– Së pari, ju falënderoj për ndihmën dhe përgjigjet tuaja. Jam një grua 31 vjeçe, e martuar e me dy vajza si drita. Jam e punësuar dhe mundohem t’i rris vajzat sa më mirë që të mundem. Problemi im është marrëdhënia me bashkëshortin e me familjen e tij dhe pas 7 vitesh martesë, zhgënjimi im nga jeta, dorëzimi dhe thjesht humbja e vullnetit për gjithçka e të mos them, e lumturisë. Kam pasur disa periudha shumë stresuese me lindjen e vajzës së parë, shumë keqtrajtime nga mamaja e bashkëshortit që ka shkuar deri aty sa më ka marrë vajzën, me pretekstin se unë nuk di ta rris, ose se mos e mbysja atë. Kam vuajtur shumë dhe, edhe pse jetonim të gjithë në një shtëpi, unë nuk guxoja ta prekja vajzën, as ta vishja, as ta ushqeja, përveçse t’i jepja gji. Edhe atëherë kur ajo e rrihte e bebja ime qante, unë vetëm e shikoja nga larg dhe qaja fshehurazi. Me kohë, punët ndryshuan. Duke luftuar gjithë kohën për të, e ktheva prapë, kujdesesha vetë për të, e mora vajzën nga vjehrra që të flinte me mua dhe kjo ishte një fitore e madhe, por një ditë, nga pakujdesia e çastit, ndodhi fatkeqësia më e madhe për mua, më ra vajza nga dritarja nga kati i dytë, domethënë, nga 4 metra lartësi, gjë që rezultoi me paralizimin e saj. Fatmirësisht, paraliza qe disaditore dhe, që të mos e zgjas shumë, vuajtjet e mia mund t’i mendoni vetë. Ajo u shërua plotësisht dhe sot është një fëmijë plotësisht i shëndetshëm, por kjo plagë nuk u shërua në shpirtin tim dhe unë e vuaj edhe sot e kësaj dite. Me lindjen e vajzës së dytë, askush nuk kishte interesim të më bënte mua të vuaja, të gjithë e sidomos vjehrra ime e kishin kuptuar se të ndash fëmijen nga nëna është një gabim shumë i madh, prandaj me vajzën e dytë ia kalova shumë mirë, e rrisja me një përkushtim të madh dhe doja t’i ndjeja e përjetoja të gjitha ato që nuk kisha mundur t’i përjetoja tek e madhja. Më duhet ta pranoj se përveçse ia dëshmova vetes se unë nuk jam aspak e paaftë për të rritur një bebe, nuk më ndihmoi me ndonjë gjë më shumë. Vuajtjet nga ndarja e vajzës në atë kohë më shkaktuan një traumë të thellë, saqë edhe sot nuk ia dal dot të përballem me këtë, ndonëse vajza është 6 vjeçe. Për gjithë këtë kohë, burri im ka mbetur tërësisht i painteresuar, asnjëherë nuk e kam ndjerë se mund të bëjë diçka për mua dhe fëmijët, por tani askush nuk mund të m’i rrahë fëmijët, edhe pse përsëri jetojmë të gjithë bashkë. Unë thjesht e akuzoj bashkëshortin tim për gjithçka, më ka hipur në kokë dhe dua të divorcohem me të. Ndonjë moment ndihem fajtore, por ai as sot e kësaj dite nuk më përkrah, nuk shkojmë mirë, zihemi shpesh, seksi është katastrofë, më akuzon dhe e akuzoj (mendoj se me shumë të drejtë). I kam dhënë shumë para, gjithë të ardhurat, kredi, e kam duruar, ia kam duruar prindërit të cilët kanë abuzuar me mua pa pikë faji. A nuk kam të drejtë t’i jap një mësim të mirë? Thënë shkurt, dua ta bëj një gjë të tillë, por nuk mundem dhe për këtë vuaj shumë. Pyetja ime është: Si t’ia dal në këtë gjendje, pa dashuri, pa përkrahje, pa asnjë fjalë të mirë, me kritika të njëpasnjëshme, pa jetë normale? Për gjithçka në jetën time vendos vjehrra. Më është shëmtuar jeta përreth, më duket se askush nuk është më keq se unë, askund nuk gjej bukuri apo lumturi. Frikësohem nga ndonjë depresion që më troket. Nuk mundem më, nuk dua më të luftoj, as fitoret nuk më gëzojnë. Kam patur shumë ëndrra, kam kryer fakultetin për Psikologji, por nuk kam mundësi të vazhdoj më tutje. A duhet ta bëj jetën time peng për fëmijët? Me bashkëshortin tim as di, as mundem më, nuk e kam idenë si ta kthej nga unë dhe t’i them se ekzistoj unë dhe fëmijët. Kam shumë për të shkruar akoma, por e zgjata tepër. Vuaj nga mospasja e vetëbesimit, mosvlerësimi i vetes, mospasja e guximit, mosrealizimi i vetes. Kam qenë te një psikolog për ndihmë, por jam aq e mbyllur sa nuk i kam treguar asgjë nga këto që kam shkruar në letër. Turpërohem për gjithë gjërat që më kanë ndodhur…
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara zonjë, mama e dy vajzave që paske mbaruar për Psikologji, më saktë, e nderuara kolege! Mendoj se letra jote do të jetë më interesante sesa përgjigjja ime, pasi ajo paraqet një dramë të vërtetë njerëzore, jo si ato traumat në televizion apo telenovelat me shto ujë e shto miell, por me vërtetësi rrënqethëse, duke pasqyruar një jetë të cënuar aq shumë sa, siç thotë populli, “ky njeri është bërë për gjynah”. Po e filloj përgjigjen me fundin e letrës tënde: Shumë mirë që ke vajtur te një psikolog, pasi edhe vetë psikologu ka nevojë për një psikolog, pasi siç thuhet, sqepari nuk e gdhend dot bishtin e vet. Por, si ka mundësi që ti të shkosh te psikologu e të mos ia tregosh atij të gjitha të vërtetat “lakuriq”? Ti e di shumë mirë se asnjë psikolog në botë nuk e ka aftësinë që të gjejë se çfarë të ka ndodhur, pa ia treguar ti vetë ato. Ti je vetë psikologe dhe e di që ne nuk kemi ndonjë “skaner” ose “EEG” për të parë se çfarë ka shpirti yt brenda. Këto i them sepse më ndodh edhe mua që disa kliente që vijnë te unë, shtiren sikur bashkëpunojnë dhe nuk hapen, ose tregojnë një problem gati anësor për të fshehur atë më kryesorin, thjesht duan të qahen sa për t’u çliruar, por unë më së shumti i kuptoj dhe u them se unë dua të di jo vetëm se ku fle lepuri, por edhe ku fle ai, “ariu”. Madje, dje një zonje i thashë: “Ti e di se çdo doktor ka bërë atë që quhet “Betimi i Hipokratit”, ndaj mos kij turp, por hapu ashtu siç nuk duhej të kishe aspak turp po të zhvisheshe te një gjinekolog”.Pra, ti psikologe, vërtet paske vajtur te një psikolog, por kot sa ke harxhuar kohën dhe paratë, pasi paske vepruar ngjashëm me vajtjen te gjinekologu duke kërkuar të vizitohesh pa u zhveshur. Me siguri, ti e ke kuptuar se psikologu do të çuditej me paaftësinë tënde për të ndihmuar veten e për të mbrojtur të drejtat e tua dhe të foshnjes tënde. Këtu ka filluar cënimi i rëndë i jetës tënde, pasi është një parim i rëndësishëm psikologjik se çdo njeri është “përgjegjës për nevojat e veta”. Ti ke menduar se ai do të çuditej apo do të nxehej, por çfarë të të thotë ty psikologu i shkretë, ose si mund të të qortonte ty psikologu? Psikologu nuk është prokuror, edhe pse ti e meriton një “dush” të ftohtë, pasi ke vepruar si ai trëndafili kur e mbulojnë morrat, me paaftësinë tënde e ndoshta ti ke dëmtuar sadopak edhe foshnjen, vajzën e vogël, pasi vjehrra ta paska hequr atë nga duart sikur ti të ishe ndonjë e sëmurë mendore. Shumë keq ka vepruar vjehrra, por edhe burri yt i cili nuk paska qenë në gjendje për të të mbrojtur e ndihmuar, por rrika sus para nënës së vet! Tani, problemet tuaja paskan vajtur majë më majë, aq sa ti ke akumuluar aq shumë sa nuk po kupton nëse do të divorcohesh për hall apo si një lloj hakmarrjeje të akumuluar në vite. Zëre se nuk ke bërë asnjë seancë me psikolog, ndaj duhet filluar nga e para, ashtu si një arë e punuar keq nga qetë, do një “plug” më të thellë dhe që mbjelljet të bëhen me sistem e në distancë. Më e mira do të ishte psikoterapia në çift, sepse unë nuk mund të gjykoj vetëm nga fjalët e tua dhe kam të drejtë të të pyes: A mos ty të duken të drejta vetëm të drejtat e tua? Më parë duhet të shohim ato të tjetrit. A mos mami ty nuk të ka rritur të përgatitur për jetën e bashkëshortësinë? Sepse unë e di që ka plot mama të cilat nga dashuria e tepruar e meraku se “vajza do të shkojë në derë të huaj”, në vend që ta mësojnë me punë e përkushtim, ia bëjnë të gjitha gati vetë dhe mund të rrisin ca vajza qullashe e si të përgjumura që ke frikë t’i lësh t’u japin gji fëmijëve se ka ndodhur që i ka zënë gjumi duke ia bllokuar frymëmarrjen bebit, pasi bebi dy “gramë” frymë ka. Po të ishte kështu, ç’faj ka vjehrra jote?! Unë po kuptoj se ajo të ka lënë më të “lirë” që ta rritësh fëmijën e dytë, pasi ka kuptuar se ti u mësove nga rritja e bebit të parë. Po çfarë të duket ty, gjë e vogël pakujdesia gati fatale që vajza të paska rënë nga dritarja?! Pra, ajo e ka jetën e saj të dytë, apo jo? Në qoftë se është kështu, ti nuk duhet të qahesh nga vjehrra, por duhet të qash e të ulërasësh para mamit tënd, e cila nuk të përgatiti në kohën e duhur si mëmë dhe si amvisë. Duhet të “protestosh” tek ajo. Kam dëgjuar të thonë se në Dibër, te dibranet, merr vajzë, por mos jep… Pse? Sepse ata e përgatisin vajzën me punë, rregulla, higjienë e profesione për jetën e ardhshme, pra, e çojnë të “shkëlqyer” e plot me norma në derën e burrit, por ama ashtu edhe e duan nusen që do t’u vijë në shtëpi… E shikon pra se si na qenka puna? S’të lejon dibrani që ti të jesh si ajo delja “harraqe” e pastaj të qahesh kot…