazuar në normat e kodit civil.
– Pra, në rast se merrni pension në Shqipëri, apo keni ndonjë të ardhur tjetër, si qira, ose të ardhura të tjera, ato do të përfshihen dhe do të reduktohet pagesa sociale. Përsa i përket pensionit në Shqipëri, ju plotësoni kushtet më 25.07.2021. Bazuar në nenin nr.16 të ligjit 104/2014 (ndryshohet neni 31 i ligjit 7703 datë 11.05.1993, “Për sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar), në pikën 1 përcaktohet: “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji”. Në kushtet që jeni, ju plotësoni periudhën kontributive prej 15 vitesh dhe ju lind e drejta për pension, proporcionalisht me vjetërsinë e punës që keni dhe bazës së vlerësuar. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shteterore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për të bërë procedurat për pagesë sociale, mund të drejtoheni pranë zyrës së Patronatit INAS më të afërm të zonës suaj, mbasi kjo procedurë duhet të bëhet në Itali, mbasi kërkohet rezidenca. Përsa i përket aplikimit për pension në Shqipëri, jeni i mirëpritur pranë Patronatit INAS ALBANIA. Ju falënderoj për besimin.